Faik Bajrami, gjyqtari që ngriti Flamurin Kuq e Zi në Roterdam

Faik Bajrami ka gjykuar gjithsej 222 ndeshje, 209 të kampionatit shqiptar dhe 13 ndeshje ndërkombëtare për Kupat e Europës dhe Ballkanit dhe eleminatoret për Europanin dhe Botërorin


Nga Moisi Dalipi

Sa herë vjen 28 nëntori, ish -gjyqtari ndërkombëtar i futbollit Faik Bajrami, kryen një ritual ndryshe nga të tjerët. Që në orët e para të mëgjesit, i veshur bukur si për një ditë feste, si një vlonjat që ndihet shumë krenar, shkon tek sheshi Flamurit. Qëndron në heshtje, nderon patriotët dhe ata që rrethojnë Ismail Qemalin tek monumenti Pavarësisë dhe me sytë e përlotur tret vështrimin e tij tek Flamuri Kombëtar. Diçka kërkon të thotë, por kujtimet, mosha dhe nostalgjia bëjnë të tyren…. Gjithsesi, dhe kjo pauzë dhe kjo heshtje flet dhe e vlerëson shumë këtë njeri të nderuar. Edhe në Vlorë dhe në opinionin tonë sportive, Faik Bajrami njihet si një nga gjyqtarët e parë të futbollit me titullin e lartë ndërkombëtar, përsëri atë me Flamurin tonë kombëtar e lidh një histori shumë e veçantë dhe shumë sinjifikative që pak kush do ta bënte po të ishte në vendin e tij. Por Faik Bajrami e kreu dhe e bëri me dije dhe trimëri, si vlonjat që ka lindur dhe është rritur në qytetin e Flamurit, si një shqiptar patriot, pa menduar se një ditë atë ngjarje që e ka ruajtur për shumë se 49- vjet pa e bërë atë shumë publike, dikush do ta hidhte në rradhët e gazetës. Dhe ajo që mund ta quajnë sot si një “histori e veçantë” ka ndodhur më 21 shkurt viti 1971, në stadiumin e Roterdamit në Hollandë në ndeshjen kualifikuese për evropianin midis Hollandës dhe Luksenburgut. Disa ditë më parë se të zhvillohej kjo ndeshje nga UEFA kishte ardhur në zyrat e FSHF kërkesa zyrtare se ndeshja Hollandë –Luksenburg, i ishte besuar si gjyqtar kryesor, gjyqtarit shqiptar me stemën e FIFA –së, Faik Bajramit. Ai e kishte fituar këtë besim nga “shtëpia” e futbollit evropian pasi kishte kaluar me sukses prenzencën e tij në disa ndeshje të Kupave të Evropës. Dhe ndihmës të tij në këtë ndeshje edhe pse e vlerësuar jo si shumë e fortë, u caktuan Sami Kotherja dhe Haxhi Pëllumbi. Treshja e “togave të zeza” shqiptare pas një udhëtimi të gjatë Tiranë –Podgoricë –Paris -Amsterdam, një ditë përpara ndeshjes mbrijnë në qytetin -port të Roterdamit, ku do të zhvillohej ndeshja Hollandë –Luksenburg.


Në mbrëmje të tre gjyqtarët shqiptarë të futbollit bëjnë vizitën e parë zyrtare në stadiumin ku do zhvillohej ndeshja. Si rregull ka qenë që në stadium, krahas flamujëve të vendeve që përfaqësojnë të dy skuadrat, të ishte dhe flamuri i vendit të atdheut të gjyqtarit. Në fakt, ky flamur mungonte. Faik Bajrami iu kërkon organizatorëve që ta kryenin këtë punë deri në nesërmen pak orë përpara se të fillonte ndeshja, ndryshe nuk do merrte përsipër të gjykonte këtë ndeshje të nivelit ndërkombëtar. Drejtuesit e fedaratës hollandeze me në krye presidentin e tyre Klans, filluan menjëherë të viheshin në lëvizje. Ata pasi siguruan dhe maketin e Flamurtarit tonë Kombëtar nga gjyqtari shqiptar Faik Bajrami, dizenjuan flamurin dhe e vendosën atë në vendin e duhur, në podin e caktuar.

“ Kur u organizua ceremonia e fillimit të ndeshjes, vështrimi im dhe dy shokëve të mi ishte përqëndruar vetëm aty, tek Flamuri Kombëtar” – kujton Faik Bajrami. Një fakt i tillë flet shumë, jo vetëm për kryerjen e detyrës siç duhej (sepse Holanda e Krujfit fitoi 6-0), por edhe për atë që antarët e federatës të futbollit hollandez si dhe drejtuesit e UEFA –së në ato vite, e kanë cilësuar këtë veprim si një shembull i të qenit gjyqtar i nivelit botëror. Dhe shtypi sportiv hollandez do të shkuante: “Maestro Bajrami vendos në punë federatën hollandeze të futbollit për të bërë mirë detyrat e shtëpisë.” Edhe pse mosha e Faik Bajramit po i drejtohet të 86- vjetëve, ai konstruktin fizik e ka pak të ngacmuar nga vitet, ndërsa flokët e kanë tradhtuar, duke iu dorëzuar viteve të veteranit të futbollit. Gjithsesi, të gjitha këto detaje nuk e pengojnë atë të thërrasë kujtesën për vitet e tij si sportist, si trajner, por për më tepër si një gjyqtar futbolli i drejtë e i zellshëm, siç e njeh i gjithë opinioni ynë sportiv. Dhe që në fillim të bisedës, ai hap gardërobën personale ku na prezanton me uniformën e gjyqtarit. Resmia, e shoqja, me merakun e zonjës së shtëpisë i ka vendosur me kujdes xhaketën e zezë, pantallonat, getat dhe këpucët.

Është kjo uniforma e gjyqtarit e përdoruar në ato vite nga Faik Bajrami, që i hap udhë bisedës për karrierën e tij sportive. Në vitet 1951 deri në vitin 1957, Faik Bajrami është pjesë e skuadrave vlonjate të futbollit “Spartak” e “Puna” të Vlorës, që në ato vite zëvendësonin përkohësisht emrin e ‘Flamurtarit’. Ai luante në rolin e sulmuesit të djathtë. Në moshën 22-vjeçare pëson një dëmtim, duke mos u aktivizuar më tej, por nuk ndahet nga futbolli, sepse merr detyrën e trajnerit të moshave. Shumë futbollistë vlonjatë të viteve 1960, fillimet në futboll i kanë me trajner Faik Bajramin. Pak vite më vonë, atë e shohim si trajner i ekipit të futbollit “Adriatiku” të fshatit Nartë, duke e ngjitur atë në vitin 1970 deri në Kategorinë e Dytë të kampionatit shqiptar.

Edhe sot, të gjithë në Nartë e ruajnë respektin për kontributin e tij në ato vite, për përkushtimin e treguar, duke e ngritur futbollin e këtij fshati me tradita sportive në nivele të tilla. Edhe pse ka shumë vite që jeton me nostalgjinë e vërshëllimës së një gjyqtari të nivelit të lartë, Faik Bajrami nuk e pranon se nuk jeton më me këtë detyrë. Ai lexon rregullisht shtypin sportiv dhe ndjek nga ekrani ndeshjet e futbollit. Ndihet keq dhe nervozohet kur shikon që për gjykimet pa nivel dhe të njëanshme, të përmendet shpesh justifikimi se “ishte gabim njerëzor i gjyqtarit”. “Jo, jo, është vetëm justifikim”, -sqaron Faik Bajrami.

“Këto raste kanë mungesë profesionalizmi dhe ndershmërie. Gjyqtarët tani janë kthyer në tifozë të skuadrave të caktuara. Të jesh gjyqtar, do thotë të jesh njeri me kërkesa ndaj vetes dhe detyrës që kryen në futboll”. Ky detaj i hapi rrugë bisedës sonë për fillimet dhe karrierën e tij si gjyqtar futbolli deri në nivelet ndërkombëtare me stemën e FIFA-s.

Dhe gjithçka thuajse nisi rastësisht, kur në vitin 1963 në një kampionat të ish-kooperativave të artizanatit, Faik Bajramit iu besua gjykimi i një ndeshjeje. Aftësitë që tregoi i ranë në sy të deleguarit të FSHF-së të atyre viteve, Sabri Çelnikasi, që udhëzoi që këtij njeriu t’i jepet besimi për gjykimin e ndeshjeve në Kategorinë e Tretë, të Dytë dhe te të rinjtë. Por kjo do vazhdojë shumë pak sepse në tetor të 1963- shit, në ndeshjen ‘Traktori’-‘Besa’ ishte caktuar si gjyqtar anësor së bashku me vlonjatin tjetër Hysen Sharra. Gjyqtar kryesor ishte caktuar tiranasi Mihallaq Tiko, që nuk u paraqit. I deleguari i FSHFsë për atë ndeshje, Afred Kazanxhi, ia beson detyrën e gjyqtarit kryesor Faik Bajramit, që me korrektësinë e tij tregoi nivel të lartë gjykimi që në ndeshjen e parë. Vlerësimet ishin shumë pozitive. Por do të kalonin dy vjet deri në vitin 1965, që vlonjatit Faik Bajrami dhe bashkëpunëtorëve të tij (Besnik Elbasani, Petraq Doko dhe Mihallaq Mina) t’iu besoheshin ndeshje të rëndësishme. Dhe prova më e mirë ka qenë ndeshja gjysmëfinale e Kupës së Republikës midis ‘17 Nëntorit’ dhe ‘Dinamos’ që ka përfunduar në barazim 2-2, ku trajnerët Myslym Alla dhe Xhevdet Shaqiri i sugjeronin Federatës që gjyqtarët vlonjatë të kishin më shumë përparësi në ndeshje të rëndësishme. Dhe nuk ishte rastësi që në ato vite, treshja vlonjate me kryesor Faik Bajramin, të ishte e “prenotuar” për ndeshjet ‘Partizani’-‘Dinamo’, ‘17 Nëntori’-‘Vllaznia’ e ‘Besa’-‘Labinoti’. Korrekt, me ndershmëri dhe profesionalizëm, duke mos ndikuar më vërshëllimin e bilbilit asnjëherë te rezultati. Megjithatë, kjo nuk do thotë se Faik Bajrami ishte i privilegjuar. Ai në ato vite të suksesshme të karrierës së tij do gjykonte edhe ndeshje të Kategorisë së Dytë dhe të Tretë, madje edhe si anësor, siç ka ndodhur në 1966-ën në Roskovec të Fierit, kur kryesor ka qenë Hysen Hysenaj. Arkiva e tij ka plot 209 ndeshje si gjyqtar kryesor, ku brenda tyre ka suksesin dhe ndershmërinë për kryerjen e detyrës. Motivimi i gjykimit të tij ka qenë: “Çdo skuadre i duhet i dhënë ajo që i takon. Emrat dhe vendi që kanë në klasifikim, ekipet nuk janë asnjëherë pikë referimi për gjyqtarin e ndeshjes”, thotë me dashurinë e profesionit Faik Bajrami. Në vitin 1970, Faik Bajramit i jepet stema e FIFA-s për performancën e treguar si gjyqtar kryesor në kampionatin shqiptar. Dhe gjithçka fillon me detyrën e gjyqtarit anësor në po atë vit, në ndeshjen ndërkombëtare ‘Partizani’-‘Beroe Stara Zagora’ (Bullgari).

Në qershor 1970, në Sofje, turneun e ekipeve kombëtare, ‘Shpresa’ gjykoi tri ndeshje si gjyqtar kryesor dhe vlerësohet me një kupë si gjyqtari më i mirë. Bajrami ka gjykuar në 13 ndeshje ndërkombëtare për Kupat e Europës dhe eliminatore të Europianëve dhe Botërore, ku në nëntë ndeshje ka qenë gjyqtar kryesor dhe është vlerësuar me nota shumë pozitive. Për nivelin e lartë të treguar në gjykimin e ndeshjeve të futbollit brenda dhe jashtë vendit në fund të sezonit futbollistik 1972- 1973, FSHF-ja e nderon Faik Bajramin me çmimin “Gjyqtari më i mirë”. Në fund të vitit 1973, Faik Bajramin një sëmundje do ta largojë nga gjykimi i ndeshjeve në moshën 38- vjeçare, por jo nga futbolli. Ai edhe sot jep kontributin e tij në ngritjen dhe rritjen e kolegjiumit të gjyqtarëve të Vlorës. Edhe pse ka plotë 47- vjet që vërshëllima e këtij gjyqtari të futbollit nuk dëgjohet në stadiumet tona, imazhin e këtij njeriu të veshur me “togën” e zezë, kushdo e ka të freskët, për përgatitjen profesionale, kërkesën e llogarisë dhe ndershmërinë në kryerjen e detyrës në shërbim të futbollit. Dhe pranë këtij imazhi padyshim qëndron dhe ai veprim shumë patriotik në 21 shkurt të vitit 1971, për ngritjen e Flamurit tonë Kombëtar në stadiumin e Roterdamit.

SKEDA E FAIK BAJRAMIT

Lindur: Në Vlorë, më 5 mars 1935
Karriera si futbollist: Në vitet 1951-1957 me ekipet “Spartak” dhe “Puna” të Vlorës.
Karriera si trajner: Në vitet 1960-1970 me ekipet e moshave dhe “Adriatik” të Nartës.
Karriera si gjyqtar futbolli: Në vitet 1963 -1973
Numri i ndeshjeve që ka gjykuar: Gjithsej 222 ndeshje, 209 të kampionatit shqiptar dhe 13 ndeshje ndërkombëtare për Kupat e Europës dhe Ballkanit dhe eleminatoret për Europanin dhe Botërorin.
Vlerësimet: Në vitin 1970- “Stema e FIFA”; në 1973- “Gjyqtari më i mirë ”; 1994- “Çmimi Luigj Shala”; 2015- “Nderi Qarkut Vlorë”; 2015- FSH F “Nderi gjyqtarëve të futbollit”.

/Gazeta “Telegraf”/

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…