Juristi Erald Dervishi, “Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar” i katrorëve bardh e zi

Për herë të parë mësoi të vendosë saktësisht gurët e shahut mbi skakierë kur ishte vetëm 4 vjeç e gjysmë.


Nga Dash Frashëri

Për herë të parë mësoi të vendosë saktësisht gurët e shahut mbi skakierë kur ishte vetëm 4 vjeç e gjysmë, në moshën 7 vjeç zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare në kampionatin kombëtar shqiptar për të rinj, në moshën 11 vjeç u shpall kampion Kombëtar në Shqipëri për të rinj, 13 vjeç fitoi titullin e parë ndërkombëtar, mjeshtër i FIDE-s, i shoqëruar ku dhe me trofeun e kampionit të Europës për moshat deri në 14 vjeç. Në moshën 16 vjeç u shpall kampion i Shqipërisë, ndërkohë që 18 vjeç u bë i vetmi shahisti shqiptar që fiton titullin Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar i shahut. Ky është juristi Erald Dervishi, (asokohe kur u bë intervista ishte kryetar i Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve pranë Ministrisë së Mbrojtjes). “Gjeniu” i shahut, apo “mbreti” shqiptar i “katrorëve bardh e zi” rrëfehet për gazetën “Albania”.

Erald, le t’ia nisim nga pyetja rutinë. Kur iu lindi pasioni për shahun?

Pasioni për shahun më lindi qysh në moshë të vogël. Të paktën qysh në moshën 5 vjeç, moshë që përkon me atë të fëmijës kur është ende në kopsht. U regjistrova te klubi i fëmijëve të qytetit të Durrësit, që në atë kohë ishte një qytet me tradita të spikatura shahistike. Pra ishte vendi për një fillim serioz në sportin e shahut. Në fakt, ishim shumë fëmijë që bënim pjesë në atë grup moshe.

A keni pasur ndonjë traditë familjare në shah?

Jo nuk kemi pasur. Babai im ishte thjesht një amator i apasionuar pas shahut. Ai më ka mësuar të vendos për herë të parë gurët mbi skakierë dhe gjithashtu lëvizjet e para.

Durrësi ka nxjerrë edhe Mjeshtrin e parë Ndërkombëtar shqiptar në shah, Fatos Muçon. A ka pasur ndonjë influencë imazhi i këtij mjeshtri te ju personalisht?

Nuk diskutohet. Kemi jetuar në të njëjtin qytet. Sporti i shahut ka qenë aq i zhvilluar në Durrës, sa ka pasur shumë emra të spikatur. Mjeshtri Ndërkombëtar, Fatos Muço, ishte idhulli për ne të rinjtë. Ka qenë 10-herë kampion i Shqipërisë, madje 7-herë rresht.

Cilët kanë qenë shahistët e tjerë?

Le të themi se shahistët më të mirë të kohës në Shqipëri vinin thuajse të gjithë nga qyteti i Durrësit. Në ekipin Kombëtar të shahut nga gjashtë apo tetë shahistë, katër prej tyre ishin nga Teuta, siç janë mjeshtri i FIDE-s, Lorenc Rama, mjeshtri i FIDE-s, Harallamb Boshku. Por dhe emra të tjerë të shquar si Hamza Xhakoni, mjeshtri ndërkombëtar Altin Çela, për të ardhur te radha ime. Rrita nivelin e lojës dhe shumë shpejt u bëra pjesë e ekipit Kombëtar. Ka qenë shumë i rëndësishëm momenti, që në kohën kur unë nisa të luaja shah, Durrësi përfaqësohej masivisht në ekipin Kombëtar.

Cilët kanë qenë rivalët e tu nga këta të rinj të talentuar?

Të gjithë emrat që përmenda më lart kanë qenë në një brez tjetër, por këta më ndihmuan direkt apo indirekt të ngrihesha në një nivel të lartë. Mjeshtri ndërkombëtar Altin Çela ka qenë thuajse në një brez me mua. Ishte më i madh se mua në moshë, por ishte rivali im, pavarësisht se erdhi më vonë në qytetin e Durrësit. Ka qenë një shahist me të vërtetë i talentuar, që mund të jepte dhe më shumë për sportin e shahut, pasi u largua nga Shqipëria. Ai vazhdon të luajë shah.

Konsideroheni si një nga “gjenitë” e shahut shqiptar. Sa e ndjen veten të përafërt me këtë përcaktim?

Nuk mund dhe nuk më lejohet ta them këtë. Aktualisht në shahun shqiptar unë kam pasur privilegjin që të kem arritur rezultatet më të mëdha. Të jesh i pari në një sport është një gjë e mrekullueshme. Është rrjedhojë e një punë shumë të gjatë qysh në moshë të vogël, ndihmës që kam pasur nga mjeshtërit durrsakë e në mënyrë të veçantë të trajnerit tim personal Fatos Muça. Kjo është e pamohueshme.

Në çfarë moshe e keni zhvilluar ndeshjen e parë, të ashtuquajturën zyrtare?

Ndeshjen e parë e kam luajtur 7 vjeç për kampionatin kombëtar të të rinjve. Tani që e kujtoj, them se ishte një eksperiencë me të vërtetë emocionuese, për kohën dhe për mua. Ishte si një lloj shpërblimi i një pune aktive prej dy vjetësh e gjysmë në klubin e shahut të Pallatit të Pionierëve në Durrës, që tani shfaqej në nivel kombëtar, ku fillova të ballafaqohesha me të rinj të një moshe më të madhe se unë, pasi në të vërtetë isha shumë i vogël për të marrë pjesë në kampionatin e të rinjve.

Si përfundoi ndeshja juaj e parë?

Ndeshja ime e parë për fat u mbyll me një fitore. Kundërshtari im ishte disa vjet më i madh në moshë se mua. Ishte diku te 17-18 vjeç, ndërkohë që unë isha vetëm 7 vjeç. Ishte një lojë shumë e bukur, dhe prania e shumë njerëzve mbi tavolinën tonë të lojës e bënë akoma më emocionuese.

Në ç’moshë u shpallët për herë të parë kampion për të rinj?

Duket e pabesueshme, por kam qenë kampion Kombëtar në Shqipëri për të rinj në moshën 11 vjeç.

Po kampion Kombëtar për të rritur?

Kampion Kombëtar për të rritur në moshën 15-16 vjeç dhe në garë kanë qenë disa nga emrat më të medhenj të shahut të atyre viteve. Kam qenë dy herë rresht kampion, në vitin 1996 dhe 1997.

Po Mjeshtër i FIDE-s?

Duket si çudi, por mjeshtër i FIDE-s u bëra kur isha vetëm 13 vjeç. Në Kampionatin Europian U-14 u shpall kampion i Europës. Një gjë që për momentin nuk e konceptova, por tani e vlerësoj shumë se ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në karrierën time shahistike.

Dhë më në fund Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar…

Titullin Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar e kam marrë në Olimpiadën e Elitës në Rusi, në vitin 1998, kur isha diçka më shumë se 17 vjeç, e që përkonte me Olimpiadën e 33-të Botërore, në të cilën merrnin pjesë shahistë nga 110 federata nga e gjithë bota. Në atë botëror, ku merrnin pjesë gjashtë shahistë nga Shqipëria, unë, Altin Çela, Ilir Seitaj, Ilir Karkanaqe, Lorenc Rama, unë zhvillova 12 ndeshje, duke grumbulluar 8.5 pikë. E konsideroj këtë rezultat edhe sot si të jashtëzakonshëm. Mora medaljen e argjendtë, pavarësisht se kampionati ishte ekipor.

Cilat janë emrat më të mëdhenj të shahut?

Shahu është një nga sportet elitare në Shqipëri, duke pasur një masë të madhe të apasionuarish. Në Shqipëri kuhet shumë shah dhe pëlqehet ai. Kjo të bën të ndihesh mirë, kur mendon se ti je pjesëtar i këtij sporti, por nga ana tjetër të obligon të ndihmosh në rritjen e cilësisë së këtij sporti. Shahu shqiptar ka pasur fatin që ka pasur gjithmonë sportistë cilësorë gjatë brezave të ndryshëm. Shahistët shqiptarë më të mirë në vite kanë qenë Ylvi Pustina (9-herë kampion), i cili sipas mendimit tim në brezin e tij ka qenë absolutisht më i miri. Fatos Muça ishte i padiskutueshëm në kohën e tij, 10-herë kampion i Shqipërisë. Më pas kam ardhur unë. Ideja është që sporti i shahut në Shqipëri ka pasur evolucionin e tij. As unë nuk dëshiroj të mbetem gjatë shahisti më i mirë në Shqipëri. Duhet të vijnë të tjerë, që pas pesë apo gjashtë vitesh të dalë një shahist që të jetë edhe më i mirë se unë.

Cilët janë emrat shqiptarë më të njohur në arenën ndërkombëtare?

Shqipëria ka aktualisht një Mjeshtër të Madh Ndërkombëtar, i cili jam unë, tre mjeshtër ndërkombëtarë, Ilir Seitajn, Dritan Mehmetin, Llambi Qëndron dhe 6 mjeshtër të FIDE-s, si Ilir Karkanaqe, Shkëlqim Çela, Arben Dardha, Zeqir Sula dhe Lorenc Rama. Emrat e mëdhenj ndikojnë shumë si në shtrirjen e lojës së shahut në Shqipëri.

Çfarë vendi zë shahu shqiptar në raport me atë botëror?

Nga këndvështrimi individual ne kemi pasur gjithmonë shahistë konkurrentë, edhe në të kaluarën, por dhe tani. Unë jam shahisti më përfaqësues i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Në fakt, duke pasur traditë me sportin e shahut, edhe pjesëmarrjet në arenën ndërkombëtare kanë qenë dinjitoze.

Në sa turne ndërkombëtarë keni marrë pjesë?

Janë me dhjetëra të tillë, madje kam fituar me dhjetëra turne ndërkombëtarë, ku i fundit është ai i gushtit të këtij viti në Itali, një turne i madh ndërkombëtar, shumë cilësore, ku merrnin pjesë mbi 90 shahistë, ku vetëm mjeshtër të mëdhenj ishin 20, 15 mjeshtër ndërkombëtare e rreth 30 mjeshtër të FIDE-s.

Si e shikon Eraldi të ardhmen e shahut?

Ajo që unë dua të këmbëngul, ka të bëjë me vazhdimësinë e shahut, me cilësinë e tij në të ardhmen, ku dhe unë dua të jap kontributin tim. Duhet të prodhojmë djem dhe vajza të reja shahistë, që në të ardhmen edhe ata të bëhen mjeshër të mëdhenj. Ti japim mundësi brezit të ri, që të zëvendësojë me sukses brezin e vjetër. Duke pasur traditë është më e lehtë të ndërtosh breza të rinj sportistësh për të qenë kompetitivë në të ardhmen.

Cilat janë emocionet që ndjen Dervishi kur qëndron midis mjeshtërve të mëdhenj, fiton ndaj tyre dhe shpallet kampion i një turneu prestigjioz ndërkombëtar?

Ndjen me të vërtetë një sadifaksion të jashtëzakonshëm. Shahu më ka dhuruar gjatë jetës dhe karrierës sime më ka dhuruar shumë momente të bukura. Çdo turne që fiton është një kënaqësi më vete. Krijon emocione dhe vetëkënaqësi. Ndihesh i realizuar, pasi gjithë puna e lodhshme paraprake të është shpërblyer. Por gjithsesi, është kënaqësi momentale që nuk zgjat shumë, pasi të duhet të rifillosh të nesërmen të mendosh për turneun e radhës.

Shahisti është një lojtar tavoline, çfarë karakteristikash duhet të ketë një lojtar i fortë?

Shahu është sport shumë i bukur. Duket si lojë tavoline, por dhe shahu kërkon përgatitjen “fizike” të mendjes. Që të jesh një shahist i mirë duhet të kesh një miks karakteristikash: qetësinë, agonzimin brenda vetvetes, të kuptosh momentin kur duhet të jesh agresiv nga ana sportive, të dish të shfaqësh më të mirën e vetes në momentet finale. Natyrshëm që duhet të jesh inteligjent. Të paktën, me të gjithë ata që kam biseduar, gjëja e parë që mendohet për një shahist, është konsiderimi i tij si një njeri inteligjent. Duhet të kesh një fuqi llogaritëse.

Thuhet se lëvizja e parë në shah është shumë e rëndësishme. Sa mendohet Dervishi për të kryer lëvizjen e parë?

Natyrshëm, që për një pjesëmarrës në botën e shahut kjo është e qartë. Përsa i përket se sa lëvizje mund të llogarisësh në vazhdimësi kjo është relative, pasi varet nga pozicioni ku ndodhesh gjatë lojës, kundërpërgjigjia e pritshme e kundërshtarit. Kur pozicioni është kompleks, nuk mund të llogarisësh më shumë se 4-5 lëvizje, kur pozicioni është më pak kompleks mund të llogarisësh nga 10-15 lëvizje, kur ato vijnë edhe si të detyruara.

Ju keni fituar turne të mëdhenj. Arrini ta lexoni lojën e kundërshtarit?

Them se shpesh, po. Ideja e llogaritjes është dhe vlerësim njëkohësisht. Më e rëndësishme është të vlerësosh një pozicion të caktuar pas katër apo pesë lëvizjesh, ku do të qartësohen edhe avantazhet që ke krijuar ti ndaj kundërshtarit.

Cilat kanë qenë ndeshjet më emocionuese?

Ndeshje emocionuese ka pasur shumë dhe është e vështirë të gjesh me të veçantën. Ndeshja e fundit në çdo kompeticion zyrtar, Olimpiadë, Kampionate Botëror, Europian apo turne ndërkombëtare, është gjithmonë përcaktuese, dhe normalisht janë më emocionueset, pasi në ndeshjen e fundit, ose do të arrish të fitosh turne apo kompeticione, ose do të humbasësh një shans që vështirë që mund të rikthehet.

Cila ka qenë ndeshje më zhgënjyese?

Ka ndodhur në një kampionat botëror U-18 në vitin 1997. Nëse do të fitoja atë ndeshje do të shpallesha kampion bote për U-18. Humbja një pozicion që ishte i fituar nga ana ime dhe ishte shumë zhgënjyese. Gjithsesi, kundërshtari im ukrainas, Roman Ponamariov, pas tre vitesh u bë kampion i botës.

Cila ka qenë fitorja më e shpejtë?

Është një statistikë që nuk e kam mbajtur. Gjithsesi, ka pasur ndeshje të cilat edhe kundër kundërshtarëve shumë të fortë kam fituar me 16-17 lëvizje, e ndoshta dhe më pak.

Po ndeshja që më e gjatë?

Tani rregullat e shahut kanë ndryshuar. Një ndeshje nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë orë. Dikur, në disa kompeticione konservatore, kam luajtur një ndeshje që është azhurnuar tri ditë. Ditën e parë kemi luajtur pesë orë, ndeshja është azhurnuar të nesërmen, ku kemi luajtur edhe tri orë të tjera, dhe ditën e tretë është mbyllur në një dy orësh. Ishte një mjeshtër i madh ndërkombëtar gjerman gjatë një kampionati në Francë.

Ju keni studiuar në Itali në Padova, sa aktiv keni qenë aty?

Individualisht kam përfaqësuar gjithmonë Shqipërinë. Nga ana tjetër kam pasur fatin, që ashtu si Erjon Bogdani luan futboll për ekipin e Kievos në Itali, edhe unë të përfaësoj ekipe të ndryshme të huaja, si në Itali ashtu dhe Austri. Madje kam fituar kampionatin italian me ekipin e Padovas, por dhe në Austri. Të përfaqësosh si huaj atë ekip dhe të fitosh kampionatin e atij vendi është një kënaqësi e madhe.

MJESHTRI PËR MJESHTRIN: “FATOS MUÇA NJË MËSUES I MADH”

Fatos Muça është një prej emrave të mëdhenj të shahut shqiptar. Erald Dervishi nuk ka luajtur ndonjë ndeshje kundër tij? “Jo. Fatos Muçon qysh në moshë të vogël e kam pasur trajnerin tim personal. Më ka mdihmuar jashtëzakonisht shumë në rritjen time dhe më ka ndjekur hap pas hapi. Ai e ka lënë sportin në vitin 1991 apo 1992, më pas punoi si trajneri im ekskluziv. Dua të them diçka shumë thelbësore. Me trajnerin një sportist luan shpesh, por asnjëherë seriozisht, duke e konsideruar atë si një kundërshtar të pastër, pasi është ai që të instrukton, drejton. Ti mëson prej tij, përgatitesh, nuk mund të ketë një ndeshje agoniste të vërtetë. Me Fatosin kam qenë i lidhur shumë ngushtë jo vetëm nga ana shahistike, por dhe njerëzore. Është një mik i madh i imi”, – thotë Erald Dervishi.

DERVISHI: “KU NDRYSHOJNË KARPOVIN ME KASPAROVIN”

Rusët Geri Kasparov dhe Anatoli Karpov janë dy prej shahistëve më të mëdhenj të botës, duke u shndërruar në legjendë për këtë sport për “gjeninë” që ata mbartin brenda tyre. “Kam pasur fatin të jem në turne ndërkombëtarë ku dhe ata kanë marrë pjesë, madje kam qenë edhe afër me ta në tavolinat ku kemi luajtur”, – thotë Erald Dervishi, shahisti më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. “Karpovi dhe Kasparovi janë tipa krejt të ndryshëm, kjo dhe dhe për shkak se kanë një diferencë prej 12 vjetësh në moshë midis tyre, të paktën këtë përshtypje më kanë lënë mua. Karpovi është aktualisht 58 vjeç, ndërkohë që Kasparovi, 46. Karpovi është shumë i qetë, i ftohtë i akullt, tepër i matur në karakter, tepër i urtë në sjellje. Kasparovi është një person krejt tjetër, tepër energjik, agresiv në lojë ashtu dhe në komunikimin e përditshëm, por dhe pak mendjemadh. Gjithsesi, ai ka arritur shumë në botën e shahut, duke qenë shahisti më i madh i të gjithë kohërave. Të dy kanë zhvilluar ndeshje shumë dramatike midis tyre, disa të azhurnuara edhe me ditë të tëra”.

***

ERALDI JASHTE SKAKIERES

ARMA MË E FORTË

Çdo sportist i madh ka armën e tij më të të fortë, që e dallon nga të tjerët dhe e shfrytëzon maksimalisht. “Arma ime me fortë është aftësia për të vlerësuar pozicionin. Kjo është shumë e rëndësishme në shahun modern, pasi bëhet fjalë për një numër jo të vogël lëvizjesh, madje deri të mati”, – zbulon armën e tij Dervishi.

PRIRJE MATEMATIKORE

“Nuk diskutohet që kam pasur prirje matematikore. Kjo më ka ndihmuar shumë. Matematika ishte lënda ime e preferuar. Kam fituar në Olimpiadat Matematikore që zhvilloheshin në Durrës, që nga klasa e katërt deri te ajo e tetë”, – thotë Eraldi.

PASIONET E FSHEHURA

“Sporti në tërësi më pëlqen. Jam munduar t’i praktikoj të gjitha sportet e mundshme. Kam luajtur futboll, volejboll, basketboll, tenis, badminton”, – rrëfen pasionet e tjera sportive Eraldi.

MIDIS SHAHISTIT DHE JURISTIT

“Për shkak të profesionit tim si jurist dhe punës administrative që bëj, jo gjithë kohës i kushtohem shahut. Megjithatë, jam në korent të informacioneve dhe azhurnimeve shahistike për të mbajtur vetne në formë, – thotë Eraldi, i cili aktualisht kryetar i Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

SPORTIST I “PËRKËDHELUR

“Me mundësitë që Shqipëria ka pasur kam qenë një sportist i trajtuar shumë mirë, – thotë Dervishi, – gati në përkëdhelje, kjo ndoshta dhe nga rezultatet e mia të larta. Shteti shqiptar, duke filluar që nga viti 1933 më ka mbështetur, sidomos kur dola kampion i Europës”

SHAHISTË “FULL-TIME”

“Në raport me trajtimin e shahistëve në vendet e tjera kuptohet që ka më shumë privilegje. Kanë më shumë sponsorë privatë. Një Mjeshtër i madh Ndërkombëtar është një sportist me kohë të plotë, apo full-time siç quhet. Jeton me sportin e tij dhe ta garantojë atë”, – thekson Dervishi.

MENDJA ËSHTË LINDORE

“Franca, Italia, Rusia, Spanja apo dhe Gjermania zhvillojnë aktivitetet më të mëdha ndërkombëtare, por shahistët më të mëdhenj vijnë nga vendet e Lindjes, sidomos nga ish-republikat e Bashkimit Sovjetik: Rusia, Armenia, Ukraiana, Kazaksitani”, – thotë Eraldi.

MIDIS MË TË MËDHENJVE
“Kam pasur fatin të takoj shumë nga emrat më të mëdhenj të shahut botëror, ku disa prej tyre i kam pasur dhe kundërshtarë direkt, si në Kampionate Botërore, Olimpiada apo turne ndërkombëtarë, – thotë Dervishi, pjesëmarrës i rregullt i eventeve të rëndësishme në botë.

I VETËM NË SHTËPI
Erald Dervishi ka dhe një vëlla tjetër. “Është më i madh se mua në moshë, e ka pëlqyer shahun si çdo njeri tjetër, është një amator i kësaj loje. Tani punon si mjek nuerokirurg. Gjithsesi, edhe me të kam luajtur shpesh edhe për kënaqësi të përbashkët”, – shton Eraldi.

KUNDËRSHTAR I KAMPIONËVE

“Jam ndeshur me disa kampionë bote. Njëri prej tyre është armeni Levion Aronian, një prej pesë sportistëve më të mirë në botë aktualisht. Më vjen keq që humba ndaj tij, pasi e nisa shumë mirë lojën. Një tjetër kampion është bullgari Veselin Topolov, ku ka ardhur edhe në Shqipëri në vitin 1991”, – thotë Eraldi.

SHPËRBLIM PËR FAMILJEN
“Me arritjet që kam realizuar besoj se ja kam shpërblyer familjes gjithçka, që ata kanë bërë për mua, madje duke sakrifikuar për mua. Ndihen mjaftueshëm të kënaqur me mua”, – thotë jo pa emocion


Botuar në gazeten “Albania”, 24 Nentor 2009

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…