Super Shqipëri ndaj San Marinos, Kuqezinjtë të dytët pas Anglisë

Të besuarit e Edi Rejës triumfuan me rezultatin e thellë 5-0 ndaj modestëve të San Marinos


Ndaj San Marinos nuk mjaftonte thjesht një fitore, por duhet një goleadë dhe Shqipëria e bëri më së miri këtë në “Elbasan Arena”, ku arriti të shënojë pesë gola dhe të “flirtonte” me disa të tjerë në një mbrëmje spektakolare, të cilën Thomas Strakosha e shijoi në fushë si spektator pa pagesë.

Të besuarit e Edi Rejës triumfuan me rezultatin e thellë 5-0 ndaj modestëve të San Marinos, duke marrë kështu vendin e dytë në grup me 12 pikë të grumbulluara pas 6 ndeshjeve të para dhe njëkohësisht duke bërë më të forta shpresat për një biletë për Katar.

Ashtu siç pritej, kuqezinjtë e kishin vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe e nisën vrullshëm ndeshjen, teksa shkëndijën e parë e dha Marash Kumbulla në minutën e tretë, kur i gjeti mirë kohën një topi të ardhur nga këndorja, por ishte i pafat, pasi sfera përfundoi jashtë, ngjitur me shtyllën pingule të portës së miqve.

Në të njëjtin vend përfundoi topi edhe në minutën e 12’, kur pas një kombinimi të bukur mes Trashit e Gjimshitit, ky i fundit shërbeu për Uzunin, por edhe sulmuesi beratas nuk ia doli të gjejë koordinimin e saktë.

Gjuajtja e parë në kuadrat do të regjistrohej vetëm në minutën e 23-të, me Nedim Bajramin që lëvizim mirë brenda zonës dhe lëshoi një të djathtë potente, por gardiani mik Benedettini reagoi mirë, duke grushtuar topin.

Me golin që ishte rrotull prej shumë minutash, sfida u zhbllokua vetëm në minutën e 32-të nga Rey Manaj, që zotëroi një top brenda zonës, e mbrojti bukur me trup dhe më pas e shtyu drejt rrjetës, duke bërë që në “Elbasan Arena” të ndizej entuziazmi.

Goli çliron kuqezinjtë, që vetëm dy minuta më vonë ndërtojnë një tjetër aksion model, këtë herë me një vertikalizim perfekt për Myrto Uzunin, i cili u koordinua saktë me të majtën, por reagoi portieri mik, duke dërguar topin në këndore.

Nga zhvillimet e goditjes nga këndi, ishte Rey Manaj që përfitoi për të dërguar topin sërish në rrjetë, por këtë herë flamuri i anësorit zviceran dhe më vonë konfirmimi nga VAR-i bëri të pavlefshëm golin për një pozicion jashtë loje të numrit 10 kuqezi.

Në minutën e 45-të Uzuni tenton një tjetër akrobaci brenda zonës dhe topi përfundon te Manaj, që e dërgon sërish në rrjetë, por edhe këtë herë kapet në pozicion jashtë loje, duke bërë që skuadra të shkojë në dhomat e zhveshjes me avantazhin minimal 1-0.

Një rezultat aspak i kënaqshëm për trajnerin Edi Reja, i cili kërkonte më shumë dhe në pjesën e dytë la në dhomat e zhveshjes Nedim Bajramin e Lorenc Trashin dhe hodhi në fushë Armando Brojën e Odise Roshin.

Kuqezinjtë kanë një tjetër ritëm në këtë pjesë dhe fillimisht është Rey Manaj që jep shkëndijën me një goditje nga distanca, ndërsa në minutën e 53-të, Broja devijon saktë drejt portës, por topi pritet nga gardiani i San Marinos.

Goli i qetësisë vjen në minutën e 58’, kur pas një zbritjeje të shpejtë të kuqezinjve, Broja shërben bukur për Laçin, i cili shfrytëzon hapësirën që kishte para, për të lëshuar një goditje perfekte nga jashtë zone, me topin që u ndal vetëm nga rrjetë e Benedettinit.

Ky gol çliron tanët, që pa presionin e rezultatit, nisin të bëjnë gjithçka në mënyrë perfekte dhe spektakolare, teksa në minutën e 61-të është Armando Broja që lë sërish gjurmë, duke shënuar një tjetër gol të bukur, pas atij me Hungarinë.

Sulmuesi 19-vjeçar në pronësi të Chelsea-t mori një pasim të saktë nga Roshi dhe lëshoi një goditje predhë nga brenda zonës, me portierin e San Marinos që nuk mund të bënte asgjë, veçse të shihte topin teksa përplasej në rrjetë.

Loja zhvillohet vetëm në gjysmëfushën e miqve dhe në minutën e 68’ shënon emrin në listën e golshënuesve edhe kapiteni Elseid Hysaj. Odise Roshi konfirmohet njeriu asist i kombëtares, pasi këtë herë “pikturon një krosim për Hysajn në shtyllën e dytë, me kapitenin që kërcen saktë dhe mposht për herë të katërt portierin mik.

Vetëm 5 minuta më vonë, është sërish Broja që godet në mënyrë të menjëhershme, por këtë herë i pafat sulmuesi 19-vjeçar i kuqezinjve, pasi topi i gjuajtur prej tij përplaset në traversën e portës, që vijon ende të dridhet nga potenca e goditjes.

Më pas sulmuesi që vesh fanellën e Southamptonit në Premier Leaguen angleze, merr përsipër të çojë te goli shokun e tij të repartit të sulmit, Myrto Uzunin dhe pasi kalon bukur kundërshtarët, gjen beratasin të vetëm me portierin, por numri 11 i kuqezinjve gjuan dobët dhe nuk e dërgon dot topin në rrjetë.

Vetëm katër minuta më vonë, Broja rikuperon një top në zonën kundërshtare, falë potencës së tij dhe ndonëse i vetëm me portierin, vendos të largojë kritikat për egoizëm, pasi shërben sërish për Uzunin, që këtë herë nuk mund të gabonte dhe dërgoi shifrat në 5-0.

Spektakli kuqezi nuk ka të ndalur, pasi një tjetër aksion perfekt ndërtohet në minutën e 85-të dhe këtë herë është Rey Manaj që provon ta dërgojë topin në rrjetë, por njëri prej mbrojtësve miq u tregua i shpejtë dhe e largoi mbi vijën fatale, duke shmangur golin e gjashtë.

Në minutën e 91-të provon të lërë gjurmë edhe Odise Roshi, që merr bukur një top dhe futet në zonë, por gabon në goditje, duke çuar sferën mbi kuadrat, ndërsa më pas erdhi vërshëllima finale e arbitrit zviceran, që i dha fund një mbrëmjeje mjaft të bukur për kuqezinjtë.

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…