Agim Matrapazi, “Pele” i Tomorit

Në historinë e topkëmbës beratase para vitit 1990, Agim Matrapazi ka shkruar emrin e tij në 17 vite karrierë me Tomorin.


Nga Agron Kaja, gazetar sportiv

Në historinë e topkëmbës beratase para vitit 1990, Agim Matrapazi ka shkruar emrin e tij në 17 vite karrierë me të rriturit e Tomorit. Në këtë ecuri, ai mbeti protagonist në të gjitha situatat që kaloi skuadra e Tomorit në hapësirën kohore 1971-1987. Pas largimit të Petrit Çilingirit në vitin 1983, Gimi morri shiritin e kapitenit të skuadrës, por duhet  thënë se e gjithë karriera u shoqërua me nofkën “Pele”, që në shpjegimin e tij ai i referohet vitit 1970 kur luhej Kampionati Botëror në të cilin shkëlqeu braziliani Pele. Por, Agim Matrapazi mbetet i veçantë në karrierë, pasi shumë skuadra kur luanin në Berat, pse jo edhe jashtë Beratit, pyesnin nëse ishte Pele në formacion. Dhe një moment interesant vetë ai e tregon, kur nga Dinamo ka patur një tentativë për ta dëmtuar (thyer këmbën). Por nga përplasja e qëllimshme me mbrojtësin Mujo Targaj rezultoi pa problem për të. I ndjeshëm është Pele edhe për situatën e skuadrës së Tomorit, ku ai thekson se ka mangësi në organizimin, në drejtimin e klubit, si edhe në lojën e ekipit. Për Tifozët.al, ai tregoi edhe detajin tjetër interesant të karrierës,ku gjatë transmetimit që i bëhej ndeshjeve të Tomorit në radio apo në televizion, sa herë që ai zotëronte topin nuk thuhej Matrapazi, por Agimi!

***

-Për dashamirësit e futbollit beratas njiheni me nofkën Pele, çfarë bën Agim Matrapazi tre dekada pasi është larguar nga futbolli?

Aktualisht jam një pensionist i rregullt që çdo veprim ditor e kryej me program. Më shumë bëj lëvizje dhe ndonjë takim me shokë e miq, dhe më pak vrapime. Por nuk e ndaj nga axhenda edhe futbollin, sepse nuk do kishte tjetër kuptim, duke menduar se me futbollin është e lidhur jeta ime.

-Larg trajningut e larg medias, vetëm në rolin e spektatorit është Pele?

Në fakt unë nuk kam qenë aktiv në trajning, por e ndjek Tomorin në çdo nivel. Këtu në Berat shikoj moshat, ndërsa skuadrën e parë thuajse e shoh rregullisht në stadium, përjashtuar ditët stërvitore të saj. Nuk jam marrë me trajning, edhe pse kam patur oferta, por gjithmonë e kam ndjekur nga larg dhe me nostalgji Tomorin.

-Jeni nga të paktët ish-futbollistë të Tomorit që nuk shfaqeni shumë në publik, është konstatim i saktë ky?

Konstatimi qëndron, por jo i saktë në kuptimin e përgjegjësisë. Të them se nuk dua të shfaqem, do tu gënjeja të gjithëve. Por kjo e ka një arsye, dhe unë mendoj se brezi im ka më shumë se dy dekada që qëndron në hijen e medias sportive. Sepse ata që shkruajnë sot në shtypin sportive e punojnë në median sportive, nisen nga lajmi i momentit, ndërsa historinë e Tomorit nuk e njohin dhe nuk e respektojnë.

-Mos ndoshta nga fakti që ju emrin tuaj e keni Agim, dhe atë sportiv me nofkën Pele?

Nuk besoj të jetë kështu, gjithsesi kjo bisedë që bëjmë së bashku ndoshta do të jetë edhe një apel për gazetarinë sportive lokale, e cila u referohet shpesh si specialist edhe atyre që pak e kanë luajtur lojën e futbollit. Brezi im ka lënë gjurmë pozitive në futbollin beratas, ndryshe nga këta futbollistë sot që kanë mbi 20 vite në kategoritë inferiore të futbollit shqiptar.

-Cila është historia e nofkës “Pele” që sot duket se ka marrë statusin e emrit tuaj të parë?

Po ju tregoj një detaj të nofkës “Pele” në karrierën time: Ka nisur në vitin 1970 në një spartakiadë pionierësh në Korçë. Në atë kohë po luhej edhe Kampionati Botëror, ku brazialiani Pele ishte protagonist kryesor. Unë bëra paraqitje të mirë në këtë veprimtari dhe tifozët korçarë më thirrën “Pele” në të gjitha ndeshjet. Që atëherë e deri më sot, rrallë më thërrasin në emrin Agim, por kryesisht Pele.

-Por edhe mbiemri juaj “Matrapazi” kishte telashe në sistemin e kaluar, apo jo?

(Qesh) Po, mua shpesh nuk më kanë shqipëruar mbiemrin tim gjatë karrierës në futboll. Në çdo transmetim në radio e televizion thuhej Agimi, dhe jo Matrapazi. Pas vitit 1985, në mbyllje të karrierës sime filloi të thuhej emër e mbiemër bashkë.

-Si e kujtoni nisjen e karrierës tuaj me skuadrën e të rriturve të Tomorit?

E kam nisur futbollin me paratërinjtë, të rinjtë e më pas te të rriturit e Tomorit. Kur isha 17 vjeç, në vitin 1970 fillova të luaja edhe me të rriturit në 15-20 minutat e fundit, thuajse në çdo ndeshje të atij viti. Ndërsa në sezonin 1971-1972 fillova direkt në formacion dhe kam qenë titullar, e më pas, kur skuadrën e drejtonin Guxim Mukli dhe Andrea Xheblati, isha kapiten deri në vitin 1987.

-Historia e Tomorit kujton edhe disa ndeshje ndërkombëtare në Kosovë, tu quaj goleador i atij turneu?

Po, sepse ashtu ndodhi. Ne shkuam në atë turne miqësor në Kosovë në vitin 1980 duke ju rikthyer vizitën futbollistëve të Trepçes. Këtu në Berat luajtëm në vitin 1975 dhe barazuam 1-1, ndërsa në tre ndeshjet në Kosovë arritëm dy barazime dhe një humbje (Liria Prizren-Tomori 3-0). Të dy golat për Tomorin i kam shënuar unë: Barazim 1-1 me Trepçen dhe 1-1 me Kristal Pejën. Ky turne na dha moral për vazhdimësinë, e cila në atë periudhë për skuadrën tonë ka qenë shumë e mirë.

-Karriera juaj e gjatë në përbërjen e Tomorit, e ka ndonjë veçantë tjetër që ju ta sillni sot për lexuesit e Tifozët.al?

Nga kjo karrierë kam shumë momente të veçanta, si për shembull kur 17 Nëntori vinte në Berat pyeste për mua nëse do isha në formacion. Dhe gjatë gjithë periudhës së karrierës sime, kjo skuadër nuk fitoi asnjëherë në Berat. Më kujtohet edhe viti 1984 në një ndeshje me Dinamon, ku mbrojtësi Mujo Targaj ka bërë një përplasje të fortë me mua dhe u dëmtua, por më vonë unë mësova se ai kishte marrë porosi që të më thyente këmbën. Unë dola i pa dëmtuar.

Agron Kaja, gazetar sportiv

 

-Sa herë jeni dëmtuar ju në karrierë, duke patur parasysh që keni qenë dyluftues me çdo kondërshtar?

Konstrukti im trupor (i dobët) krijonte përshtypjen se në dyluftime do të shmangesha. Por kam qenë kockë e fortë, edhe pse më quanin “këmbëthatë”. Ndoshta se kam qenë i mirëushqyer dhe i stërvitur dhe nuk e kisha problem me asnjë kundërshtar. Asnjëherë nuk jam dëmtuar, e për këtë unë i falem edhe Zotit që nuk e pata fatin e keq.

-Po Tomorin sot, sa dhe si e ndjek Agim Matrapazi?

E ndjek Tomorin në çdo nivel, në Berat shoh thuajse çdo ndeshje te moshat e të rriturit, ndërsa jashtë Beratit më rrallë. Por ndjek ritmikën e Kategorisë Superiore dhe ndeshjet e Kombëtares. Për Tomorin, të jesh në kategori inferiore nuk do të thotë shumë, ndaj mendoj se është koha që ndryshimet të vijnë sa më shpejt.

-Situatën në skuadrën e Tomorit në dy dekadat e fundit, si e përshkruani?

Një situatë nga më të dobëtat e historisë së tij. Pas daljes nënkampion në sezonin 1999-2000, Tomori nisi pikiatën. Sot them se ka mangësi, si në organizimin e drejtimin e klubit, ashtu edhe në lojën e ekipit. Përsosja e këtyre elementëve duhet të shoqërohet më lojë të kujdesshme dhe me grintë. Këto janë cilësi që Tomorin e kanë shpërblyer në historinë e tij.

-Ta mbyllim këtë bisedë me një konsideratë tuajën për skuadrën tonë Kombëtare?

Bashkë me Tomorin, Kombëtarja jonë ka mbetur një pasion në këtë periudhë. Aktualisht duket se ka shumë ndryshim cilësor e mendoj se këtu ka të veçantën menaxhimi që FSHF-ja u ka bërë ekipeve kombëtare, në veçanti Kombëtares A. Pas pjesëmarrjes në Euro 2016 shikohet një skuadër ndryshe, jo më inferiore me çdo kundërshtar.

 


PASAPORTA SPORTIVE E AGIM MATRAPAZI

Datëlindja: 04.03.1954
Vendlindja: Berat/ Vendbanimi: Berat
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Roli në fushën e lojës: Mesfushor organizator
Nr. këmbës: 41/ Shtatlartësia: 178 cm
Hyrja në futbollin e elitës: Në vitin 1971 me Tomorin
Skuadra ku ka luajtur: Me Tomorin në vitet 1971-1987
Ndeshje ndërkombëtare: Në vitin 1977 Tomori-Trepça 1-1; në vitin 1980 Trepça-Tomori 1-1, Kristal Peja-Tomori 1-1, Liria Prizren-Tomori 3-0.
Tituj sportivë: Mjeshtër Sporti
Jashtë futbollit: Biznes privat

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…