Theodhori Arbri, bombarduesi i “Dinastisë Arbri” që befasoi Loro Boriçin

Mbiemri “Arbri” ka luajtur një futboll të shkëlqyer: Theodhor, Arbeni, Klodiani, Gersi dhe Polizoi.


Nga Agron KAJA, gazetar sportiv

Kur kërkon të flasësh për një periudhë e cila ka vite që me emra të vjetër dhe të rinj qëndron në fushën e futbollit, kuptohet se “Dinastia Arbri” ka një vend të veçantë, sa në futbollin e qytetit të Beratit, aq edhe në atë kombëtar. Hapat e kësaj plejade “pambarim” futbollistësh, e më pas trajnerësh, kanë zënë fill në vitin 1974 me Theodhoriun, të madhin e kësaj dinastie, kur ish-trajneri Guxim Mukli e aktivizoi me të rinjtë e Tomorit. Një djalë i gjatë dhe i brishtë, që së bashku me Robert Kokalarin ishin dyshja që dy vite më vonë do të sfidonin të tjerë emra të mëdhenj tek Tomori, si Çilingirin, Buzën, Karkanjozin e Matrapazin. Një sulmues tipik që gjuajtjen e fortë dhe kërcimin e kokë i kishte “pronë” të tij, të paktën një kulm e mban mend: Në 15 maj 1985 kur u përurua stadiumi “Tomori” në takimin Tomori-Kombëtarja A, Dhori shënoi golin e parë në fitoren 3-1 të Tomorit, një gol që i madhi Loro Boriçi e quajti “predha e Tomorit”. Pas tij vazhduan edhe katër emra të tjerë të kësaj dinastie: Arbeni, Klodiani, Gersi dhe Polizoi. Nisur nga kontributi që të gjithë këta kanë dhënë në futbollin shqiptar, Dhori deklaron për Tifozët.al se mbiemri i tyre nuk ka luajtur futboll për të rezistuar.

***

Në këtë prag të organizimit të skuadrave për sezonin e ri 2021-2022, çfarë dalloni si dukuritë më të veçanta?

Dukuria më evidente është fakti se skuadrat që po luajnë në Europë, po paralajmërojnë një sezon më cilësor në Superioren 2021-2022. Paraqitjet e tyre në turin e parë ishin mbresëlënëse, por në ndeshjet e javës së kaluar nuk kënaqën shumë. Nëse Teuta e Partizani do kishin arritur rezultate pozitive, kjo do të ishte diçka shumë e mirë edhe për futbollin shqiptar.

Ndërsa Tomori luan në Kategorinë e Parë, po Kategorinë Superiore e ndiqni?

E ndjek dhe shumë rregullisht, sepse jo vetëm profesioni, por edhe pasioni më shtyn që pa futboll të mos e konceptoj ritmikën e jetës sime. Tani me këtë shpërndarje që i është bërë Superiores, thuajse shoh një ndeshje në ditë dhe gjeografia e këtij interesi për mua është nga Shkodra e deri në Korçë.

Skuadra juaj ka disa sezone që luhatet në kategoritë inferiore të futbollit shqiptar, çfarë këndvështrimi keni për këtë situatë?

Nuk është se kam ndonjë këndvështrim të veçantë, por do të thoja se kështu me këtë ecuri nuk është as mirë, dhe as keq. Shpresat për ngjitjen në Superiore nuk mendoj se do tu mungojnë, sepse ka një interesim pozitiv nga bashkia. Por duhet një sponsor, apo edhe një kalim i klubit me maxhorancë financiare e drejtuesve privatë.

Jeni pjesë e historisë së Tomorit Nënkampion në sezonin 1999-2000, sa larg apo afër është skuadra që ta përsëritë atë sukses?

Tomori ka bërë histori në futbollin shqiptar, por kështu me këto luhatje ndoshta nuk do ti shkonte vlerave të futbollit të tij, si edhe qytetarisë beratase që jeton me futbollin e Tomorit. Ne jemi kampionët e atij sezoni, sepse FSHF-ja me ndeshjen që shpiku, qartazi ia dha padrejtësisht Tiranës titullin kampion.

E mendoni të afërt hyrjen e Tomorit në Kategorinë Superiore?

E shpresoj, e dëshiroj por them se ka shumë gjëra që i mungojnë dhe pa i përsosur ato, nuk mund të çajë rrugën drejt Kategorisë Superiore. Sa vjen edhe vështirësohet situata për ngjitjen në Superiore, kjo edhe nga elementë që Tomorit i mungojnë. Prandaj më sipër ju deklarova se duhet të presim.

Nga “Dinastia Arbri” janë dy kryegolashënues në futbollin shqiptar, ka të tjerë nga ju që do ta vazhdojnë këtë rrugë?

Në fisin tonë, Zoti na ka dhënë shumë djem dhe rruga e futbollit për të gjithë ata që po na pasojnë është e shtruar. Besoj se do të presim disa vite, jo shumë, që pasardhësit tanë të shfaqen në futbollin shqiptar. Aktualisht, në aktivitet me moshat janë dy djemtë e Gersit, Geroni dhe Amari, si dhe djali i Polizoit, Noeli. Ndërsa Klei, djali i Klodianit luan me 17 vjeçarët e Tomorit. Të gjithë duken me talent në futboll.

Mendoni se nga mbiemri “Arbri” kështu ende po bëhet “rezistencë” në futbollin e kësaj periudhe?

Mbiemri “Arbri” asnjëherë nuk ka luajtur futboll për të rezistuar. Njihet kontributi ynë ndër vite, i cili sot për sot mbahet nga pesë emra: Unë (Theodhori), Arbeni, Klodiani, Gersi dhe Polizoi. Me dy kryegolashënuesa kombëtarë (Arbeni e Klodiani) dhe pjesëmarrës në skuadrën tonë Kombëtare, këto janë tregues të historisë, por edhe të ralitetit. “Pishtari” ynë do të jetë i ndezur në futboll edhe për shumë kohë.

Jeni i pari i kësaj dinastie në futbollin beratas, si e kujtoni nisjen tuaj në topkëmbën elitare?

Ka qenë e vështirë, por shumë e bukur ajo periudhë. Unë kam luajtur me paratërinjtë dhe të rinjtë e Tomorit që nga viti 1973, ndërsa 19 vjeç kam luajtur me ekipin e parë. Luajta tre sezone në Tiranë me Shkëndijën kur kryeva studimet e shkollës së lartë 1976-1979, dhe më pas u riktheva me Tomorin deri në vitin 1992 që u largova nga futbolli. Një karrierë e bukur që kishte ulje e ngritje, por edhe suksese.

Në vitin 1985, ish-trajneri i Kombëtares Loro Boriçi, ju ka etiketuar si “predha” e Tomorit, sa ju shërbeu ky etiketim në atë periudhë?

Ka qenë ndeshja e madhe e Tomorit kundër Kombëtares më 15 maj 1985. Në ndeshjen që përuroi stadiumin “Tomori” ne fituam 3-1 dhe unë shënova njërin nga këta gola, ku trajnerit Boriçi i pëlqeu realizimi me një gjuajtje të fortë dhe e quajti gjuajtjen “predha e Tomorit. Dhe…., vetëm kaq….!

Keni luajtur dy vëllezër në skuadrën e Tomorit, si ishte harmonia juaj në lojë me Arbenin?

Historia e Tomorit tregon se ka disa futbollistë vëllezër që kanë luajtur së bashku në skuadër. Mbiemrat Zinxhiria, Qojle, Çilingiri, Karkanjozi, Kokalari e të tjerë, kanë treguar harmoni e vlera pozitive. Me Benin nuk ishte e vështirë të bashkëpunoje në lojë, sepse të dhënat e tij fizike, taktike e teknike, ndihmonin jo vetëm sulmin, por gjithë skuadrën.

 

Dy djemtë e tu e mbyllën shpejt me futbollin elitar, pse ndodhi kështu?

Jetgjatësia në futboll është edhe fat, dhe si Gersin, ashtu edhe Polizoin fati nuk i ndihmoi që të luanin më gjatë në kohë. Gjithsesi, të dy për aq sa luajtën në Superiore dhe në ekipet kombëtare, treguan vlera e vazhdimësinë pozitive të mbiemrit tonë në futbollin shqiptar.

Ka një fakt me Dinastinë “Arbri”, pas lënies së futbollit të gjithë keni filluar trajningun, është pjesë e pasionit, apo profesion?

Pasion dhe profesion bashkë. Sepse ne të gjithë si vëllezër e djem qëndrojmë të lidhur me futbollin. Si unë, Arbeni, Klodiani, Gersi e Polizoi, pas lënies së futbollit kemi bërë më shumë punën e trajnerit, në disa raste edhe drejtuesin në klub. Do ju thoja se në Berat jemi duke përgatitur breza nga mbiemri “Arbri”, të cilët do ta mbajnë “gjallë” emrin e Tomorit në elitë.


 

Skeda

Theodhori Arbri
Datëlindja: 3 mars 1959
Vendlindja: Berat
Arsimimi: ILKF “Vojo Kushi” 1974-1978 dhe 1979-1982
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Nr këmbës: 42/ Shtatlartësia: 181 cm
Pozicioni në fushën e lojës: Sulmues
Nisja e karrierës: Në sezonet 1974-1978 me paratërinjtë e të rinjtë e Shkëndijës.
Hyrja në futbollin e elitës: Në vitiet1978-1979 me Tomorin; në vitet 1979-1982 me Shkëndijën; në vitet 1983-1991 me Tomorin
Ndeshja e parë në elitë: Në Elbasan  në vitin 1979, Labinoti-Tomori 0-1
Skuadrat ku ka luajtur: Me Tomorin në sezonet 1979-  dhe -1992; me Shkëndijën
Me Kombëtaren: Grumbulluar 4 herë me U21
Si trajner: Në periudhën 1996-2018, trajner dhe zëvendestrajner me Tomorin
Detyra në Sport: Inspektor në FK Tomori 1996-1999
Tituj personalë: Mjeshtër Sporti

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…