Gjyzepina Thani, atletja e 32 rekordeve me 100 medalje në pajën e martesës

Gjyzepina Thani (1938-2007), fituese e 100 medaljeve të arta dhe realizuese e 32 rekordeve kombëtare në atletikë


Nga DASH FRASHËRI

Teksa tregonte për të motrën, Gjyzepina Thanin (1938-2007), fituese të 100 medaljeve të arta dhe realizuese të 32 rekordeve kombëtare në atletikë, “Artistes së Popullit” Tinka Kurti i njomeshin sytë nga lotët, por ajo i linte të rridhnin në atë ujëvarë kujtimesh të shtrenjta.

Në ato minuta rrëfimi prekës për “Sport Plus”, 82-vjeçares me pamjen e Mbretëreshës së Anglisë, çasti kur e kishte puthur për herë të parë në ballë të motrën e saj të vogël kur ajo u lind më 17 mars 1936, por edhe për herë të fundit, në atë puthje të përjetshme mbi arkivolin e së motrës, më 13 shkurt 2007 në varrezat e Shkodrës, amaneti i fundit i saj.

Pina ndërroi jetë në Gjenevë të Zvicrës, më 9 shkurt 2007, por trupi i saj mbërriti pas gjashtë ditësh në qytetin të cilin Tinka thotë: “Shkodra, asht e bukura e dheut”. “Mjeshtrja e Merituar e Sportit”, Gjyzepina Thani, apo Pina, siç e njohin të gjithë në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë, u nderua më 15 dhjetor 2014 nga televizioni “Telesport” dhe gazeta “Sport Plus” me çmimin prestigjioz “Medalja e meritës, për rezultate të shkëlqyera në sport”.

“E falënderoj shumë ‘Telesportin’ dhe ‘Sport Plusin’, për respektin që treguan për motrën time. Më dukej se e kishin harruar, edhe pse ajo ka qenë një ndër atletet më të mira për 15 vite me radhë (1951-1966). Ndihem njëlloj e gëzuar, sikur ta kishte marrë vetë Pina”, tregon Tinka, që nuk e fsheh mirënjohjen për medaljen e marrë në emër të së motrës, të ndarë nga jeta 7 vjet më parë nga një sëmundje e pashërueshme.

Pina Thani ka marrë titujt “Mjeshtre e Sporti”, “Mjeshtre e Merituar e Sportit”, “Artiste e Merituar”, “Sportistja më e mirë e Shekullit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”. “Në anketën e organizuar nga ‘Sporti Popullor’, për dhjetë vjet ajo ka qenë në 10 sportistët më të mirë të Shqipërisë, duke dalë herë e para apo e dyta”, – tregon artistja e madhe, Tinka Kurti.

Fillimet sportive të vajzës me kilota

Gjyzepina filloi të merrej me sport, qysh kur ajo ishte 11 vjeçe, në vitin 1947. “Ishte një vajzë e brishtë, shumë e paushqyer, por pasioni i saj ishte i jashtëzakonshëm. Në fakt, Shkodra kishte në atë kohë një grup vajzash të mrekullueshme ku spikaste si organizatore e mirënjohura Marie Rranxi, të cilën krijuan skuadrat e volejbollit, basketbollit, atletikës, e sporte të tjera. Për fat, vëllai ynë, Kolec Thani, ishte në Ansamblin e Ushtrisë dhe e tërhoqi Pinën. Nga një vajzë e dobët, ajo u bë një hyjneshë shtatlartë, një peri e vërtetë. Unë dukem si gjysma e saj”, thotë Tinka, “Mjeshtre e Madhe i Punës”.

Kampione absolute e pesëgarëshit

Kur tashmë ajo ishte “Mjeshtre Sporti”, në kampionatin e atletikës së lehtë në vitin 1956 ajo thyen tre rekorde kombëtare në garat e saj të preferuara: disk, gjyle, granatë. Pina mbante pesë rekorde dhe ishte mburrja e atletikës moderne shqiptare. Ajo është figura qendrore e atletikës dhe emri i saj ishte në bllokun e shënimeve të çdo gazetari sportiv.
“Ishte e padiskutueshme në pesëgarësh (pentalton): në shtizë, disk, gjyle, kërcim së larti, vrapim me pengesa. Ishte në luftë me veten e saj, thyente vazhdimisht rekordet. Për gjashtë apo shtatë vjet nuk iu thye rekordi i gjyles” – kujton Tinka për gazetën rezultatet e së motrës. Sporti matet me rezultatet, ashtu si për aktoren e madhe numërohen rolet në teatër e kinema.

Pina e rekordeve dhe medalje të arta

Në vitin 1951, në moshën 13-vjeçare, Pina theu rekordin kombëtar të mbajtur nga Maria Rranxi në kërcim së larti me 1.31m. Rekordet në këtë disiplinë thyheshin njëri pas tjetrit, duke e çuar pas gjashtë vjetësh në 1.40m, 9cm më shumë. Një arritje e madhe për kohën. “Ishte e padiskutueshme në hedhjen e gjyles, – tregon Tinka për “Sport Plus”.
Pina thyen rekorde në hedhjen e gjyles, diskut, granatës, por edhe të shtizës. Rekordet në këto disiplina mbanin emrin e bukuroshes së re shkodrane, një prej femrave që veshën për herë të parë kilotat në Shkodrën herë konservatore dhe herë tradicionale. Në një periudhë 15-vjeçare, Gjyzepina Thani vendosi 32 rekorde: 4 në hedhjen e granatës; 3 në kërcim së larti; 6 në pesëgarësh, 2 në 80m me pengesa, 7 në hedhje disku dhe 10 në hedhje gjyle.

Shkrimtarja shkodrane, Zenepe Dibra, në librin e saj voluminoz “Bijat e Rozafës, gra të shquara të hapësirës shkodrane”, shkruan: “Në një manifestim të 1 Majit, në parakalimin tradicional ku të gjithë sportistët mbanin në gjokset e tyre 3-4 ose 5 medalje, Pinës iu desh të vishte një xhakovento të madhe ku disa dhjetëra medalje i vareshin në krahë, shpinë e gjoks”. Komentatori dhe historiani i njohur sportiv, Ismet Bellova, e vlerëson kështu: “Pina ishte një sportiste e madhe e viteve 1951-1966, e paarritshme që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit shqiptar”.

Trajneri sovjetik: E bëj kampione bote!

Pina mori pjesë në edhe në turne ndërkombëtarë, edhe pse në shumë prej tyre e përjashtonin padrejtësisht: Bukuresht 1957 (hedhje disku dhe gjyle); Sofje 1958; në turneun me atletë armenë të ish-Bashkimit Sovjetik; në Europianin e Budapestit 1966. Rezultatet e saj në spartakiadën e Budapestit tërhoqën vëmendjen e trajnerit të atletikës së Bashkimit Sovjetik: “Nëse do ta kem në skuadër, për dy vjet e nxjerr kampione bote”.

Pina është një sportiste e gjithanshme. Ajo shkëlqen edhe në basketboll dhe volejboll Me një përgatitje fizike të jashtëzakonshme ajo shndërrohet në një prej shutereve më të frikshme të Vllaznisë. “Dy volejbolliste si Pina të kisha, do të fitoja Kampionatin Botëror”, citohet në atë libër trajneri ekipit kombëtar, Kreshnik Tartari.

Sënduku me medalje në pajën e martesës

“Kur u martua me Petraq Dhamon, muzikantin e talentuar nga Durrësi, nëna i dha Pinës në pajë edhe një sënduk me medaljet e diplomat e fituara prej saj. Ishin të dashuruar çmendurisht, pavarësisht rrjedhës që mori martesa e tyre me prishjen e saj, për shkak të moskuptimit të profilit të angazhimeve të tyre dhe kohës që ata kishin në dispozicion të njëri-tjetrit”, tregon Tinka.

Vuajtjet nga padrejtësitë e regjimit

Gjithsesi, jeta e Gjyzepina Thanit, atletes së 32 rekordeve, 100 medaljeve dhe 300 diplomave midis tre vendeve të para, nuk ishte dhe aq e lehtë. Ajo që kishte sfiduar mentalitetin shkodran, duke qenë ndër të parat që kishte veshur kilotat, që u bë femra e parë që merrte pjesë në garat me motoçikletë, do të vuante nga qëndrimet e ashpra të regjimit të kaluar.

“Ishte e bija e një nëne joshqiptare dhe e një babai me “biografi të dyshimtë që në vitet e monarkisë. E hoqën si mësuese në Durrës, për të bërë një punë të rëndomtë në Uzinën Elektro-Mekanike. I vëllai, Antoni, i cili e kishte shoqëruar thuajse në çdo garë në Shqipëri dhe kishte regjistruar çdo rekord të saj, e bindi sekretarin e parë të Komitetit të Partisë (PPSH-së) të Durrësit, për ta rikthyer në punë si mësuese, por Pinën e larguan sërish pa asnjë motiv.

Pikërisht, atë që, siç thotë Tinka për gazetën “kishte një zemër të madhe, i falte dikujt edhe bluzën e saj po t’i thoshte që ajo ishte e bukur; apo i jepte për të ngrënë kujtdo që i trokiste në derën e shtëpisë së saj”.

Ndarja nga jeta dhe amaneti i saj

Pina emigroi fillimisht në Trieste të Italisë, më pas në Serbi, për t’u vendosur përfundimisht në Zvicër, por për fat të keq u sëmur nga kanceri. Pina Thani vdiq në pavijonin onkologjik në një spital të Bernës më 9 shkurt 2007. Kishte emigruar aty nga Italia qysh në valën e parë të eksodit të madh.

“Mjeshtrja e Merituar e Sportit” kishte pranë ca kosovarë, emigrantë po ashtu që i ndenjën në agoni tek koka shqiptares dhe iu gjendën Marinës, të bijës, e migruar në Greqi. Pasi doli nga koma kërkoi me këmbëngulje të varrosej në vendlindje. Pinës iu ndodhën pranë kosovarët, ata që janë vetë emigrantë në atë vend, e sollën falas deri në Prishtinë, më 14 shkurt. “I falënderoj më gjithë shpirt kosovarët, për nderin që më bënë”. 12 ditë më pas, vdiq edhe ish-bashkëshorti i saj, Petraq Dhamo.

———–
Këngëtarja Jolanda Dhamo: Nënë e rrallë

Pina pati dy vajza nga martesa me muzikantin Petraq Dhamo: Marinën (e cila jeton në Shtetet e Bashkuara) dhe këngëtaren e njohur Jolanda Dhamo. “Ishte një nënë e sakrificave të jashtëzakonshme, një grua me zemër të madhe, një zonjë e vërtetë, që dinte të falte dashuri për këdo që ia kërkonte.
Jam shumë krenare për nënën time, jo vetëm për atë që ka dhënë për sportin, por për edukatën që na ka dhënë në vajzave të saj. E kujtoj në çdo çast të jetës sime, e kam pikë referimi”, – tha Jolanda për “Sport Plus”, e cila thotë se ka trashëguar cilësitë e nënës së saj.

***

Familja e titujve, katër fëmijë të dekoruar

Familja Thani ishte dhe mbetet një ndër më të respektuarat në Shqipëri. Dedë Kol Thani ishte nip i Mehmet Shpendit të famshëm nga zona e Nikaj Mërturit. Kishte studiuar në Akademinë Ushtarake në Grac të Austrisë dhe në kohën e Mbretërisë shërbente si oficer i Pallatit Mbretëror.

Deda ishte një nacionalist dhe mbështetës i hapur i Fan Nolit, por mbas rrëzimit të Nolit nga pushteti, Mbreti Zog e dënoi me vdekje atë. U arratis në Cetinjë të Malit të Zi, dhe më pas shkoi në Sarajevë ku u njoh me Elizabetën, një vajzë shumë të bukur hungareze, të cilën më vonë në Shqipëri do ta thërrisnin Saveta. Në përpjekje për të ndihmuar realisht lëvizjen për bashkimin e shqiptarëve të Kosovës e Malit të Zi, arrestohet e dënohet nga serbët me 25 vjet burg, të cilat i kreu në një nga burgjet më të tmerrshme të ish – Jugosllavisë, në burgun famëkeq të Goljotokut. Pas kryerjes së dënimit, kthehet në Shqipëri.

Në vitin 1972 u nda nga jeta dhe u varros në Shkodër, me gjithë nderimet e duhura, për kontributet në interes të çështjes kombëtare. Tre vjet më vonë, më 1975 mbylli sytë përgjithmonë edhe nëna, Elisabeta, hungarezja e bukur që lidhi përjetësisht jetën me ushtarakun e hijshëm shqiptar. “Ne kishim një nënë të huaj, jabanxheshë (hungarezen Elisaveta), ndërsa babai ishte i burgosur në Jugosllavi.

Ishim në një gjendje shumë, shumë të keqe ekonomike, por nëna na rriti me një dashuri e kujdesshëm të jashtëzakonshëm.

Familja Thani është një familje e rrallë, pasi katër fëmijët e Dedë Kolë Thanit dhe hungarezes Elisaveta: Tinka, Koleci, Antoni dhe Pina, që të gjithë me nderuar me tituj dhe dekorata.

Tinka mori titullin “Artiste e Popullit” si aktore; Kolec Thani titullin “Mjeshtër i Merituar” si balerin i Ansamblit, i cili më pas ka hapur shkollën artistike të Tiranës dhe të Shkodrës; Xhuzepina Thani “Mjeshtre e Merituar e Sportit” si atlete; ndërsa Anton Thani, mësues i gjuhës dhe letërsisë si edhe i historisë dhe gjeografisë , “Mësues i Merituar”. “Këtë nder ia kemi ditur vetëm nënës sonë, Elisabetës, edhe sigurisht shtetit që na ka nderuar”.

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…