Safet Berisha, “15-katëshi” i Partizanit dhe i Kombëtares që sfidoi Mylerin dhe Rumenigen

Safet Berisha mbetet një nga legjendat e futbollit shqiptar të viteve 1970-1985, një qendërmbrojtës emblemë i Partizanit dhe i Kombëtares.


Nga Dash Frashëri

Safet Berisha, mbetet një nga legjendat e futbollit shqiptar të viteve 1970-1985, një qendërmbrojtës emblemë i Partizanit dhe i Kombëtares. Ai ka fituar tre kampionate me Partizanin, katër kupa dhe një titull Kampioni Ballkanik (1970). Safet Berisha jetoi në Itali nga viti 1992 (ku ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare, më 19 tetor 2016).

FILLIMET SPORTIVE NË SPARTAKIADËN E PIONERËVE

“Jeta ime futbollistike daton nga viti 1965 deri në vitin 1983, pra në një periudhë 15-vjeçare në ekipin e parë të Lokomotivës, Partizanit, Shpresave dhe Kombëtares. Kam pasur fatin të luaj me brezin e vjetër të Partizanit, të gjeneratës sime, por dhe atyre pasues, si Perlat Musta, Ilir Lame, Mustafa Fagu, Arjan Ahmetaj, e shumë të tjerë. E kam filluar futbollin në vitin 1963 me ekipet e pionierëve të Durrësit, në Spartakiadën e Pionierëve, një aktivitet që bëhej në plazhin e Durrësit. Kam marrë pjesë në dy spartakiada: 1963 dhe 1964. Ekipi më i fortë ishte ai i Pallatit të Pionierëve të Tiranës, në të cilin bënin pjesë Ed Dilaveri, Agim Janku, Ramadan Shehu dhe shumë djem të tjerë. Ishim fëmijë të talentuar. Arrita direkt në ekipin e Lokomotivës së Durrësit, me të cilin luajta dy sezone”, tha Berisha.

LORO BORIÇI E MORI TE LOKOMOTIVA E DURRËSIT

“Në atë periudhë luanin me Lokomotivën emra të tillë si Nazmi Maxhuni, Abdulla Duma, Teli Ciko, etj. Ishte shumë e vështirë të hyje në ekipin e parë të Lokomotivës, pasi luante një brez shumë i mirë. Kam punuar shumë, por për fatin e mirë në Durrës erdhi trajner, mjeshtri i paharrueshëm Loro Boriçi. Ai drejtonte ekipi, por ndërkohë shihte te ekipi i të rinjve. Një ndër lojtarët që, Loro pikasi isha dhe unë. Atëherë isha një djalë i dobët, i gjatë, nuk kisha njohuri nga futbolli cilësor. Në kampionatin e vitit 1965-1966, unë isha lojtar i të rinjve. Ekipi i parë i Lokomotivës luajti në Korçë dhe qendërmbrojtësi Petraq Ikonomi u dëmtua dhe ai ngeli në Korçë. Ndeshja e radhës ishte ajo kundër Vllaznisë në Durrës. Unë luaja me të rinjtë, por Loro më mori në ekipin e parë, kur isha vetëm 17 vjeç. Isha një nga të rinjtë e ekipit që hyja në ekipin e parë. Sigurisht, nuk mund ta harroj kurrë. Ishte ndeshja e parë. Nga ana tjetër, te Vllaznia luante Sahah Bizi, edhe ai atëherë 17 vjeç. Ishte një brez të rinjsh, të talentuar, si Pëllumb Shaqiri dhe Arben Çela te 17 Nëntorit. Zhvillova një ndeshje shumë të mirë me Vllazninë, dhe nga ai moment derisa ika ushtar, unë kam qenë titullar i skuadrës së Lokomotivës për tre kampionate rresht”.

USHTARI FUTBOLLIST I PARTIZANIT DHE I SHPRESAVE

“Në vitin 1968 u thirra në shërbimin ushtarak dhe më çuan te Partizani. Nuk u bëra dot menjëherë pjesë e skuadrës, pasi atëherë kishte një ekip shumë të konsoliduar dhe në qendër të mbrojtjes ishte Spiro Gjika. Më dërguan në Fier, për të fituar edhe eksperiencë. Shkova ushtar në Fier, ku mora pjesë në Kupën “Apolonia”, tepër e famshme dhe e ndezur, midis Fierit, Lushnjës, Beratit dhe Vlorës. Ishte një minikampionat i vogël. E fituam Kupën “Apolonia”, ku madje unë shënova dhe dy gola. Direkt pas atyre ndeshjeve më thirrën në ekipin Shpresa në grumbullimin që u krye në Korçë. Luajtëm kundër Rumanisë në Sibiu në vitin 1969, ku zhvilluam edhe Kampionati Ballkanik të Shpresave. Menjëherë pas kthimit, nuk shkova as në Fier dhe as në Durrës, por te Partizani. Filloi një jetë tjetër për mua. Trajner në atë kohë erdhi Loro Boriçi, teksa erdhën edhe Astrit Ziu, Bujar Cani, Sabah Bizi, Torez Çiraku, Luke Shaqiri dhe mbi të gjitha Panajot, Pano, një legjëndë që nuk do të harrohet kurrë. Punova shumë fort. Ishte një gjë e madhe që, të futej një nga rrethet, por me ndihmën e shokëve, predispozicionin e trajnerit Boriçi dhe punën time, unë luajta në formacionin titullar deri në vitin 1983 kur lashë futbollin. Kam mësuar shumë nga mjeshtrit si Panajot Pano, Lin Shllaku, etj. Ka pasur një futboll të bukur, pasi dhe konkurrenca ishte e fortë midis Partizanit, Dinamos, Tiranës, Flamurtarit, Vllaznisë, etj. Luanim një futboll për spektatorët”.

NDESHJA MË EMOCIONUESE NË 30 VJET FUTBOLL

“Janë shumë, dhe nga ndeshja ime e fundit ka kaluar jo pak, por 30 vjet. Ajo që unë dua të veçoj është fitimi i Kupës së Ballkanit në vitin 1970. Një sukses i jashtëzakonshëm dhe i bukur. Ndeshjet kundër Dinamos dhe Tiranës kishin rivalitet të veçantë. Në ato ndeshje, asnjëri nga ne nuk kishte nevojë për motivimin e trajnerit, pasi të gjithë donin të jepnin maksimumin dhe ta fitonin sfidën. Dua të veçoj edhe fitimin e titullit kampion në sezonin 1978-1979, një kampionat i vendosur në Berat në një ndeshje me Tomorin. Nëse ne do të barazonim ne do ta humbitnim kampionatin. Për fatin tonë të keq, Tomori shënoi i pari dhe ne e fituam ndeshjen në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes”.

RIVALITETI MIDIS PARTIZANIT DHE DINAMOS

“Ishte i jashtëzakonshëm dhe me shumë adrenalinë. Ishin ndeshje shumë të mirëpritura, të zhvilluar në një stadium të mbushur plot e përplot, madje disa orë përpara. Mund të them se, nuk gjenin dot bileta, madhe unë si lojtar merrja tre bileta dhe s’dija kujt t’ia jepja më parë.

DHJETË VJET FITUES I ANKETËS “11 SPORTISTËT MË TË MIRË”

“Përvoja për një futbollist është shumë e rëndësishme. Ma kishte bërë shumë të thjeshtë Loroja detyrën, pasi merrje detyra konkrete. Gjithashtu, kam pasur fatin të kem mbrojtës shumë të mirë: Bujar Canin luante përpara meje; Astrit Ziu luante në të majtë, ndërsa Mihal Gjika në të djathtë, mbrojtës shumë të mirë. Isha shumë i ngrohtë nga krahët, e duke qenë kompakt dhe gabonim më pak. Unë shumë i qetë dhe bëja ndërhyrje të sakta. Kam qenë shumë i përgatitur fizikisht. Në dhjetë vitet e fundit të karrierës sime kam fituar anketën e “11 sportistëve më të mirë” të Shqipërisë, që votohej nga trajnerët, ndërsa në vitin 1978 mora titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. I ndaj me të gjithë këto vlerësime. Kam mësuar nga Lin Shllaku, ashtu siç unë kam mësuar të tjerë. Perlat Mustën e kam rritur. Erdhi fëmijë dhe u bë portier i Kombëtares.

NDESHJET NDËRKOMBËTARE ME PARTIZANIN DHE KOMBËTAREN

“Kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira me Sëlltikun e Gllazgout, Austrinë e Vjenës, Advitabergun e Suedisë. Dua ta pranojmë realitetin tonë në Europë, pasi kundërshtarët tanë ishin emra të mëdhenj, megjithatë kemi bërë ndeshje shumë të bukura. Nëse një lojtar europian bënte ndeshje ndërkombëtare, me ne që bënim dy në vit. E rëndësishme është që, në ndeshjet e Partizanit nuk jemi diskretituar. Janë zhvilluar në një “Qemal Stafa” të tejmbushur. Nuk kishte vend. Me Kombëtaren jam grumbulluar në vitin 1970 dhe e lashë atë vitin 1982. Jam aktivizuar në mbi 90 për qind të ndeshjeve që, jam grumbulluar duke numëruar 20 takime. Ndeshja e parë ishte ajo kundër Turqisë, në Stamboll për eliminatoret e Kampionatit Europian (13 dhjetor 1970), kur kam qenë 21 vjeç. Ekipin e lashë në moshën 32 vjeç.

(Safet Berisha, duke folur për mua dhe gazetën “Telegraf”, më 22 Qershor 2013, tre vjet para se Safet Berisha të ndërronte jetë)

 

“ME PARTIZANIN KEMI BËRË HISTORI”

Safet Berisha ka qenë një mbrojtës shtatlartë dhe tepër i fuqishëm, teksa i është dashur të përballojë disa nga sulmuesit më të mirë të vendit. “Ekipe si Tirana, Dinamo dhe Vllaznia kanë pasur mesfushorë dhe sulmues shumë të mirë. Lojtarë të tillë si Medin Zhega i Vllaznisë dhe i Dinamos, Ilir Përnaska i Dinamos, Petrit Dibra i Tiranës, Sefedin Braho i Luftëtarit, por dhe mesfushorë sulmues dhe të kundondodhur si Torez Çiraku, Iljaz Çeço, Vasillaq Zëri. Torez Çiraku ka qenë një lojtar që, për 90 minuta ishte i papërmbajtshëm dhe i kudondodhur. Nuk e di se çfarë motori kishte në zemër, pasi e shihje të dylt në të gjitha cepat e fushës”, – tha Berisha, duke theksuar se ishte një brez shumë i mirë i vitlindjeve 1947, 1948, 1949, 1950.

Megjithatë, Partizani kishte një rreshtim shumë të mirë në mbrojtje. Loro ndërtoi një perde shumë të hekurt, pasi thoshte gjithmonë se një mbrojtje e mirë është dhe një sulm i mirë. Po të kesh një portier dhe një mbrojtje të mirë, dhe të mos pësoje gol, me me Panajot Panon përpara do ta nxirrnim një gol. Shumë ndeshje i kemi fituar 1-0, pavarësisht se kemi luajtur shumë mirë në mesfushë. Ne kishim Lin Shllakun dhe Sabah Bizin në mesfushë, pra kishim një bazë të shëndoshë. E them me keqardhje që, sot nuk shohim futbollistë të atij kalibri, pavarësisht se lojtarët e sotëm zhvillojnë shumë ndeshje, madje disa miqësore ndërkombëtare.

Të bësh një kampionat në Itali dhe të luash me Kombëtaren është një gjë normale, pasi të kanë ikur emocionet. Personalisht, përgatitesha shumë seriozisht, pasi të dielën do të përballesha në fushën e lojës me emra të tillë si Dibra, Përnaska, Ballgjini, Rragami. Që të luftoje në ajër me Medin Zhegën duhet të ishte i përgatitur, përndryshe do të ishe i mbaruar”. Berisha ka fituar tre kampionate me Partizanin, katër kupa dhe një titull Kampioni Ballkanik.

“KUR MBULOJA MYLERIN DHE RUMENIGEN”

Safet Berisha ka zhvilluar 20 ndeshje me Kombëtaren, në një hark prej 12 vitesh. Takimi i parë i tij ishte ai me Turqinë, të humbur 2-1 në Stamboll (13 dhjetor 1970) për eliminatoret e Kampionatit Europian 1972, ndërsa ai i fundit është me Republikën Federale Gjermane, më 18 nëntor 1981, të humbur thellësisht 8-0 në Dortmund (trajneri ynë ishte Loro Boriçi).

“Një nga ndeshjet e mia më të mira ka qenë ajo kundër Gjermanisë Perëndimore në Karlsruhe, të humbur 2-0, por kemi luajtur kundër Bekenbauerit, Grabovksit, Hejnknesi, Vogsti,Netxeri, Mylerit, Overatit, me shokë. Kam marrë një karton të verdhë, për një ndërhyrje ndaj Grabovskit, pasi ishte një lojtar shumë i shpejtë.

Gazetat gjermane shkruanin të nesërmen, gjatë një fotoje: ‘Ndërhyrje brutale e shqiptarit Berisha’, por futbolli i ka këto.
Ne humbëm 2-0 me një ekip që doli kampione e botës në vitin 1974 dhe kampione e Europës në vitin 1972. Është kënaqësi e madhe të luaje kundër tyre dhe të dilnim me atë rezultat. Në ndeshjen e Tiranës, ne humbëm 1-0 me Gjermaninë.

Në fakt, unë nuk luajta në atë takim edhe pse isha një orë para fillimit në formacion. Trajneri Loro Boriçi e ndryshoi planin pasi ra shi dhe në vendin tim luajti Perikli Dhalesi dhe e bëri shumë mirë detyrën. Humbëm 1-0 me golin e Gerd Mylerit, pasi gabimit të vetëm të Bujar Canit. Shqipëria pas një ndeshje të madhe. Me Karl-Heinc Rumenigen kam pasur duele të forta direkte. Ishte shumë e vështirë ta mbaje atë lloj sulmuesi. Në atë ndeshje të humbur 2-1, te ekipi gjerman luante edhe Brigeli, që më vonë u trajneri i Shqipërisë, apo dhe Litbarski”.

Ndeshjet e tjera janë Shqipëri-Turqi 3-0 (1971), Finlandë-Shqipëri 1-0 (1972), Rumani-Shqipëri 2-0 (1972), RDGJ-Shqipëri 2-0 (1973), Shqipëri-Rumani 1-4 (1973), Shqipëri-Finlandë 1-0 (1973), Shqipëri-RDGj 1-4 (1973), Shqipëri-Kinë 1-1 (1973, miqësore), Shqipëri-Algjeri 3-0 (1976, miqësore), Shqipëri-Finlandë 1-0 (1980), Bullgari-Shqipëri 2-1 (1980), Austri-Shqipëri 5-0 (1980), Shqipëri-Austri 0-1 (1980), Shqipëri-RFGJ 0-2 (1981), Finlandë-Shqipëri 2-1 (1981), Shqipëri-Bullgari 0-2 (1981). “Ndeshja më e dobët e Kombëtares, për aq kohë sa luajta unë ishte ajo në Gjermani, kur humbëm 8-0 në Dortmund, por ndaj yjeve të tillë si Magat, Brajtner, Rumenige, Dremler, Rumenige, Litbarski, Fisher, Kaltc. Skuadra gjermane ishte në formë të shkëlqyer, por ne luajtëm shumë keq. Hymë me shumë frikë dhe luajtëm shumë keq. Kjo është e vetmja që kemi luajtur keq”.

15-KATSHI, OSE HOTEL “BERISHA”

Safet Berisha ka qenë ndër futbollistët më shtatlartë në Shqipëri. Kur u ndërtua në Tiranë, hotel “Tirana International”, ndërtesa e vetme asokohe me 15 kate dhe më e lartë në Shqipëri, hoteli mori nofkën “Hotel Berisha” . “Shkodranët janë autorët e kësaj nofke, si bejtexhinj të famshëm që janë. Ma vendosën gjatë një ndeshje në Kupën e Republikës midis Vllaznisë dhe Partizanit. Në ndeshjen Vllaznia-Partizani shënova një gol me kokë pasi kërceva me kokë. Kur u bë ndeshje e kthimit, ma vunë nofkën. Në fakt, më erdhi mirë, pasi ishte më tepër me humor. Në fakt, unë kisha luajtur me Vllazninë gjatë një ndeshje ndërkombëtare me Austrinë e Vjenës, ku fituam 2-0 dhe unë isha një nga lojtarët e mirë të atij takimi”.

I KAM RESPEKTUAR TRAJNERËT

Mbrojtësi i shquar ka pasur disa trajnerë gjatë karrierës së gjaë të tij me Partizanin dhe ekipin Kombëtar. “Me të gjithë kam shkuar shumë mirë, i kam respektuar duke filluar nga Loro Boriçi, Bejkush Birçe te Partizani, apo Sabri Peqini, Kolec Kraja, Ilia Shuke apo dhe Myslim Alla, i cili ishte i Tiranës, por në Kombëtare më fuste mua”.

MIK ME DINAMOVITË E BARDHEBLU

“Edhe pse kam luajtur me Partizanin, shumë nga shokët e mi më të ngushtë kanë qenë dhe janë nga ekipet e Dinamos apo Tiranës. Në fushë unë jepja maksimumin për Partizanin, por jashtë saj asgjë s’më pengonte të bëja dhe të kisha shoqëri me kundërshtarët. Ky ka qenë mentaliteti i kohës sonë, dhe unë nuk mund të bëja përjashtim. Kundërshtarë dhe miq të mirë. Kjo ka qenë motoja në fushë dhe jashtë saj”, – veçon ish-mbrojtësi i shquar.

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…