Arbenita Curraj, një histori frymëzuese

Kombëtarja është ndoshta arritja më madhore për Arbenitën, e cila ka fituar besimin e trajnerit dhe është gjithmonë pjesë e formacionit fillestar.


Futbolli nuk ka gjini dhe kurrsesi nuk ka as moshë. Nuk mund të ketë në fakt moshë për lojën më popullore në botë. Si në çdo fushë tjetër të jetës, njeriu ka të drejtë të provojë, një herë por edhe më shumë, sidomos ata që nuk lodhen së provuari.

Historia e Arbenita Curraj-t është një histori frymëzuese dhe suksesi, për të cilën karriera në futboll ka nisur pak më vonë se shoqet e tjera të ekipit. Në ditën e parë të stërvitjes zyrtare, iu desh të përballej me fjalë jo motivuese dhe me skepticizmin e trajneres, e kjo për shkak se nuk ishte në peshën që duhet të ketë një futbolliste. E megjithatë, vetëbesimi është çelësi i suksesit, shoqëruar edhe me përkrahjen e njerëzve. Gjyshi i saj ka qenë mbështetja e saj më e madhe gjatë asaj kohe jo fort të lehtë.

“Futboll kam nisur të luaj kur kam qenë rreth 16 vjeçe, pak më vonë se çdokush tjetër në skuadër, por ia kam dalë mirë. Në qytetin tim të lindjes, në Suharekë, u hap një ekip femrash, ku unë vendosa të bëhem pjesë dhe të realizoj ëndrrën time të fëmijërisë. Në stërvitjen e parë zyrtare me ekipin, për shkak se kam qenë edhe mbi peshën e lejuar që duhet të kishte një futbolliste, por edhe sepse nuk isha stërvitur më parë në mënyrë profesionale, u përballa me fjalët se unë nuk mund të bëhesha futbolliste. Fatmirësisht nuk u ndikova, por arrita dhe ia dola të provoj të kundërtën. Kjo edhe sepse kisha një mbështetje shumë të madhe nga gjyshi im, i cili më shtynte gjithmonë të vazhdoja përpara”.

Mirëpo, historia e Arbenitës me futbollin është më e hershme. Lagjet e Suharekës ishin si fushat e blerta të futbollit për të. Luante aq sa kishte mundësi dhe kjo sepse prindërit ishin “partizanë” të shkollës dhe mësimeve. Të dy ishin njësoj, asnjëri prej tyre nuk lëshonte pe’.

Futboll kam luajtur unë që në moshë të vogël, por në mënyrë amatoreske, pa qenë pjesë e një ekipi. Prindërit kishin dëshirën e madhe që unë të shkollohesha dhe insistonin që të merresha më shumë me mësimet sesa me futbollin, duke krijuar dhe njëfarë shkëputjeje nga loja. Më pas, kur u bëra pjesë e ekipit të “KFF Theranda”, prindërit vijonin të ishin skeptikë, por kur nisën të më ndiqnin në ndeshje, kuptuan se unë kisha vërtetë talent dhe sukses dhe se nuk do të shkëputesha më nga futbolli. Sot i kam mbështetjen time më të madhe”.

E ndërsa për shokët e shoqet e klasës, ishte çmenduri të shihnin Arbenitën të luante futboll, e megjithatë shkonin dhe e ndiqnin. “Për ata dukej i çuditshëm fakti që unë luaja futboll, por për fatin tim të madh, fusha ku stërviteshim ishte shumë afër me shkollën. Sa herë kisha ndeshje, vinin e më mbështesnin dhe brohorisnin për mua. E jo vetëm për ndeshje, por edhe kur stërvitesha”.

Dëshira e prindërve ishte edhe dëshira e saj. Shkolla sigurisht që është një nga hallkat më të rëndësishme dhe një nga detyrat më të bukura, por edhe më të vështira në jetë që duhet të kryhet. Arbenita ia doli! Ia doli të mbarojë Fakultetin e Edukimit Fizik në Kosovë, por ia doli të bëhej edhe një futbolliste, që sot e njeh e gjithë Shqipëria. Pasion dhe detyrë jetësore! Futbolli dhe shkolla! Ajo tregon se kjo ka ardhur edhe falë mirëkuptimit dhe mbështetjes nga ana e stafit pedagogjik.

“Kam përfunduar studimet e larta në degën e Edukimit Fizik. Do të gënjeja nëse do të thoja që ka qenë e lehtë, por nuk ka qenë fare e pamundur. Kam pasur një lloj mirëkuptimi dhe mbështetje nga ana e mësuesëve, të cilët e dinin që përpos shkollës merresha edhe me futboll. Thjesht kam pasur probleme me të ndjekurin e mësimeve në auditor, por ia kam dalë mbanë të shkollohem. Një dëshirë e prindërve të mi, por më shumë e imja”.

Fillimet e karrierës i ka pasur në Kosovë dhe më pas është transferuar në Shqipëri, ku ka luajtur për ekipin e Kukësit. Më pas ka kaluar sërish në Kosovë, e tani është pjesë e kampionatit shqiptar, ku luan në radhët e ekipit shkodran të Vllaznisë. Në Kosovë ka arritur sukses të jashtëzakonshëm me ekipin e Hajvalisë, duke u kualifikuar në UEFA Champions League.

“Ekipi i parë është KFF Theranda siç thashë, më pas kam luajtur për pak kohë tek ekipi i 13 Qershorit dhe pastaj kalova te skuadra e Kukësit. Pastaj u transferova sërish në Kosovë, kam qenë futbolliste e Mitrovicës, ekip me të cilin luajta një sezon e gjysmë. Nga aty kalova te Hajvalia, me të cilat jam shpallur dhe kampione e Kosovës dhe jemi kualifikuar edhe në UEFA Champions League. Ka qenë ekipi i parë Kosovar që ka marrë pjesë në UEFA Champions League dhe unë kam qenë pjesë e këtij grupi për fatin tim të mirë. Pas eksperiencës me Mitrovicën, kalova te Ferronikeli e ndërsa tani jam pjesë e Vllaznisë, prej gati dy vitesh.

Vllaznia për futbollisten shqiptare nuk është thjesht ekip. Është më shumë, është familje. Teksa rrëfehet për eksperiencën te ky ekip, nuk ngurron të thurë elozhe. “Sa herë luaj me këtë skuadër mendoj si nuk kam ardhur më herët te kjo skuadër. Është ekipi më i mirë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit. Nuk mund të them asgjë për organizimin, për stafin, kushtet. Gjithçka është “on top”. Kam kaluar momente mjaft të bukura me këtë ekip, por do të veçoja ndeshjen ndaj ekipit turk ALG Spor, ku kaluam në turin e dytë të kompeticionit UEFA Champions League. Një ndeshje e mbushur me shumë emocione, ku edhe pse dola jashtë për shkak se mora kartonin e dytë të verdhë në minutën e 95-të dhe u ndjeva vërtetë keq, nuk do ta harroj kurrë”.

Kombëtarja është ndoshta arritja më madhore për Arbenitën, e cila ka fituar besimin e trajnerit dhe është gjithmonë pjesë e formacionit fillestar. Në kohën kur ka marrë ftesën për të qenë pjesë e Shqipërisë, ajo ka marrë ftesën për të përfaqësuar Kosovën. Një vendim jo fort i lehtë, që e ndoqi pas edhe kur luajti ndeshjen e parë në radhët e vajzave kuqezi, pasi ndeshja e parë zyrtare me këto ngjyra ka qenë kundër Kosovës.

E mbaj mend grumbullimin e parë me Kombëtaren. Si çdo nisje e re, ka qenë emocion i madh. Isha ende lojtare e Hajvalisë në atë kohë. Pata marrë ftesë edhe më herët nga ekipi U-19 i Shqipërisë, por nuk e kisha menduar. Më pas më erdhi ftesa edhe nga Kombëtarja A. Në të njëjtën kohë mora ftesë edhe nga përfaqësuesja e Kosovës. Vendosa direkt “kuqezi”. Nuk e di se pse, por nuk e mendova dy herë. Në grumbullimin e parë që mora pjesë, e kuptova që unë i përkas kësaj Kombëtareje. Ndërsa ndeshja e parë zyrtare për mua me këto ngjyra ka qenë kundër Kosovës, në 2017. Ka qenë një lojë e vështirë dhe kam pasur shumë emocione. Ndoshta nuk ka qenë loja më e mirë që kam zhvilluar, por kuptohet, ka qenë e vështirë. Ndeshjen më të mirë, jo vetëm individualisht por edhe si grup e kemi zhvilluar kundër Portugalisë, pavarësisht se u mundëm. /FSHF.org/

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…