Neptun Bajko: Aleksandër Meksi, kryeministri i futbollit

Ish-trajneri i Kombëtares: “Alekesandër Meksi tregoi një interesim të posaçëm për Përfaqësuesen”


Nga Dash Frashëri

Ish-trajneri i njohur i Partizanit dhe i Kombëtares, Neptun Bajko, i pari që fitoi një ndeshje në transfertë me Përfaqësuesen, atë me 3-2 Moldavinë në Kishinau (7 qershor 1995), për eliminatoret e Euro 1996, tha se, fitorja 1-0 Shqipërisë në Norvegji, për eliminatoret e Botërorit “Brazil 2014” ishte shumë e rëndësishme. Bajko tha për gazetën “Telegraf” se, ish-kryeministri Aleksandër Meksi (1992-1997), do të mbahet mend si një nga kryeministrat më dashamirës ndaj ekipit Kombëtar.

Si lojtar i Partizanit, Bajko ka fituar titullin kampion në sezon 1970-1971, me trajner Loro Boriçin. Për t’u mbajtur mend është goli i tij kundër Torinos, në Kupën e Kupave. Si trajner i të kuqve e ka fituar atë në sezonin 1986-1987. Bajko e ka drejtuar Kombëtaren në fushatën eliminatore të Euro 1996 (10 ndeshje) dhe në kualifikueset e Botërorit 1998 (3 ndeshje).

E drejtoi Shqipërinë në 13 ndeshje zyrtare, duke pasur regjistruar 2 fitore, 3 barazime dhe 8 humbje. Ai humbi dy herë 2-1 me Gjermaninë, ndërkohë që barazoi 1-1 me Bullgarinë, në atë kohë vendi i katërt në botë. Bajko ka zhvilluar 15 ndeshje në total me Kombëtaren, përfshirë dhe dy miqësore me Bosnjën. Ai e mori detyrën nga Bejkush Birçe dhe ia pasoi Astrit Hafizit. Bajko vlerësohet si një nga njohësit më të mirë të futbollit në Shqipëri.

***

– Zoti Bajko, fitorja e parë e Shqipërisë në transfertë, për eliminatoret e një Europiani apo Botërori është ajo 3-2 kundër Moldavisë, më 7 qershor 1995, kur ju ishit trajner i Kombëtares. Si e kujtoni?

– Ishte një fitore shumë e bukur, e arritur me një gol të realizuar nga Rudi Vata, pas ekzekutimit të një goditje nga këndi. Golin e parë të ndeshjes e shënoi Sokol Kushta (8’), më pas moldavët na shënuan dy gola, por Arjan Bellai (25’) barazoi rezultatin në 2-2 dhe Rudi Vata realizoi golin e fitores 3-2 (71’).

– Barazimi 1-1 i Shqipërisë me Bullgarinë, më 6 shtator 1995, bëri shumë bujë jo vetëm në mediat shqiptare dhe ato bullgare, por dhe në ato ndërkombëtare. Cilat ishin arsyet?

– Ishte një barazim ndaj një Bullgarie që vinte në Tiranë, me rezultate shumë pozitive, për më tepër që ajo në Kampionati Botëror “SHBA 1994”, kishte dalë e katërta në botë dhe në gjirin e saj kishte thuajse të gjitha brezin më të mirë futbollistik të saj, përfshirë Stojçkovin, i cili në kulmin e tij, Balakovin, Penevin, Cvetanovin, etj. Stojçkovi shënoi golin për Bullgarinë, (8’), ndërsa për Shqipërinë barazoi shumë shpejt Altin Rraklli (16’). Luajtëm ndaj tyre në mënyrë të shkëlqyer, sidomos taktikisht. Loja jonë me Bullgarinë bëri shumë bujë në atë kohë. Ishte një ndeshje e zhvilluar në një atmosferë të jashtëzakonshme në “Qemal Stafa’. Rekord spektatorësh, si me Bullgarinë ashtu dhe me Gjermaninë.

– Dy humbje 2-1 me Gjermaninë, si në Tiranë ashtu dhe në Kaizersalutern…

– Kundër Gjermanisë motivohesh në mënyrë të natyrshme. Nëse ruhet ndonjë memorie karakteristike në futbollin tonë, janë ato me Gjermaninë, të cilat gjithmonë i kemi nxjerrë të mira dhe shumë të mira, pasi vetë futbolli gjerman i mobilizonte dhe u jepte atë dëshirë dhe pasion lojtarëve për ta nxjerrë mirë ndeshjen. Në këtë aspekt, trajneri e kiishte shumë më të thjeshtë detyrën. Ishin dy ndeshje kundër Gjermanisë së drejtuar nga Berti Fogst, me emra të tillë si Klinsman, Mateus, Kristen, Bertold, Rojter, Këpke, etj. Golin për ne, në Tiranë e shënoi Zmijani, ndërsa në Kaizersalutern, Rraklli.

– Ju keni pasur disa emra të njohur të futbollit shqiptar…

– Kam pasur një brez të shkëlqyer lojtarësh. Ndoshta më të mirët e viteve 1985-1995. Dua të kujtoj kapitenin Sulejman Demolarrin, që bëri jo vetëm emër me Dinamon tonë, por dhe me Dinamon e Bukureshtit. Një lojtar i jashtëzakonshëm. Një emblemë e vërtetë Emra të tjerë të rëndësishëm ishin Bledar Kola, Artur Lekbello, Rudi Vata, Lefter Millo, Sokol Kushta, Foto Strakosha, Altin Rraklli, Arjan Xhumba, Arjan Bellai, Kliton Bozgo, Eduard Abazi, etj..

-Lefter Millo u nda nga jeta në mënyrë tragjike, në një aksident automobilistik në Larisa të Greqisë, në vitin 1997, kur ai ishte vetëm 30 vjeç. Si e mbani mend atë si lojtar?

– Mesfushor i jashtëzakonshëm, tepër i fuqishëm. Zor se i vjen Shqipërisë një mesfushor i atillë. Një motor i vërtetë, shumë energjik, djalë me vullnet dhe i shkëlqyer. Me një konstrukt të jashtëzakonshëm dhe që e donte shumë futbollin. Në Greqi, ai plotësoi atë pjesë të ëndrrës së tij, që nuk arriti ta bënte dot në Shqipëri. Ai u bë një nga lojtarët më të mirë dhe më popullorë në Greqi. La gjurmë te Larisa dhe Iraklisi i Selanikut.

– Bajko, në kohën që ishit ju trajner i Kombëtare, pra në vitet 1994-1996, Kryeministri Aleksandër Meksi u tregua shumë i afërt me ekipin. Si e kujtoni?

– Me ish-Kryeministrin Aleksandër Meksi kam pasur marrëdhënie shumë të mira. Ka qenë i vetmi Kryeministër që, e ndihmonte futbollin dhe nuk ndërhynte. E donte shumë. Ai na krijoi kushte të shkëlqyera për kohën. Për herë të parë, ekipi Përfaqësues, e quaj kështu se atëherë ne kishim në skuadër vetëm lojtarë shqiptarë, dhe jo si tani që ka dhe kosovarë, Përfaqësuesja jonë mori një dietë prej 70 dollarësh në ditë, me ndërhyrjen direkte të Kryeministrit Meksi. Ai krijoi një fond të veçantë. Ai ishte një tifoz i çmendur i Partizanit, nëse mund të shprehem kështu. Ishte një njeri i thjeshtë, dhe i tillë mbeti dhe kur u bë Kryeministër. Ai ishte shtetari që, e kuptoi rëndësinë e sportit.

 

DETAJE

Goli kundër Torinos

Neptun Bajko i ka shënuar një gol Torinos së famshme, kur Partizani u ndesh me skuadrën e Italiane për Kupën e Fituesve të Kupave në sezonin 1968-1969. Partizani fitoi 1-0 me Torinon në Tiranë, me golin e Pëllumb Shaqirit, ndërkohë që humbi 3-1 në Torino. Pikërisht, në ndeshjen e dytë shënoi Bajko (85’).

Ndeshja kundër Benfikës

Neptun Bajko ishte trajneri i Partizanit, kundër Benfikës së Portugalisë për Ligën e Kampionëve (1987-1988), në një prej ndeshjeve më të përfolura. Të kuqtë humbën 4-0, por gjyqtari spanjoll Hoze Donato Pes Perez e ndëshkoi Partizanin, me katër kartonë të kuq, përfshirë dhe portierin Perlat Musta.

NDESHJET ZYRTARE TË BAJKOS ME KOMBËTAREN

Eliminatoret EURO 1996

Uells-Shqipëri 2-0
Shqipëri-Gjermani 1-2
Shqipëri-Gjeorgji 0-1
Gjermani-Shqipëri 2-1
Shqipëri-Moldavi 3-0
Gjeorgji-Shqipëri 2-0
Moldavi-Shqipëri 2-3
Shqipëri-Bullgari 1-1
Bullgari-Shqipëri 3-0
Shqipëri-Uells 1-1
Bilanci: 10 ndeshje, 2 fitore, 2 barazime, 6 humbje

Eliminatoret Botërori 1998

Shqipëri-Portugali 0-3
Shqipëri-Armeni 1-1
Irlandë-Shqipëri 2-0
Bilanci: 3 ndeshje, 0 fitore, 1 barazime, 2 humbje

Në total
Bilanci: 13 ndeshje, 2 fitore, 3 barazime, 8 humbje


Meksi: Ja si e zgjidha ngërçin me FIFA-n

Ish-kryeministri i Partisë Demokratike ishte i pari që tregoi një interesim të veçantë për ekipin Kombëtar të Futbollit, në kohën kur përfaqësuesja drejtohej nga Neptun Bajko. Falë efikasitetit dhe gatishmërisë së Meksit, i cili e kuptoi menjëherë ngërçin, Shqipërisë iu hoq në një afat shumë të shkurtër pezullimi i përkohshëm nga FIFA në vitin 1996, për shkak të mospërputhjes të disa rregullimeve ligjore.

Ish-trajneri Neptun Bajko është shprehur në media, para disa vitesh, se ishte kryeministri Aleksandër Meksi, ai që e shpëtoi futbollin shqiptar. Kur situata u përsërit në vitin 2008, prodhoi jo pak tensione nga moszgjidhja e shpejtë dhe për të interferimit politik, siç e përcaktoi atëherë FIFA dhe UEFA, pezullimin dymujor (mars-maj 2008).

Ja si e tregon Meksi për gazetën “Telegraf” (1 nëntor 2011), sesi e zgjidhi ngërçin e atëhershëm, pas shkarkimit të ish-sekretarit të FSHF-së, Eduard Dervishi:

“Federatat tona kanë rregulla që lidhen me federatat ndërkombëtare. Je i detyruar ti respektosh. Ashtu si kundër që nëse do të hysh në Europë, duhet të respektosh rregullat e tyre. Kur nuk respekton ligjet e Europës, do të thotë që nuk dëshiron të hysh në Europë. Ne deshëm që futbolli të ecte përpara. Atëherë ne duhet të riparonim ligjet dhe u detyrova të ndërhyja unë. Ata që e kishin për detyrë, nuk po e kryenin këtë detyrë si duhet për të qenë brenda kërkesave që kërkonin ligjet”.

Fakti që, ai konsiderohet si Kryeministri i Kombëtares, Meksi e lidh me kujdesin e veçantë:

“Sigurisht, bëmë maksimumin që ne mund të bënim në atë kohë, si në trajtimin financiar. Në atë kohë kur unë isha kryeministër ishin kohë të vështira, por ne e pajisëm me stola, me karrige, ulëse, apo ndenjëse, vendosëm ndriçimin dhe kishim planin për të bërë dhe rikonstruksionin e stadiumit, zmadhimin e tij.

Sot është harruar se çfarë kohësh të vështira ishin atëherë. Më duhej të përkushtohesha me problemet e bukës dhe energjisë elektrike, thuajse çdo mëngjes. Por, i ndihmuam me dhënien e pasaportave dhe kalimin pa vizë. Mund të përmend rastet e Demollarit, Millos së ndjerë, Kaçajt, që i morën këto favore. Pasaporta morën edhe trajnerët. Të mbash flamurin shqiptar dhe të mos kesh një pasaportë të privilegjuar është absurde. Tani nuk ka nevojë më për viza, thuajse në të gjithë Europën. Vazhdoj të kem miqësi me shumë me disa lojtarë”.


/Intervista është botuar në gazetën “Telegraf”, më 1 prill 2013/

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…