Niko Profkola, gjithnjë me ne!

Basketbollisti Niko Profkola u bë i shenjtë në moralin dhe epërsinë shpirtërore të durrsakëve


Nga Bujar Qesja, Mjeshtër i Madh

Lapsi im gërrmon në histori dhe inshallah mbetet pjesë sado minimale e saj. Kjo mund të ndodh, duke kapur në rrjetën e mendimit, gjahun e fakteve e sjell rrëfimin real dhe me ngacmime shpirtërore. Me 23 shkurt 2024, ishte ditë morti. Niko Profkola kalorësi fluturues i koshit, u vendos në altarin e kujtesës. Është si të gjithë të tjerët në banesën e fundit, por jo si gjithë të tjerët në përmasat e kujtesës. Profkola mbiemër me ngarkesë të madhe emocionale, ku janë vendosur si në muzeum, dosjet e arta të basketbollit durrsak.


Në këmbë nga e majta: Zhani Zengo, Gjergj (Keno) Ikonomi, Niko Profkola, Luigj Kalebota, Vladimir Agaraj. Në gjunjë nga e majta: Fatos Bitincka dhe Andrea Andoni. Viti 1971.

U luftua shumë, u sulmua shumë, ia dëmtonin karierën, ia sfumonin të artin talent, por nuk ia dolën t’i ndalonin famën, raportin me njerëzit, të cilët nuk iu trëmbën politikës dhe i çmuan simbolit të tyre, fuqinë e artit mahnitës deri në mos-harresë. Shkruajta për Nikon. Lotova për Nikon, por mora shumë kurajo nga qendresa e tij, ku identiteti i fuqishëm i mjeshtërisë së tij të pakrahasueshme, i vendosi njerëzit në fronin e kënaqësisë absolute.

Profkola u bë i shenjtë në moralin dhe epërsinë shpirtërore të durrsakëve, teksa mbroheshin nga virtuoziteti dhe fenomeni i rrallë i basketbollit. Zor se mund t’i dalë Durrësit një fuqi e tillë sportive dhe zor se mund të çfaqet sërish një tifozëri e tillë e pashembullt durrsake, si ajo e viteve 70-të.

Niko Profkola me natyrën e pazakontë të basketbollit improvizues, herë lozonjar, e herë shpërthyes si llava e vullkanit, i dha histori ekipit të “Studentit”. Kur shkoi të studionte “Partizani”, “Tirana” dhe “Dinamo” vrapuan ta bënin pjesë të tyre. Dhe ku asnjëra prej tyre nuk mundi, “Studenti” shtriu modestisht “pronësinë”, ndaj harlemit durrsak me emrin emblematik Nikolla Profkola.

Rektori i Universitetit, njeriu madhështor Kahremn Ylli e trajtoi Profkolën si zëvëndës rektor. E mbajti afër, pasi fama që mund t’i jepte ekipit të “Studentit”, ishte vetë fama e Universitetit të Tiranës. Fillimi i viteve 70-të, lindi fuqinë e re të basketbollit, që ishte ekipi i Universitetit të Tiranës apo “Studenti”.

Niko Profkola padyshim ishte mbreti i këtij basketbolli, që do të mbretëronte duke mbajtur afër princa të tjera me fuqi talenti si durrsakët Vladimir Agaraj, Luigj Kalebota, Nysret Reka, Pavli Jorgoni dhe korçarët Zhano Zengo, Gjergj Ikonomi (Keno), Fatos Bitincka dhe Andrea Andoni.

Fotoja të cilën ia përcjellim opinionit dhe lexuesit, i fikson emrat e tyre dhe historinë që bënë, kur u kthyen në kushtrim dhe nxitje për mijrat e studentëve të Universitetit të Tiranës. Binomi Profkola –Studenti, kthehet në trinom me trajnerin, simpatikun, pedagogun e kulturës fizike në Faklultetin e Arteve Jorgji Baho, apo Xhoxhi Baho. Çfarë “Studenti” ishte ky!

Nuk është qëllimi të flas për rezultate teknike, se sa për famën që i krijoi ky trinom dhe e bëri me emër basketbollin e Universitetit të Tiranës. Basketbollistë të rinj, ëndërrimtar, të shkëlqyer në mësime, por pikë referimi për rininë studentore, bënë atë që “Studenti”, të kujtohet e të mbetet vitrinë tërheqëse e memories.


Të mëdhenjtë e basketbollit shqiptar, nga e majta Agim Fagu dhe Niko Profkola. Viti 2012.

Gërrmuam për jetën e Xhoxhi Bahos, këtij mjeshtëri të trajnimit, por shumë origjinal në drejtim.U ndesh me ekipet e Agim Fagut, Vaso Shakës, Nysret Rekës, Renato Radojës, Viktor Papavangjelit, vëllezërve Isak, Ferdinant Qiricit dhe nënshkruan faqet më të bukura, me fuqinë e artit të tyre të lojës zbavitëse dhe argëtuese për shikuesit. Dhe ky Xhoxhi Baho ishte nxitësi i kësaj loje, frmëzuesi dhe mbështetësi, duke u vendosur me autoritet në këtë histori dhe traditë të vyer.

Jorgji Baho është lindur në Tiranë me 18 shkurt 1940 dhe me shumë dhimbje mësova, që është ndarë nga jeta me 30 nëntor 2021 në Nju Jork, në vendin më demokrati në botë, në Amerikën e ëndërrave dhe mirqenies.


Trajneri i Studentit Xhoxhi Baho kur drejtonte “Studentin”dhe në muajt e fundit të jetës në Nju Jork.

Profkola-Studenti-Xhoxhi Baho, partiturat elektrizuese të basketbollit të Universitetit të Tiranës, që vazhdojnë edhe kësaj dite muzikën tërheqëse të intrepretuar me instrumentët e talentit të një brezi unikal.

E Profkola që është i tëri i yni, mbetet dirigjenti i orkestrës gjithnjë të artë të basketbollit. Janë ata, që përfaqësuan basketbollin e studentëve, zemrës së rinisë shqiptare.

Durrës: 27 shkurt 2024

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…