Mikel Alliu, boksieri nga Bulqiza që ëndërron të bëhet kampion bote!

Mikel Alliu, djaloshi nga Bulqiza, ka regjistruar suksese të rëndësishme në ringun profesionist të boks.


Nga Adriatik Balla, Gazeta “Sot

Shqiptarët kanë shkëlqyer në sportet e rënda dhe dëshmi e këtij suksesi janë trofetë dhe titujt e shumtë të sportistëve tanë në ring, duke përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë ose dhe vendet ku jetojnë në Europë. Në këtë grup të madh të sportistëve elitarë, bëjnë pjesë edhe vëllezërit Keta, që më 14 gusht do të zhvillojnë në kalanë e Bashtovës një eveniment madhështor boksi e kikboksi, me emërtimin mjaft domethënës “Duel në Themel”, me pjesëmarrje të emrave të mëdhenj të këtij sporti në rang kontinental. Në ring do të ngjiten disa pre kampionëve të kësaj dinastie. Pjesë e Keta Team në Gjermani, është dhe Mikel Alliu, djaloshi nga Bulqiza që ka regjistruar suksese të rëndësishme në ringun profesionist. Madje Mikeli ka një karrierë të spikatur deri tani, me 29 fitore, një barazim e 2 humbje. Kundërshtari i tij pritet të caktohet së shpejti, por ndërkohë përgatitjet e Mikelit do të vazhdojnë deri në ditën e ndeshjes. Gazeta “SOT”, sjell në këtë intervistë djaloshin e artë të ringut profesionist, i cili rrëfen momente nga karriera e tij dhe ambiciet e së ardhmes.

***

– Si ka ndodhur lidhja juaj me boksin, çfarë u bë sebep?

– Ka qenë pasioni që në fëmijëri, natyrisht, për të qenë pjesë e sporteve luftarake dhe mbi të gjitha për të ndjekur rrugën e trajnerit tim, Jonny Ismail Keta. Sigurisht, shtytësit kryesorë kanë qenë familjarët e mi. Ka qenë një zgjedhje që i përshtatej karakterit tim dhe me ambicie për të korrur sukses.

– Sa e vështirë është të ushtrosh boksin?

– E vështirë është por kur çdo gjë e bën me pasion dhe përkushtim dhe me shumë punë, çdo gjë duket e lehtë. Është normale që fati zë pjesën e vet në këtë udhëtim, por puna është kryesorja në rritjen dhe objektivat e një boksieri.

– Ju keni zhvilluar shumë ndeshje si profesionist, mbi 30, shumicën me fitore dërrmuese. Kë cilësoni si suksesin tuaj më të madh deri tani?

– Padyshim që është ndeshja e vitit 2018, e zhvilluar në Dibër të Madhe. Ishte ndeshje e vështirë, ndaj një rivali shumë të fortë dhe që në fund arrita të fitoj. Ka qenë një nga ndeshjet më cilësore dhe më emocionuese që unë kam zhvilluar.

– Po ndeshja që ju ka lënë më shumë mbresa?

– I kthehem po asaj mbrëmjeje të vitit 2018 në Dibër të Madhe, në atë eveniment madhështor, me një prani shumë të zjarrtë tifozësh në sallë dhe një publiku që nuk krahasohet. Unë e cilësova si ndeshjen time më të suksesshme por ajo është njëherësh edhe ndeshja që më la më shumë mbresa. Mbrëmja e boksit në Dibër të Madhe ka qenë një emocion i madh jo vetëm për mua, por për të gjithë të pranishmit në pallatin e sportit, duke bërë një jehonë të pazakontë.

– Së afërmi, në kuadër të aktivitetit “Duel në Themel”, ju do të zbrisni në ring. Çfarë presim nga dueli i 14 gushtit në Bashtovë?

– Unë po përgatitem maksimalisht për të qenë në formë dhe me pretendime. Natyrisht, presim një ndeshje mbresëlënëse dhe një fitore me knock out.

– Cili do të jetë rivali i radhës?

– Nuk është vendosur akoma, jemi në pritje, por kushdo të jetë mua do të më gjejë të përgatitur dhe të vendosur për të fituar. Besoj se brenda pak ditësh do të bëhet i ditur edhe emri i rivalit.

– Cila është marrëdhënia juaj me Shqipërinë dhe tifozët shqiptarë?

– Shqipërinë e dua shumë, normalisht, ndërsa me tifozët mundohem të jem në kontakt të përditshëm në palestër kur stërvitem, por edhe gjatë aktiviteteve të tjera gjatë ditës, u jam shumë mirënjohës për mbështetjen. Natyrisht, ata janë pikë e fortë e suksesit tim dhe fatmirësisht më kanë ndjekur e mbështetur në çdo ndeshje.

– Cili është objektivi madhor në karrierën tuaj profesioniste, apo ëndrra juaj në këtë sport?

– Si çdo sportist, normalisht dëshira është që të arrij majat më të larta të sportit, të shpallem kampion bote. Kjo nuk është e lehtë të arrihet, por në fund të fundit ëndrra e çdo sportisti është të arrijë në këtë nivel dhe shpresoj t’ia dal.

– Çfarë ke menduar të bësh pasi të tërhiqesh nga boksi?

– Pasi të tërhiqem nga boksi aktiv nuk besoj se do të rri larg sportit, sepse dëshirën më të madhe e kam të merrem sërish me sport, por si trajner. Kjo në fakt është e padiskutueshme, pasi trajningun unë e ushtroj që tani si profesion. Pra edhe pasi të tërhiqem nga boksi aktiv mbetem prapë i lidhur me ringun dhe sportin në tërësi.

– Cilin boksier do të donit të kishit përballë në momentin më të mirë të karrierës suaj?

– Mund të ketë shumë emra, sigurisht, por boksieri që unë do të doja ta kisha përballë në rangun botëror është Genardi Glovkin, aktualisht numri 2 në botë në peshën time trupore.

– A keni ndonjë idhull në këtë sport, ndonjë figurë që ju frymëzon?

– Idhulli im është ai që ka një vend special në historinë e boksit dhe bëhet fjalë për legjendën Muhamed Ali. Por edhe Majk Tajson është një shembull i sportistit shumë të fortë.

– Cila është familja juaj?

– Familja ime përbëhet nga prindërit, dy motrat, nipi dhe mbesa, të cilët i dua pa masë.

– Së fundmi, çfarë tjetër pëlqen të bësh jashtë ringut?

– Jashtë ringut më pëlqen shumë vrapi në natyrë edhe mundohem të dal sa më shpesh. Përpiqem ta plotësoj kohën sa mundem, por primare mbetet stërvitja, sidomos kur jemi në prag të ndeshjeve të boksit.


CV e Mikel Alliut

Datëlindja: 03 Tetor 1994
Vendlindja: Bulqizë
Vendbanimi: Tiranë
Shtatlartësia: 184 cm
Pesha trupore: 75kg
Klubi: Keta Team
Trajneri: Ismail Keta
Versioni i federatës ku garon: WBC
Bilanci i karrierës si profesionist: 32 ndeshje, nga të cilat 29 fitore, 2 humbje, 1 barazim

/Marrë nga Gazeta “Sot” /

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…