Perikli Kristidhi, legjenda e peshëngritjes cërrikase që theu rekordin e mitit Ymer Pampuri

Peshëngritësi i talentuar dhe trajneri i mrekullueshëm Perikli Kristidhi, ka hyrë tashmë në fondin e njerëzve që bënë histori në këtë disiplinë sportive në rang kombëtar


 Nga Hyqmet Zane

 Nderimi për njerëzit e sportit, shpesh bëhet me një nostalgji të madhe, për vetë kujtimet që lënë gjurmë në mendjet e çdo pjesëmarrësi në të. Por kur flitet për një trajner, ky mendim bëhet më i fuqishëm, aq më tepër kur një ish sportist, i rikthehet një kohe që ka mbartur me vete edhe suksesin, po aq sa edhe dhembjen, edhe të bukurën, po aq sa edhe frikën dhe trishtimin për momente të vështira në jetën sportive. Dhe kur vjen fjala për të nderuar një ish trajner, edhe me bindje të plotë se janë në një mendje me mua edhe shumë e shumë të tjerë, se peshëngritësi i talentuar dhe trajneri i mrekullueshëm Perikli Kristidhi, ka hyrë tashmë në fondin e njerëzve që bënë histori në këtë disiplinë sportive në rang kombëtar.

Gjithkush mund të thotë se cili ishte ky Perikli, që nuk e kemi dëgjuar, se vërtet nuk i është bërë publicitet, se diçka në “biografi” a ndonjë cen biografik, për shkak të luftës së klasave, ishte kthyer në një barrierë për ta mbajtur Perikli Kristidhin të rrethuar nga errësira e kohës me emrin “diktaturë”. Me krenarinë e një sportisti të këtij sporti, këtu e 40 vjet më parë them se Perikli Kristidhi, është ai peshëngritës që u përball me të madhin Ymer Pampuri në fund të viteve ‘60 dhe ia theu rekordin në atë kohë.

1971, Perikliu, demonstron stilin shkëputje

 

Për “Mjeshtrin e Merituar të Sportit” Ymer Pampuri, për këtë peshëngritës nga më të suksesshmit për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ishte e pabesueshme që një tjetër ngritës peshash nga provinca e Cërrikt, t’i barazonte dhe t’ia thyente rekordin në stilin e shtytjes. Pikërisht ky ka qenë ai moment që e mbushi me krenari po aq sa iu kthye në bumerang ai sukses i paparë në mes të Tiranës. Më kujtohet se vetë Perikliu, trajneri im i dashur dhe i paharruar, sepse mortja e mori para kohe më 1997, nuk fliste për këtë sukses, se ai ishte modest, ishte njeri që dinte edhe ta ruante vetveten nga euforia.

Ndaj dua të them se Perikli Kristidhi, trajneri i respektuar i sportit të ngritjes së peshave, ky bir i një familje të thjeshtë nga një fshat i Përmetit, që jetoi dhe punoi në qytetin e Cërrikut, ishte një mjeshtër në fakt. Ai ishte një mjeshtër i punës si elektricist me njohuri inxhinierike, ishte një pasionant i kulturës sepse lexonte shumë, ishte një sportist i talentuar po aq sa edhe një trajner i sukseshëm dhe një bashkëshort i mirë i një gruaje që në atë kohë ishte edhe përgjegjësja e bibliotekës së qytetit. Por mbi të gjitha ai ishte edhe një edukator shumë i mirë që me këmbëngulje dhe me një profesionalizëm prej dhuntisë që mbarte ai, i dha vetes një emër të nderuar jo vetëm në Cërrik por edhe në Elbasan dhe njëherazi edhe në Shqipëri.

Kam bindje e plotë se të tille e kujtojnë atë mjeshtri i ngritjes së peshave Vehap Xhindoli, e kujtojnë bashkëkohësit si Ymer Pampuri dhe Faruk Kalleshi, Asim Belinova dhe Bujar Bodinaku, sepse Perua, siç e thërrisnin të gjithë, i dha vetes një emër me sportin e tij që ai e adhuronte shumë.

I lindur në Përmet në vitin 1941 ky bir i familjes Kristidhi me gjashtë vëllezër dhe dy motra, ndoqi studimet në politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë në degën radioteknikë. Më pas do të punonte në uzinën e naftës që nga themeliomi e deri në vitin 1991. Më pas emigron për arsye familjare në Greqi, ku edhe vdiq papritur në Selanik, më 10 tetor 1997.

Perua kishte një trup të imët që po ta shihje të veshur të jepte përshtypjen e një njeriu të dobët, por brenda trupit të tij kisdhte vetëm muskuj dhe ato i jepnin një hijeshi të madhe trupit të tij. I biri i tij, Olti, por edhe Arti shprehën se pjesëmarrjen në sportin e ngritjes së peshave e nisi krejt rastësisht, sepse ishte shëndetlig dhe, për t’i shërbyer shëndetit. ai u mor me ngritje peshe që më pas iu kthye në një pasion për tërë jetën.

Ne djemtë e brezit të fillimviteve ‘70, e shikonim Perikliun me një ndjesi zilie dhe kërshërie, kur ai i vetëm në Cërrik ngrinte pesha. Ai kishte një vullnet të çeliktë për të arritur të pamundurën, ndaj dhe shumë shpejt fitoi admirimin e të rinjve të qytetit të Cërrikut, këtij qyteti që ka nxjerrë jo pak njerëz të shquar në fusha të ndryshme, po ashtu si edhe në sport.

1971, Ekipi i ngitjes së peshave, me Perikli Kristidhi

 

Ky pasion dhe ky vullnet i Perikliut e shyu atë që në vitin 1970 të mblidhte rreth vetes një grup djemsh të vitit të parë dhe vitit të katërt të shkollës së mesme “Tomorr Sinani” dhe t’i stërviste ata për të formuar kështu një ekip në pesha të ndryshme si një ansambël i kompletuar me një dirigjent të mrekullueshëm. Në Cërrik nuk kishte sport tjetër veç futbollit, ndaj dhe ngritja e peshave u kthye shumë shpejt në një sport tërheqës për faktin se të tilla qenë sukseset e këtij ekipi. Në atë kohë ngritja e peshave, si një sport individual, kishte disa figura të respektuara që i dhanë emër këtij sporti edhe në botë, por për herë të parë në Shqipëri në vitin 1971, më 16-17 maj të atij viti u organizua në Tiranë kampionati i parë i ngritjes së peshve me pjesëmarrjen e shumë ekipeve si Dinamo, Partizani, 17 Nëntori, Vllaznia, Flamurtari, Labinoti, Skënderbeu, Teuta, Studenti e ndonjë tjetër. Ishte shumë e rëndësishme pjesëmarrja në këtë kampionat të parë. Por për mua, shkruesin e këtyre radhëve, si një peshëngritës i ri dhe për ekipin e Cërrikut që u bë baza me 70 për qind të pjesëmarrjes të ekipit të Labinotit, ishte një eveniment shumë i madh dhe një surprizë për atë kampionat.

Ne djemtë e Perikliut. bashkë me pjesëmarrjen e disa djemve ngritës peshash të Vehap Xhindolit në Elbasan, (para pak ditësh u shpall “Qytetar Nderi në Elbasan”) që gjithashtu vinte nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist, të dy këta sportistë-trajnerë u bëmë modeli i ekipeve pjesëmarrëse, sepse ishim jo vetëm të kompletuar, por sepse në këtë kampionat, me meritë, zumë vendin e dytë, vetëm me një pikë pas Partizanit, sepse, kuptohet, Kupa e parë e një kampionati të parë të të rinjve në ngritjepeshe nuk duhet të ikte nga Tirana. U gjet një marifet. Nuk i dhanë vëndin e parë një sportisti të Elbasanit, Teki Ibrahimit, vetëm e vetëm që ne të zinim vendin e dytë. Gjithsesi ky ishte një sukses i madh më shumë për ne djemtë e Perikli Kristidhit.

1972, Cerrik, Hyqmeti demonstron ngritjen e peshave

 

Dua të kujtoj ato muaj të parë të stërvitjes sonë në një ambient të vogël, në ish trgun e qytetit, me nga një palë tuta të përdorura, por me një pasion shumë të madh nisëm rrugën e një sporti krenar, dinjitoz, vërtet sport i forcës, por që ne sportistët e rinj u bëmë shembulli i djmëve cërrikas për shkak edhe të faktit se të gjithë ne, si Shkëlqim Sako, Agron Shuku, Abaz Hima, Hyqmet Zane, Luan Malo, Vladimir Tërnova, Todi Leka, Sabaudin Fatkoja, Kujtim Senko, Gugash Shabani, u quajtëm me emrin “Djemtë e Perikliut”. Ishim kudo bashkë , në shkollë nxënës të mirë, në stërvitje shembullorë, në jetë të sjellshëm, kështu fituam autoritetin e një qyteti. Merita e të gjithë këtij mozaiku ishte Perikliu, ky njeri i dashur me një logjikë të thjeshtë dhe perfekte që mundohej të ishtë i pagabueshëm me ne, me një kulturë enciklopedike që na edukoi dhunti, virtyte, dhe na dha cilësi që do të na shoqëronin gjithë jetën. Perikliu studionte literaturë ruse dhe bullgare për sportin e ngritjes së peshave dhe këtë na e implementoi edhe neve pasi vetë ai kishte qenë pjesmarrës në disa spartakiada të ushtrisë ku kishte rënë në sy talenti dhe rendimenti i tij.

1971, Cerrik, Perikliu demonstron stilin shtytje

 

Ishte një kohë, kur forca fizike diktonte edhe në personalitetit e një njeriu. Kjo e vuri vetë Perikliun përballë emrave të mëdhenj të njohur dhe këtë gjë na e infiltroi edhe neve në shpirt për t’u bërë sportistë të mëdhenj po aq sa edhe nxënës të mirë të shkollës. Politika e luftës së klasave që ushtroi diktatura komuniste e spostoi Peron, por nuk kishte se si të spostonte nga ai vullnetin e çeliktë dhe këmbënguljen e fuqishme për të bërë diçka të madhe, të ngrinte një ekip, gjë e cila i dha atij autoritet, e bëri të nderuar, fitoi admirimin e të rinjve cërrikas dhe e përkushtoi në rrugën e vlerave që i duhen edukuar një brezi të asaj moshe.

Të kujtosh sot pas kaq shumë vjetësh një ngritës peshash, një trajner dhe një njeri të nderuar nuk është thjeshtë një privilegj. Kjo është ajo mbjellje e farës së mirë që hodhën Perikli Kristidhi dhe Vehap Xhindoli në Cërrik dhe në Elbasan duke bërë që breza të tërë sportistësh në peshëngritje cerrikas dhe elbasanas të marrin famë, të bëhen kampionë bote, të gjenerojnë breza peshëngritësish me disa ekipe si ajo e vëllezërve Pulaku dhe Ilir Çelës, e Nard Toskës në Shtërmen dhe e të tjerëve.

1996, Selanik, Familja Kristidhi, Perikliu & Bashkëshortja Nexhi me dy djemtë, Olti & Arti

 

Sukseset që i dha në emër Perikli Kristidhi dhe Vehap Xhindili janë sot kujtime të gjalla të një brezi që nuk harron, por sendërton kronologjinë e një kohe që, edhe pse në errësirën e diktaturës, spikati djem që e dashuronin sportin dhe i dhanë atij plot shkëlqime. Kësaj plejade i dedikohet emri dhe puna që bëri edhe Perikli Kristidhi, trajneri ynë i dashur, ky njeri i mrekullueshëm dhe virtuoz, ky edukator i mirë dhe modest që i dha Cërrikut një emër në një sport.

Ndoshta një ditë, këshilli bashkiak i Cerrikut, do ta shpallë Perikli Kristidhin “Qytetar Nderi” të Cerrikut, të qytetit që ai i dha emrin e mirë.

 

 

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…