Ilir Përnaska, “mbreti blu” që i pëlqenin golat që shkaktonin dhimbje!

Sulmuesi i Dinamos ka qenë 6-herë golshënuesi më i mirë i kampionateve shqiptare.


Nga Moisi Dalipi

Në historinë 70- vjeçare të klubit të futbollit të “Dinamos”, pa asnjë dyshim, sulmuesi Ilir Përnaska është në podin e më të mirëve, për sa i përket shënimit të golave të shumtë në vitet që u aktivizua tek kjo skuadër. Se është një futbollist i tillë, me një “thesar” plot vlera për golat e shënuar, ndaj shpesh specialistët dhe dashamirësit e skuadrës dinamovite, e kanë vlerësuar këtë sulmues si “mbretin” e golave blu. Mjafton fakti për t’u bindur se, me “Dinamon” e tij të dashur si pak kush tjetër, Përnaska ka qenë 6-herë golshënuesi më i mirë i kampionateve shqiptare. Dhe lidhjet me futbollin për këtë djalosh me trupin “robust”, nisin që në vitet e fëmijërisë tij, me djemtë e “Rrugës Elbasanit” në Tiranë , ku papritmas një ditë, kur ishte vetëm 13 vjeç është gjendur tek ekipet e moshave të “17 Nëntorit”.

Trajneri njohur në ato vite tek klubi bardheblu, “ustai” talenteve Xhavit Demneri, nuk i dha hapësirën e duhur për t’u aktivizuar dhe shfaqur talentin e tij. Kjo gjë solli pakënaqësi tek djaloshi, që shpejt bëri zgjedhjen, duke kaluar tek ekipi i para të rinjëve të “Dinamos”, me trajner Leonidha Dashin. Në moshën 15- vjeçare bëhet pjesë e ekipit të të rinjve të klubit dinamovit, ku bie në sy si një sulmues golshënues. Pavarësisht nga mosha e re, Ilir Përnaska është shfaqur si një “gjuetar” i pamërshirshëm në shënimin e golave. Aftësia për të dribluar kundërshtarin me mënyra që shpesh të habisnin me ato improvizime të çastit, me hapa të shpejtë dhe me topin pranë këmbëve, vështrimi tij ishte gjthmonë tek porta. Dhe kur ishte vetëm 15 vjeç, në vitin 1966, do bëhet kalimi tij tek ekipi parë i “Dinamos.Trajneri njohur Skënder Begeja pasi njohu mirë aftësit e këtij sulmuesi , duke e testuar në ndeshjet e kontrollit të mesjavës, në fillim të vitit 1967 në një ndeshje kampionati ndaj “Traktorit” në Lushnjë, do t’i besojnë vendin e titullarit në skuadër, përkrah kapitenit Iljaz Çeço.

Fiton bukur “Dinamo” me rezultatin 3-1, ku dy gola mbajnë autorësinë e sulmuesit të ri, Ilir Përnaska. Një fillim dhe start tepër premtues për këtë futbollist që pak kush kishte besuar dhe parashikuar se ky Ilir Përnaska, do të kthehej shpejt në një “mbret” të golave të shënuar dhe jo vetëm për “Dinamon”, por dhe tek ekipi kombëtar. Edhe pse askush nuk jep një shifër të saktë të golave që ka shënuar në karrierën e tij në vitet 1966-1982, ky sulmues “race” që është e vështirë të përsëritet, për të qënë pjesë e futbollit shqiptar. Gjithsesi, tregohet për një takim sulmuesish, që ka ndodhur disa vite më parë, larg fushës. Në rrugë, përballë, i ndjeri Din Zhega dhe Ilir Përnaska. Të dy mjeshtër të golit, të dy që sakrifikonin edhe kokën për një gol më shumë. I thotë Dini dinamovitit: “O Pernaske, sa gola mund të kesh shënuar gjithsej?”. Iliri u habit nga pyetja që mbërriti krejt papritur dhe pastaj reagoi: “Nja 200 gola, më duket”. Dini, duke qeshur me stilin e tij, i kishte thënë: “Sidoqoftë, unë kam bërë më shumë se ty!”.

Nuk e treguam këtë histori për të gjetur të vërtetën, dhe as për të fiksuar shifrën e saktë të golave, porse inati i golit është inati më i bukur, siç thoshte profesor Lym Alla. Zhega dhe Përnaska, dy “kamikazë” që rrezikonin të shkonin edhe në spital për të dërguar një top më shumë në rrjetë. Thonë se jo të gjithë misionarët e golit ndjekin të njëjtën aventurë për të shënuar. Ca shënonin me hundë, thuhej për ata që nuhatnin, ca të tjerë me forcë dhe një palë me dinakëri. Për tifozët, ashtu si edhe për të madhin Gerd Myler, mjafton që topi të kalojë vijën fatale dhe është goli më i bukur. Kur pyet Përnaskën për “golin e jetës”, atë që i shënoi Jani Kaçit pasi kishte marrë takat në fytyrë, ka një përgjigje që vlen si një gol: “Më pëlqenin golat që shkaktonin dhimbje”. Kështu ai e ka kryer më së miri detyrën e tij , duke vënë në shërbim të skuadrës vet të gjithë forcën dhe talentin. Nga një përllogaritje e bërë rezulton se, Përnaska ka shënuar 265 gola në kampionat, Kupë dhe ndeshje ndërkombëtare.

E jashtëzakonshme do të jetë karriera e tij në fushën e lojës kur tek “Dinamo”, do vijnë dy miqtë e tij, Ballgjini dhe Zëri. Kështu kjo trio, Përnaska –Zëri –Ballgjini , do vinte përpara çdo kundërshtar me gola dhe lojë të bukur . Tek sulmuesi Përnaska çdo lloj mbulimi nga kundërshtari, nuk pengonte atë të nxirrte nga arsenali tij teknikën dhe mjeshtërinë e driblimit, mënyrën e shmangies të kundështarit edhe atëhere kur, ndodhej i rrethuar nga shumë mbrojtës. Sapo e kapte topin, vështrimi tij shkonte drejt portës, duke qenë i aftë të shënonte gola dhe atëhere kur nuk pritej. Me trupin e tij plot muskuj, me një shkathtësi që të habiste ai ju “rrëshqiste” me lehtësi mbrojtësave kundërshtarë, “gjarpëronte” me topin mes tyre, duke u shndërruar në një sulmues të tmerrshëm dhe të pagabueshëm përpara portës. Këtij sulmuesi nuk do t’i mjaftonte vetëm shpejtësia dhe shkathësia, por dhe nuhatjen për shënimin e golit e kishte tepër të zhvilluar. Kishte raste, siç tregojnë bashkëlojtarët që ka luajtur, që Përnaska të kthehej në “fantazëm” për mbrojtësit dhe me golat që shënonte, i detyronte sportdashësit të duartrokisnin gjatë. Edhe pse shënonte shpesh në fushën e lojës, dukej i “pakënaqur” me vetveten.

Në momentet kur skuadra e tij nuk arrinte të shënonte golin, krejt papritur do shfaqej Përnaska. Për atë, pak rëndësi kishte se me çfarë mënyre realizohej goli, me driblim, gjuatje nga vendi apo në ecje e sipër, me këmbën e majtë, apo me të djathtën, me kokë, apo rroveshjatë, mjaftonte që topi të prekte rrjetën e portës. Ky ishte sulmuesi Ilir Përnaska, i pagëzuar dhe vlerësuar si “mbreti” golave blu, që për 6 sezone, mbajti kurorën e golshënuesit më të mirë të kampiontit shqiptar . Dhe janë pikërisht sezonet 1971/1972 me 19 gola të shënuar , 1972/1973 me 17 gola të shënuar, 1973/1974 me 12 gola të shënuar, 1974/1975 me 19 gola të shënuar, 1975/1976 me 17 gola të shënuar dhe 1976/1977 me 18 gola të shënuar.

Dhe gazeta italiane “Guerrin SPORTIVO ” , në 100-vjetorin e golshënuesëve më të mirë evropianë, do t’i japë vendin e nderit Ilir Përnaskës, që me 6 herë fitues si golshënues, do rreshtohej pas Nordahl (9 herë golëshënues),Kajfos dhe Pushkak ( 8 herë golëshënuëes) Imre Schlosser dhe Gerd Myler (7 herë golëshënues”. Kështu, Ilir Përnaska ka lënë pas austriakun Krankl, spanjollin Di Stefano, ukrainasin Bllohin , holladezin Van Basten dhe argjentinasin Maradona. Me “Dinamon” e tij në vitet 1966-1982, ai do të fitojë 6 herë titullin kampion në sezonet 1966/1967, 1972/1973, 1974/1975, 1975/1976, 1976/1977 dhe 1979/1980. Plot 4 herë fitues i Kupës në vitet 1971,1974,1978 dhe 1982, si dhe 2 herë fitues në Spartakiadat Kombëtare në vitet 1974 dhe 1979. Ai çdo sukses e ka ndarë me shokët e skuadrës, me Sejdinin, Çeçon, Zërin, Ballgjinin, Targaj, Makon, Çobanin, Dautin, Bregun, Çirakun, Çurtën, Xhafën e tjerë dhe të tjerë. Më i plotë bëhet portreti tij me 15 ndeshjet ndërkombëtare me ekipin tonë kombëtar, ku ka shënuar dhe 5 gola.

E ka nisur “aventurën” e tij me fanelën kuqezi më 14 nëntor 1971, në ndeshjen Shqipëri –Turqi, ku ai shënon dhe 2 gola në atë fitore, 3 me 0. Por “mbreti” golave Ilir Përnaska, ka dhe një rekord tjetër, që nuk e ka thyer asnjë futbollist shqiptar deri tani. Ai ka shënuar 4 gola në një ndeshje zyrtare ndërkombëtare, pikërisht në vitin 1975, si pjesë e ish -“17 Nëntorit” në ndeshjen e fituar për Kupën Ballkanike, me rezultatin 6 me 0 kundër grekëve të “Panionos”. Dhe e veçanta me këtë sulmues ka qenë dhe fakti tjetër, që ai sa herë shënonte gol, gjithçka ia dedikonte skuadrës së tij, “Dinamos” . Ndodhte kështu, sepse siç thotë dhe vetë, “pa atë “Dinamo”, unë nuk do isha shënuesi golave të shumtë”. Një arsye më shumë kjo, për ta thënë në tërë kuptimin e fjalës se, Ilir Përnaska, është “mbreti” golave blu !

 

Skeda e Ilir Përnaskës

Lindur: në Tiranë më 7 Mars 1951
Karriera sportive: Me “Dinamon”, në vitet 1966/1982
Roli në skuadër: Sulmues me numrin 7
Gola të shënuar: rreth 265 gola të shënuar në ndeshje kampionati, Kupe dhe ndërkombëtare . 6 herë golashënuesi më i mirë i kampionateve shqiptare.
Ndeshje me ekipin kombëtar: 15 ndeshje me 5 gola të shënuar
Trofe të fituara: Me “Dinamon” 6 herë titullin kampion, 4 herë fitues i Kupës dhe 2 herë fitues i Spartakiadave Kombëtare.
Vlerësime: Gazeta italiane “Guerrin SPORTIVO” , në 100- vjetorin e golshënuesëve më të mirë evropianë, do t’i japë vendin e nderit Ilir Përnaskës, që me 6 herë fitues si golashënues, do rreshtohej pas Nordahl (9 herë golashënues), Kajfos dhe Pushkak (8 herë golashënues), Imre Schlosser dhe Gerd Myler (7 herë golashënues).
Titull sportiv: “Mjeshtër i Merituar” “Nderi Sportit Shqiptar” dhe “Mjeshtër i Madh”.

/ Gazeta “Telegraf”

Lexo më shumë

Komiteti Ekzekutiv i FSHF: Pesë fusha të reja

Synimi kryesor i FSHF-së është që brenda vitit 2025 të ndërtohen 100 fusha të reja me përmasa të mëdha

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Komiteti Ekzekutiv i FSHF: Pesë fusha të reja

Synimi kryesor i FSHF-së është që brenda vitit 2025 të ndërtohen 100 fusha të reja me përmasa të mëdha