“Virtuozi” Kiço Mile, trajneri që shkroi historinë e Tomorit në Europë!

Historia e një talenti në më shumë se gjysmë shekulli me futbollin. Ish-futbollist e trajner, asnjëherë drejtues në FK Tomori


Nga Agron KAJA

“Kiço, Pele, Kovaç-Kiço, Pele, Kovaç e e e! Kiço, Lala la la, Kiço, Lala la la e e e”, këto janë vargje ende të gjalla në kujtesën e tifozerisë beratase, të cilat këndohen në çdo ndeshje, nisur nga stadium  i vjetër e deri më sot në stadiumin e ri. Këto vargje i dedikohen edhe ish-futbollistit e trajnerit Kiço Mile, të cilin sot historia e ka veçuar si më të madhin në arritje dhe në kohë në drejtimin e skuadrës së Tomorit. Në arritje kryeson, sepse është i pari dhe i vetmi trajner beratas si nënkampion i Shqipërisë, e njëherësh sepse është i pari dhe i vetmi trajner i Tomorit që në vitin 2000 e drejtoi skuadrën në një kompeticion europian, Kupën UEFA. Në kohë, Kiço Mile e ka drejtuar Tomorin në 15 sezone duke e parakaluar profesorin e tij Guxim Mukli me një sezon më shumë. Një karrierë e mbushur me ulje e ngritje, por me shumë me suksese ekipore e personale, Mile vjen sot në Tifozët.al me portretin e tij sportiv, por edhe me një mendim konkret për futbollin beratas: Tomori në 100 vjetor do të shpërthejë në elitë.

***

Këtë bisedë me ju po e nis me vargjet e këngës së tifozerisë beratase: “Kiço, Pele, Kovaç-Kiço, Pele, Kovaç e e e! Kiço, Lala la la, Kiço, Lala la la e e e”, Ndjeheni nostalgjik?

Natyrisht që ndjej nostalgji, por edhe respekt e vlerësim për atë çka i kam dhënë unë futbollit beratas. Kjo këngë që është kthyer si një himn i tifozerisë tonë më bën të ndjehem krenar në figurën time sportive si futbollist e trajner i Tomorit. Por kjo këngë tregon se ne në Berat kemi tifozë që e duan dhe e respektojnë skuadrën me format nga më të ndryshmet, në këtë rast e quaj të veçantë.

Duke qenë pa aktivitet në bankinë, mos është “fshehur” Kiço Mile që i largohet medias sportive?

Është diçka e natyrshme që ta imponon profesioni. Kur je trajner del më shpesh në media, ndërsa kur punon në tjetër fushë të jetës do të duhet të jesh aty më shumë i pranishëm. Por unë asnjëherë nuk e largoj nga vëmendja Tomorin, sepse është dashuria ime sportive më e madhe në gjysmëshekulli histori.

Kur e nise rrugëtimin tënd sportiv, e kishe menduar se do vinte një ditë që do të ishe një trajner pa skuadër?

Unë asnjëherë nuk jam pa futbollin. Edhe pse nuk jam trajner diku në një skuadër, unë e ndjek futbollin shqiptar në gjithë ritmikën e tij, me prioritet skuadrën e Tomorit. Kjo më mban pranë aktualitetit me këtë skuadër, tashmë të dashuruar përjetësisht me të. Unë për Tomorin kam qenë në çdo kohë i gatshëm, nuk kam pyetur se në cilën kategori luan, sepse veç profesionit, Tomorin e kam pasion.

Si e kujtoni nisjen e karrierës tuaj në futboll?

Nëse do flasim për karrierën në moshë të re, unë kujtoj që e kam nisur në moshën 12 vjeçare me paratërinjtë e Tomorit, me trajnerë Hysen Mestani, Robert Alabaku e Petraq Goxhomane. Aty hodha hapat e para si futbollist për dy vite dhe jam larguar për studime në Shkollën e Mesme të Mjeshtërisë Sportive në Tiranë (1973-1977). Aty në katër vite luajta me paratërinjtë, të rinjtë e të rriturit e Shkëndijës ku do të veçoja trajnerët Osman Caslli, Miço Ndini e Saimir Dauti.

E pranoni se te Shkëndija startuan “shkëndijat” e talentit tuaj në futbollin elitar?

Që Shkëndija ishte shkollë e talenteve në futboll, këtë e ka treguar historia. Emrat që dolën nga kjo fidanishte e futbollit shqiptar u bënë protagonistë e mjeshtra të mëdhenj në futbollin tonë. Unë e quaj fat që jam pjesë e asaj shkolle, bazat e së cilës më mbajnë ende të freskët në gjithçka që lidhet me futbollin.

Pas përfundimit të shkollës së lartë, pse u kthyet pikërisht në Berat?

Arsyeja e vetme ishte respekti ndaj prindërve të mi, respekti për emrin që të parët e fisit tim kishin shkruar në futbollin beratas. Më kërkuan Lokomotiva e Dinamo, por unë zgjodha Tomorin të cilin nuk e “tradhëtova” në asnjë situatë deri në mbyllje të karrierës si futbollist në vitin 1991.

Çdo futbollist e ka për zemër një ndeshje të mirë, një gol të bukur apo një dështim synimi. Ju çfarë kujtoni?

Për mua e gjithë karriera si futbollist te Shkëndija dhe te Tomori ka qenë e mirë. Kryesisht në Berat kishte më shumë emocion, sepse nga drejtuesit e pushtetit dhe nga tifozeria kishte një interes e kujdes të madh për futbollin. Kam shënuar gola, kam dhënë pasime e kam organizuar lojë për 16 vite në elitën e futbollit shqiptar dhe gjithë këtë e kujtoj si një film me ngjyra, jo bardhezi.

Po ju kujtoj dy momente të karrierës suaj si futbollist: Së pari kritikën në shtypin sportiv të kohës për shfaqje të huaja (flokë të gjata), e së dyti internimin tuaj në Skrapar?

Po, këto janë dy momente që kanë i përkasin periudhës së karrierës time si futbollist në sistemin e kaluar. Atëhere flokët e gjata ishin shfaqie e huaj, ndërsa kur nuk i bindeshe Partisë, edhe të internonin! Të dyja këto i provova dhe dola fitues mbi to. Sot kur i kujtoj ndjej keqardhje, por edhe ndjehem më krenar që e kam sfiduar atë sistem me të dyja këto dukuri personale.

Pas lënies së futbollit ju vazhduat rrugën e trajningut, e kishit menduar më parë?

Natyrisht që po, sepse duke qenë i lidhur me futbollin, për më tepër i shkolluar për këtë sport, unë nuk e shikoja ndryshe karrierën time pas largimit nga fusha si futbollist. Punën e trajnerit e kam nisur që nga të rinjtë, më pas te ekipi Shpresa  dhe të rriturit nga viti 1992 e deri më sot. Mendoj e besoj se kam bërë më të mirën, si te skuadra e Tomorit, por edhe te gjashtë skuadrat e tjera ku kam drejtuar në këtë periudhë.

Pse pikërisht keni bashkëpunuar vetëm me Përparim Kovaçin në drejtimin e skuadrës së Tomorit?

Sepse Kovaçi është një Legjendë në futbollin beratas dhe atë shqiptar, dhe mua më mjaftonte prania e tij në bankinë që njerëzit të kuptonin se sa vlera ka një legjendë për ti dhënë moralin e duhur skuadrës. Për sa kohë do të drejtoj edhe në vite të tjera, vetëm me Kovaçin do më shikoni në bankinë.

Historia e futbollit beratas ju veçon si trajner, mendoni se i keni arritur disa kulme në drejtimin e Tomorit?

Nëse e keni fjalën për daljen nënkampion me Tomorin në sezonin 1999-2000, po. Sepse kjo është arritja më e madhe e skuadrës së Tomorit në këto 98 vite histori në futbollin shqiptar. E nëse do të kujtoj se luajtëm në Kupën UEFA, edhe këtu them se kam shënuar i pari emrin si trajneri beratas që drejtova në këtë kompeticion europian.

Mos keni harruar pa përmendur edhe ndonjë detaj tjetër në karrierën tuaj si trajner?

Për Tomorin kam qenë në çdo kohë i gatshëm, nuk kam pyetur se në cilën kategori luan, sepse veç profesionit, unë Tomorin e kam pasion. Dhe duke ju referuar jetgjatësisë në drejtimin e tij, në raport me trajnerë të tjerë unë e kam drejtuar në 15 sezone këtë skuadër. Këtë nuk e quaj fat, por një statistikë që më së shumti tregon përkushtimin e pasionin tim për Tomorin e futbollin beratas.

Një problematikë e vjetër për ndeshjen Tirana-Tomori në sezonin 1999-2000, qëndron ende prezente si “hije”, ju si e përshkruani atë vendim të FSHF-së?

Tirana nuk e meriton atë titull, realisht Tomori është kampioni i sezonit 1999-2000. Ajo ndeshje e shpikur nga FSHF-ja e kohës ishte një trukim apo vjedhje që ju bë Tomorit për titullin Kampion. Të gjithë kanë të drejtë të flasin, të thonë mendimet e tyre, sepse fjala është e lirë, por realiteti i asaj ndeshjeje nuk u bazua në rregulloren e kampionatit. Kjo është kohë ka për të reflektuar, Berati e mirëpret.

Xhongler në fushë-Ekspert në bankinë, ju pëlqen që të thuhet kështu për karrierën tuaj si futbollist e trajner?

Përshkrime të tilla mendoj se janë vlerësim e respekt i karrierës. Ndjehem me fat që si beratas marr të tilla vlerësime, të cilat në një libër do më përjetësonin shumë gjatë. Duke qenë se FK Tomori është në prag të 100 vjetorit të krijimit të tij (25 nëntor 2023), libri që do ti kushtohet karrierës sime them se do të jetë edhe një pjesë e kësaj historie.

 

PASAPORTA SPORTIVE

Emri Atësia Mbiemri: Kristaq Vangjel Mile

Datëlindja: 29 prill 1958

Vendlindja: Berat/ Vendbanimi: Berat

Sporti që ka ushtruar: Futboll/ Roli në fushën e lojës: Mesfushor qëndre

Numri në fanelë: 9/ Numri i këmbës: 38

Gjëndja civile: I martuar me tre fëmijë.

Arsimi: Në vitet 1973-1977 Shkolla e Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi”, Tiranë; në vitet 1978-1981 Instituti Lartë i Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, Tiranë.

Aktivizimet me ekipet e moshave: Tomori paratërinj 1972-1973; Shkëndija Paratërinj 1973-1974; Shkëndija të rinj 1974-1976.

Aktivizimet në ekipet e të rriturve: Shkëndija 1976-1977; Tomori 1977-1978;

Shkëndija 1978-1981; Tomori 1981-1989; 5 Shtatori 1989-1990; Tomori 1990-1991.

Ndeshje të zhvilluara: Me Tomorin luajtur 340 ndeshje: 255 në kampionate, 48 në kupa dhe 37 në ndeshje miqësore; Me Shkëndijën luajtur 127 ndeshje: 80 në kampionate, 22 në kupa dhe 25 në ndeshje miqësore; Me 5 Shtatorin ka luajtur 28 ndeshje: 26 në kampionate, 2 në kupa dhe 4 në ndeshje miqësore.

Ndeshje të zhvilluara në karrierë: Gjithësej 501, në kampionat 363, në kupa 72 dhe në ndeshje miqësore 66.

Aktivizime me Kombëtaret: Në periudhën 1975-1979 me U15, U17, U19 dhe U21 në 10 ndeshje; në vitet 1985-1986 me Kombëtaren A, në 2 ndeshje.

Ndeshje ndërkombëtare 14 (katërmbëdhjetë): Si futbollist 12 (dymbëdhjetë) në periudhën 1975-1979; Si trajner 2 (dy): Kupa UEFA në vitin 2000 Tomori-APOEL Nikozia 2-0, APOEL Nikozia-Tomori 4-0.

Karriera si trajner: Në sezonet 1991-1993 me U21 të Tomorit; në sezonet 1994-1998 me Tomorin; në vitin 1999 dhe në sezonet 1999-2000 e 2000- 2001 dhe 2001-2002 me Tomorin; në sezonin 2002-2003 me Lushnjen; në sezonin 2003-2004 me Bylisin; në sezonet 2004-2005, 2005-2006 dhe 2006-2007 me Tomorin; në sezonin 2007-2008 me Teutën; në sezonin 2008-2009 me Tomorin; në vitin 2009 me Shkumbinin; në sezonin 2011-2012 me Shkumbinin; në vitin 2012 me Tomorin; në sezonin 2012-2013 me Shkumbinin; në sezonin 2013-2014 me Kastriotin; në vitin 2015 me Tomorin; në sezonin 2015-2016 me Shkumbinin; në sezonin 2016-2017 me Naftëtarin, në sezonin 2019-2020 me Tomorin.

Kualifikimi si trajner: Me Licencën UEFA PRO.

Titujt dhe dekorime: Mjeshtër Sporti; Mjeshtër i Merituar i Sportit.

Aktualisht: Mësues i Edukimit Fizik në Berat, Specialist futbolli.

Jashtë futbollit: Biznes privat në Berat.

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…