Edra Alibegaj, ikona e basketbollit të femrave

Edra Alibegaj është vlerësuar si basketbollistja më e mirë e të gjitha kohërave, 13 herë kampione, 8 herë fituese e Kupës së Shqipërisë si sportiste, madje edhe 1 kampionat e kupë të fituar në Maqedoni. “Mjeshtrja e Merituar e Sportit” konsiderohetr si “Agim Fagu” i femrave.


Nga Dash Frashëri

Edra Alibegaj, e vlerësuar si basketbollistja më e mirë e të gjitha kohërave, 13 herë kampione, 8 herë fituese e Kupës së Shqipërisë si sportiste, madje edhe 1 kampionat e kupë të fituar në Maqedoni, u nderua nga televizioni “Telesport” dhe gazeta “Sport Plus” me çmimin prestigjioz “Medalja e Meritës”, për rezultate të shkëlqyera në sport. “Mjeshtrja e Merituar e Sportit” Edra Alibegaj, e konsideruar si “Agim Fagu” i femrave u nderua nga vajza e pronarit të Argjendari “Pirro”, prodhues i medaljeve.

Familja e Edra Alibegajt është më origjinë nga Ulqini, nga më patriotiket në Malin e Zi. Gjyshi i saj, Hodo, u dënua në Malin e Zi me 15 vjet burg dhe më pas u vra nga policia sekrete serbe, UDB. Edhe babai i saj, Kadili vuajti jo pak. Për shkak të një kërkese të bërë në konsullatën jugosllave për t’u rikthyer në Ulqin për t’u marrë me çështjet e familjes, ai u internua regjimi komunist në Llakatund të Vlorës. Edra Alibegaj i dha fund basketbollit të luajtur në sezonin 1998-1999, pas kishte fituar 13 tituj kampionë, 23 vjet karrierë të jashtëzakonshme.

“Me një klas të padiskutueshme dhe me një lojë natyrale në basketbolli, nëse Alibegaj do të luante në një kampionat me të fort, si ai italian, rus, spanjoll, francez, etj., me siguri do të ishte një basketbolliste me famë botërore”, – shkruan gazetari dhe historiani sportiv italian, Xhovani Armilota. Përveç titujve sportivë, ajo është nderuar me “Nderi i Qytetit të Tiranës”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Naim Frashëri”, Klasi I, II, III.

18 VJEÇ “MJESHTËR SPORTI”

Edra u lind, më 20 janar 1961 dhe shtatë vjet më pas, e motra, Mirza, edhe ajo një basketbolliste e shquar. Pesë vjet pas kthimit në Tiranë (1968), kur Edra ishte vetëm 13 vjeçe ajo u dallua në Spartakiadën e Pionierëve të zhvillua në Durrës, ku koshi i saj i fundit i dha edhe fitoren 17 Nëntorit. Edra ishte atëherë krenaria e shkollës “Hasan Vogli” në kryeqytet. Talenti i jashtëzakonshëm i Edrës ra në sy menjëherë. Në sezonin 1974-1975 ajo fitoi titullin kampion me të Rejat dhe një edicion më pas, atë 1975-1976, fiton edhe titullin e parë të rëndësishëm: kampione kombëtare me Rriturat.

Ende një 18-vjeçare, për kontributin e saj në sport ajo merr titullin “Mjeshtër Sporti”: është një basketbolliste absolute në Shqipëri, fiton kampionate, kupa të Shqipërisë me 17 Nëntorin. Në vitin 1989 ajo u nderua me titullin “Mjeshtre e Merituar e Sportit”.

NDESHJET NDËRKOMBËTARE

Ndeshjen e parë ndërkombëtare, Edra Alibegaj, nuk e zhvillon në radhët e Tiranës, por të Flamurtarit. Në fakt, Shqipëria nuk mori pjesë me basketbollin e femrave në vitet 1959-1980 në Kupën e Kampioneve vitet këto të dominuara nga Tirana. Pikërisht, në sezonin 1980-1981 Flamurtari u bë skuadra e parë shqiptare që merr pjesë në kompeticionin më prestigjioz për klube.

Kundërshtari është një emër i madh në basketbollin europian: BSE Budapest, nënkampion i Europës për sezonin 1978-1979. Dy humbje, por një përvojë e madhe e fituar për vajzat e Flamurtarit, por edhe për vetë Edrën. Alibegaj ka luajtur ndeshjen e parë me 17 Nëntorin në Kupën e Kampioneve kundër kampiones së Bullgarisë, Levski i Sofjes.

Në 1993, Edra ishte shënuesja më e mirë në turin e parë të Ligës së Kampioneve kundër Universitatea Kluzhit, ndërkohë që edhe në 1994 ajo ishte shënuesja më e mirë kundër Levskit të Sofjes. Në Kupën Ronketi 1996-97 (ish-Kupa e Kupave) Alibegaj ishte shënuesja më e mirë kundër BSE EMA Budapest.

REKORDI ME 52 PIKË

Edra është pika e referimit në basketbollin modern shqiptar. Madje ajo mban edhe një rekord unik. Më, 14 mars 1982, gjatë ndeshjes 17 Nëntori-Partizani 102-94 ajo realizoi një kuotë rekord prej 52 pikësh, më shumë se gjysma e pikëve të realizuar nga pjesa tjetër e dy ekipeve. Dhe mendoni, atëherë nuk ishte ende në fuqi rregulli i tri pikëve. Në dhjetor të vitit 1982 ajo rezultoi si basketbollistja numër një e Shqipërisë, pas një votimi të organizuar nga gazeta “Bashkimi”.

NUMRI NJË NË BASKETBOLL

Në janar 1983 ajo hyn për herë të parë në anketën e famshme të gazetës “Sporti Popullor” si një nga “10 sportistët më të mirë të vitit 1982” së bashkuar me Fatos Muçon (shah), Niko Shtrepin (qitje), Agron Haxhihysenin (peshëngritje), Klodeta Gjinin (atletikë e lehtë), Mimoza Ibrahimi (volejboll), Diana Matën (qitje), Agim Tafilin (çiklizëm), Mimoza Riston (gjimnastikë) dhe Luan Vukatanën (futboll). Edra atëherë ende s’i kishte mbushur 22 vjeç. Ajo e fiton anketën edhe në vitet 1987 dhe 1992. Ishte e famshme në media, e adhuruar nga tifozët, e tejvlerësuar nga ekspertët e basketbollit. Nuk mungon edhe këngë për të e shkruara nga Fadil Kraja. Edra ka dhe luajtur edhe në Maqedoni, pikërisht në sezonin 1994-1995 në radhët e Studentit të Shkupit, të cilin e ndihmoi të fitojë titullin dhe Kupën e Maqedonisë.

KAMPIONE NË LOJËRAT MESDHETARE

Edra është kapitene e ekipit kombëtar shqiptare të drejtuar nga Bashkim Milo që fitoi “Medaljen e Arit” në Lojërat Mesdhetare “Latakia 1987” të zhvilluara në Siri. Kjo ishte hera e parë që Shqipëria merrte pjesë në Lojërat Mesdhetare. Gjithsesi, jo gjithçka nisi mbarë për Edrën. Ajo u përjashtuar për 48 orë nga lista e basketbollistëve që do të shkonin në Latakia “për shkak të biografisë së keqe”, por pas këmbënguljes së trajnerit Bashkim Milo, ajo u bë pjesë skuadrës që fitoi medaljet e arta në Siri, edhe pse ajo u nis e veçuar nga grupi në fluturimin fillestar.

Edra, jo vetëm ishte kapitene e ekipit kombëtar shqiptar, por ajo u shpall edhe si realizuesja më e mirë e kompeticionit, duke ndihmuar Shqipërinë të fitojë medaljen e artë. Shqipëria përbëhej nga: Pjereta Sadushi, Edra Alibegaj, Fiorentina Sulollari (Mitku), Afërdita Lacaj, Miranda Guxho, Nora Goxhi, Klodeta Dibra, Lumturi Hoxha, Xhiliola Abdullai. Trajner: Bashkim Milo. Rezultaret teknike: Shqipëri–Turqi 88-52, Shqipëri–Siri 90-46, Shqipëri-Liban 119-70. Alibegaj ishte kapitene edhe në Lojërat Mesdhetare të mbajtura në Athinë (korrik 1991).

KAMPIONATE BALLKANIKE

Edra është pjesë e Kombëtares edhe në Kampionatin Ballkanik, të zhvilluar në Jugosllavi (dhjetor 1988): Pjereta Sadushi, Edera Alibegaj, Afërdita Lacaj, Miranda Guxho (Cuka), Nora Goxhi, Klodeta Dibra, Henrieta Mema, Mirela Zekthi, Mirza Aibegaj, Elsa Goga, Valbona Brinja. Trajner: Bashkim Milo. Ndeshjet: Jugosllavi–Shqipëri 115-60, Bullgari–Shqipëri 97-52, Shqipëri–Greqi 71-70, Rumani–Shqipëri 102-86. Edra është e dyta për nga realizimi, me vetëm një pikë më pak se jugosllavia Nakiç.

KAMPIONATET EUROPIANE

Në turneun kualifikues për Kampionatin Evropian në Steyer, Austri, 10-14.05.1989, Shqipëria u prezantua edhe me dy motrat Alibegaj, Edrën dhe Mirzën. Ndeshjet: Shqipëri-Austri 85-84, Shqipëri-Portugali 98-91, Poloni–Shqipëri 102-78, Greqi-Shqipëri 88-73 dhe Turqi–Shqipëri 77-71. 126 pikë të realizuara nga Edra, 127 pikë nga portugezja Barata.

Në maj 1995, në grupin eliminator të Kampionatit Europian të zhvilluar në Netanja të Izralit, Edra ishte realizuesja më e mirë. Shqipëria: Edra Alibegaj, Klodeta Dibra, Elsa Goga, Shqiponja Tafa, Albana Koka, Alketa Semanjaku, Evira Xhyra, Brunilda Hyka, Margarita Verria, Migena Plasa, Abana Këndella, Enkela Aliko. Trajner: Bashkim Milo. Ndeshjet: Shqipëri-Austri 89-72, Bjellorusi-Shqipëri 102-78, Izrael-Shqipëri 100-58, Shqipëri–Zvicër 96-74, Shqipëri–Irlandë 93-71, Bullgari-Shqipëri 75-58, Greqi–Shqipëri 73-52. Edhe në Kampionatin Europian, Divizioni C, në Maltë (qershor 1996), Edra ishte realizuesja më e mirë, ndërsa Shqipëria doli e dyta. Kundërshtarë ishin Uellsi, Luksemburgu, Qipro dhe Islanda.

TRAJNERE

Edra Alibegaj, e diplomuar për ekonomi në vitin 1984, nuk e braktisi basketbollin. Ajo bëhet trajnere e Tiranës, duke fituar Superkupën në vitin 2003 dhe Kupën e Shqipërisë në vitin 2005. Ajo e drejtoi Tiranën mbi dhjetë vjet, por dha dorëheqjen në shkurt të vitit 2012. Edra ka qenë edhe zëvendëstrajner e ekipit kombëtar të femrave, si ndihmëse e Viron Toskës në Kupën e Promocionit 2008 në Luksemburg. Edra ka qenë edhe asistentja e trajnerit Petrit Stefa, në eliminatoret e Kampionatit Europian, Divizioni B. Edra është në panteonin e artë të Tiranës, përsa u përket basketbollistëve, përfshirë Myhyrie Verzivolli, Evgjeni Kote, Pavlina Llaci, Bukuroshe Shtiza, Valentina Myrto, Feti Borova, Skënder Peza, Vaso Shaka, Bujar Shehu dhe Kujtim Kasmi.


Botuar në gazetën “Sport Plus”, janar 2015

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…