Sulmuesi holandez Arsenio Valpoort te Teuta
28-vjeçari tulipan vjen nga kampionati qipriot teksa në sezonin e fundit
Teuta godet sërish në merkato. Kampionët e Shqipërisë kanë arritur akordin me sulmuesin holandez Arsenio Valpoort kalimi i të cilit te durrsakët është vetëm çështje ditësh pasi marrëveshja është mbyllur.
28-vjeçari tulipan vjen nga kampionati qipriot teksa në sezonin e fundit mbajti veshur fanellën e Ermis në elitën e futbollit të shtetit ishullor me të cilët u aktivizua në 15 takime duke realizuar dhe 2 gola.
Valpoort nga 1 korriku ishte një lojtar i lirë në treg ndërkohë që karrierën e tij e ka nisur te Herenveen me të cilët ka debutuar edhe në Eredivisie ndërkohë që në Holandë ka spikatur më shumë me skuadrat e RKC Waalwijk dhe Almere City në Eerste Divisie.
Në karrierën e tij Valpoort ka shëtitur shumë teksa është aktivizuar edhe me Ferencvaros në Hungari, Beitar Jerusalem në Izrael, Busan IPark në Korenë e Jugut dhe Roeselare në Belgjikë.
Te Teuta Valpoort do të zëvendësojë Taulant Seferin i cili pas ndeshjeve të Europës do të rikthehet te Tirana por edhe Blerim Krasniqin që ka gjetur pak hapësira dhe me shumë gjasa do të transferohet te Gjilani në Superligën e Kosovës.
Ndërkohë drejtuesit e klubit bregdetar kanë arritur akordin me Bylisin edhe për afrimin e Pano Qirkos.
Gardiani i cili spikati me ballshiotët sezonin e shkuar do të transferohet te Teuta për një vlerë financiare që nuk bëhet e ditur ndërkohë që ballshiotët do të ruajnë edhe një përqindje të kartonit në rast rishitjeje në të ardhmen. Te djemtë e detit Pano Qirko do të marrë vendin e Stivi Frashërit i cili pas ndeshjeve të Europës do të transferohet te Ballkani në Kosovë.