Astrit Ziu – Magjia e mbrojtësit të majtë

Futbolli dje dhe sot në “lupën” e mbrojtësit të majtë Astrit Ziu, Mjeshtër i Merituar i Sportit


Nga Agron KAJA, gazetar sportiv

Historia e futbollit në Berat e veçon Astrit Ziun si mbrojtësin e majtë më të mirët, madje performancën e tij tifozeria e përmend shpesh kur thotë se: “…Bjeri fort topit si Tit Ziu, jo si i ngordhur…”. Nga skuadra e Tomorit, Titi u largua në fillimet e karrierës së tij në futbollin shqiptar, por lidhjet e tij me Beratin asnjëherë nuk janë shkëputur, njëherësh edhe me ritmikën e futbollit në qytetin e tij të origjinës. Për arsye imigrimi, Astrit Ziu ka jetur disa vite në Spanjë dhe që nga viti 2003 ka punuar pranë “UD Vista Alegre Castelldefels”, një qytet i vogël në rrethinat e Barcelonës, atje ku ka stërvitur dhe drejtuar ekipe të ndryshme të moshave të vogla e të rinjtë, njëherësh edhe si koordinues i disa ekipeve të futbollit në atë rajon. Me këto skuadra Astriti fitoi disa herë kampionatin e trofe në disa turne, por edhe duke e ngjitur skuadrën nga kategoria inferiore në kategorinë e parë të Katalonjës. Kështu vazhdoi deri në vitin 2015, teksa iu rikthye jetës në Tiranë, por jo përfundimisht, sepse Titi atje ka edhe një pjesë të zemrës së tij, fëmijët.

-Dikur një ish-futbollist i Partizanit të Madh dhe i Kombëtares, në realitetin e sotëm ku përditësohet Astrit Ziu?

Pas një periudhe 13 vjeçare emigrimi në Barcelonë, unë jam rikthyer në Shqipëri me mendimin se tashmë duhet të jem këtu. Por edhe atje nuk i jam ndarë ndjekjes së futbollit shqiptar, jo vetëm atij kombëtar. Aktualisht jam pensionist, por unë jetoj me futbollin në çdo moment. Jo vetëm duke ndjekur ndeshjet, por edhe duke u takuar me shumë futbollistë e ish-futbollistë, trajnerë e ish-trajnerë apo gazetarë sportivë, me të cilët dita nuk duket se si i kalon orët e saj.

-Si ndjeheni kur ju kërkohet të flisni për atë çka ju keni dhënë në fushën e lojës kur luajtët me fanelat e Tomorit, Luftëtarit, Partizanit dhe të Kombëtares?

Takimet e mia me mediat janë shumë të rralla, me natyrën time i jam shmangur publicitetit. Por kjo nuk do të thotë se nuk e dëshiroj të flitet e të shkruhet për mua. Ndoshta mund ta kem edhe gabim, por unë mendoj se çdo medie, e shkruar, vizive apo e folur, duhet të ketë njerëz që e njohin historinë sportive të vendit tonë. Nuk ndjehem mirë kur dikush në media më pyet për emrin, apo kush jam!

-Preferoni të flisni më shumë për Partizanin, për Kombëtaren apo për Tomorin?

Unë të gjitha skuadrat ku kam luajtur i kam shumë për zemër, nuk mund t’i ndaj. Gjithsesi, ta fillojmë nga Tomori nuk është keq, sepse është skuadra ime e origjinës për të cilën kam shumë mall, kujtime e gjëra të paharrrueshme. Natyrisht që te Partizani dhe te Kombëtarja unë kam pjesën më të madhe të karrierës sime dhe kam shumë për të folur. Dhe sot besoj se pyetjet tuaja do të ma sjellin kujtesën tek të tria këto skuadra, por edhe Luftëtarin ku luajta për tetë muaj.

-Meqenëse ju nuk jeni “rrëfyer” herë tjetër, a mund ta mësojë sot lexuesi “Tifozët.al” se si erdhi largimi juaj nga skuadra e Tomorit te Partizani?

Në vitin 1966, Partizani grumbulloi në disa reparte ushtarake të Tiranës shumicën e sportistëve talente, jo vetëm në futboll. Pas një periudhe 15 ditore, mua nuk më inkuadruan tek Partizani, por më liruan. Unë në atë kohë isha mësues në Uznovë të Beratit dhe kur më liruan në muajin gusht 1966, kuadri ishte plotësuar. Kështu që më emëruan në fshatin Moravë shumë afër qytetit të Beratit, për të qenë më pranë fushës.

-Dy herë ushtar, një çudi më vete kjo që atëhere edhe ndodhte me sportistët elitarë?

Po, dhe pasi unë luajta për një fazë me Tomorin, në vitin 1967 më rimarin ushtar duke kaluar përfundimisht tek Partizani, me të cilin luajta deri në vitin 1978. Isha 32 vjeç kur jam larguar nga futbolli i luajtur, shumë i ri, edhe pse ndjehesha fizikisht i fortë për të vazhduar.

-Tek Tomori, Luftëtari, Partizani e Kombëtarja, cili ka qenë pozicioni juaj më i preferuar në fushën e lojës?

Në fakt, unë kam nisur të luaj si sulmues i majtë dhe sulmues qëndre, atëhere në terminologjinë sportive quhej lojtar “menxallo”.  Kur kalova në ekipin e parë të Tomorit në vitin 1963, fillimisht luajta si sulmues i majtë, por interesant është fakti që në ndeshjen kundër Partizanit këtu në Tiranë në stadiumin “Qemal Stafa” (Partizani përgatitej për Kupën Ballkanike në Turqi), trajneri Thanas Jançe më propozoi që të luaja mbrojtës i majtë. Tomori fitoi 1-0 kundër Partizanit me golin e Novruz Duçkës dhe e vumë në vështirësi shkuarjen e Partizanit në Turqi. Këtu filloi piketim im përfundimtar tek Partizani.

-Dikur një ish-lojtar energjik te Tomori, te Luftëtari, te Partizani dhe në Kombëtare, sot cila është ndjeshmëria juaj për këto skuadra?

Që kur jam larguar edhe nga drejtimi i sportit në klubin “Partizani”, unë nuk jam shkëputur nga  ndeshjet e futbollit. Natyrisht që i ndjek në distancë, ku më pak shkoj në stadium e më shumë në televizion. Ndjehem shumë mirë që Partizani u rikthye si pretendent në elitën e futbollit shqiptar, por ndjej keqardhje për luhatjet e Tomorit në kategoritë inferiore.

-Në kohën kur ju luajtët futboll, kishte luhatje Partizani që të mendohej edhe zbritja në kategori inferiore?

Absolutisht jo, sepse Partizani ishte skuadra më e madhe e kohës, ishte pretendente në çdo kompeticion, edhe pse në momente të veçanta kishte ndonjë luhatje. Por edhe pse me një histori të madhe, mendoj se me Partizanin u gabua në menaxhim e drejtim 20 vite më parë. Ajo kohë mendoj se duhet të harrohet, edhe pse historia tashmë e ka bërë pjesë të saj.

-Cili është këndvështrimi i Astrit Ziut për futbollin shqiptar të para vitit 1990, krahasuar me këtë futboll që luhet sot?

Para vitit 1990 ishte një futboll “bio” shqiptar dhe nuk konceptohej të kishte lojtarë të huaj. Ishin detyra fikse në atë kohë, nuk mund të dilje shumë nga disa korniza të paracaktuara. Madje kur te Partizani e Dinamo vinin lojtarë nga rrethet, bëhej me shumë vështirësi. Tani pak luhet për fanelën, më shumë futbolli është bërë si një biznes. Gjithsesi, kjo nuk duhet të largojë tifozerinë, sepse vetëm ata dinë ta respektojnë fanelën e çdo skuadre.

-Sezoni i kaluar (2020-2021), mund të quhet si i mirë për Partizanin dhe Kombëtaren?

Patjetër që po, sepse si te Kombëtarja ashtu edhe te Partizani, gjatë atij sezoni kemi parë skuadra dinjitoze. Edhe pse nuk doli kampion, Partizani ishte skuadra më e mirë e kampionatit dhe pretendente për titullin kampion. Sa për Kombëtaren, do të thoja se sikur i ka humbur bukuria e pjesëmarrjes në Euro 2016. Arriti një kulm, por nuk është gjithçka, ndaj besoj se refleksionet duhet të jenë të prekshme, hap pas hapi e sezon pas sezoni.

-Për Partizanin sot, çfarë mendoni se ka ndryshuar nga koha kur Gaz Demi e drejton si President i klubit?

Unë gjykoj se Gaz Demi është një njeri me dashamirësi për futbollin dhe i dashuruar me Partizanin. Së bashku me Olsi Ramën si drejtor teknik, kanë formuar një dyshe drejtuese të nivele të larta dhe besoj se këtë sezon (2021-2022) do të jenë pretendentët e parë për titullin kampion. Edhe trajneri Ilir Daja e njeh mirë futbollin shqiptar dhe si një teknik me eksperiencë është faktor i rëndësishëm në mbarëvajtjen e skuadrës. Por mendojse problemi është se kontigjenti që ka në dispozicion nuk është i plotë në ndërtimin e një loje fleksibël e të standardeve, ku të mbizotërojë pasi i ndërthurur. Veçanërish më bie në sy fakti, se është mungesa e pasimit inteligjent në fazën përmbyllëse të aksionit.

-Në kujtesën tuaj, sa ndeshje keni luajtur me fanelën e Tomorit, Luftëtarit dhe atë të Partizanit?

-Besoj se me Partizanin duhet të jenë mbi 300 ndeshje, kampionat-kupë-ndeshje ndërkombëtare e miqësore me klubin. Unë nuk shquhem për statistika, por referuar edhe ditarëve e kalendarëve sportivë besoj se jam shumë i përafërt. Ndërsa me Tomorin i kalojnë 50 ndeshje dhe me Luftëtarin duhet të jenë te 25.

-E gjithë Kategoria Superiore shqiptare sot, çfarë ndjesie ju sjell me futbollin e saj?

Në tërësinë e vet, Kategoria Superiore në momente të veçanta të jep idenë se tentohet të luhet futboll i kohës, por më bën përshtypje fakti se skuadrat luajnë futboll më shumë amator, gati-gati statik. Shpesh, në ndeshjet “derbi” të kryeqytetit nuk ka ritëm dhe dominon më shumë qarkullimi i topit. Kjo të frymëzon në lojë, por në tërësi skuadrat duhet të tregohen më të lirshme, më qarkulluese dhe më të sigurta në lojë.

-Duke qenë edhe një ish-futbollist i Kombëtares, si i kujtoni vitet që veshët fanelën kuqezi?

Me shumë nostalgji, por jetën e kuptoj siç është në realitet. Unë jam i kënaqur me atë çka jetova me futbollin, e sot ndjehem krenar kur më vlerësojnë djersën e mundin. Edhe në Barcelonë ku punova me futbollin për më shumë se një dekadë më kanë respektuar maksimalisht dhe më kanë vlerësuar. Shpesh edhe në evente publike, si një ish-futbollist profesionist, por edhe si njeri, për të cilën kam investuar shumë.

i

-Edhe në këtë moshë, e ka menduar ndonjëherë Astrit Ziu rikthimin në futboll, si trajner apo drejtues klubi?

Unë u riktheva në Shqipëri me mendimin se mund të kontribuoja në futboll për të dhënë eksperiencën time si ish-futbollist dhe ish-drejtues i sportit tek Partizani i 20 viteve më parë. Por shoh që i kanë ngritur barrikadat e “betonit” të cilësisë së lartë, në kuptimin që nuk ka vlerësim të brezit tim. Një nga arsyet dominante është se futbolli ka hyrë në rrugën e biznesit, dhe më vjen keq ta them e më dhemb kur shoh që ka shitje e blerje ndeshjesh!

-Sot, cila është jeta juaj e përditshme, me apo pa futbollin?

Një jetë normale për një pensionist. Kur erdha nga Barcelona e mendova të vështirë ta mbushja ditën, por ndjehem i plotë kur takohem gati çdo ditë me miq e shokë të futbollit dhe jo vetëm, e mes tyre shikoj atë vlerësim që, ashtu si tek unë, kanë mbizotëruar më shumë vlerat njerëzore.


Të veçanta nga karriera

 

Kërkesa “tinzare” nga Dinamo

“Në vitin 1965 më vjen në shtëpi një zyrtar i lartë i Ministrisë  së Brendshme në Berat dhe më propozon që të luaja me Dinamon. Si stimul atëhere ishte një Turne Ndërkombëtar miqësor në Kinë. Unë nuk e kisha me qejf të luaja me Dinamon, me mendimin se kjo kërkesë e tij do të ishte kalimtare, por edhe ata nuk këmbëngulën sikundër Partizani, me të cilin kam qenë tifoz që në fëmijërinë time. Kështu që unë përfundova tek Partizani, skuadra që gjithë jetën e kam dashuruar, sikundër edhe Tomorin, skuadrën time mëmë”.

 

Tetë muajt në Gjirokastër

“Në periudhën tetor 1968 e deri në maj 1969 unë luajta me Luftëtarin e Gjirokastrës. Arsyeja ishte një padrejtësi që m’u bë në atë kohë nga drejtuesit e Partizanit. Në vitin 1968 skuadra fitoi Kupën e Republikës, ku mundëm në finale Vllazninë. Unë luajta titullar dhe Partizani u grumbullua për të luajtur kundër Torinos, por një javë para se të luanim ndeshjen e kthimit në Itali, mua më nisën natën në Gjirokastër, së bashku me Ismet Hoxhën. Unë e kuptova më vonë se ky largim ishte për të favorizuar një tjetër futbollist që ishte në fundin e karrierës. Nga drejtuesit e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, asnjë nuk kishte dijeni se përse unë shkova në Gjirokastër. Aty luajta për tetë muaj dhe u riktheva tek Partizani kur trajner erdhi Loro Boriçi, deri 1978”.

Familja sportive “Ziu”

“Në familjen time (Ziu) jemi tre vëllezër: Unë (Astriti), Shpëtimi dhe Llazari. Unë luajta futboll në elitën e kohës së tij, Shpëtimi ka qenë më shumë se 30 vite mjek sportiv në Berat e Tiranë, ndërsa Llazari ka luajtur deri në nivelin e të rinjve. Në Berat më kanë respektuar dhe më kanë cilësuar si një nga futbollistët më të mëdhenj në të gjithë kohrat, ndërsa Shpëtimi si mjeku sportiv më i përkushtuar e më jetgjatë në FK Tomori”.

 

Djali futbollist i Partizanit

Astrit Ziu ka dy fëmijë, djalin dhe vajzën. “Djali, Febron Ziu ka luajtur fillimisht me moshat e Partizanit, më pas me Kombëtaret U16 dhe U18 ku ka qenë edhe kapiten. Ndrësa në moshë të rritur ai ka luajtur me Partizanin dhe me Besën. Kishte talent, unë ndjehem borxhli ndaj tij se kishte inteligjencën, goditjen e fortë e pasim të saktë, por nuk kishte zhdërvjelltësinë e duhur”.

Goli i vetëm me Kombëtaren

Në karrierën e tij Astrit Ziu ka luajtur si mbrojtës i majtë, si mesfushor dhe sulmues, por vetëm portier nuk ka luajtur. “Po të ma kërkonin trajnerët, unë edhe portier do të luaja”, tregon Astriti, i cili më pas veçon një fakt. “Unë kam shënuar vetëm një gol me Kombëtaren, në Stamboll kundër Turqisë. Ky gol më evidentoi si mbrojtësin e parë në Kombëtaren shqiptare që shënoi gol”.

Biografia sportive e Astrit Ziut, nga topat e leckës e deri në Barcelonë

Natyrisht që, për moshën e Astrit Ziut do të ishin të pranueshme periudhat e vështira, kur ai nisi që të mendonte për lojën me top, e më pas këtë lojë futbolli ta interprentonte në të gjitha nivelet e mundshme. Dhe cili është Astrit Ziu, ish-futbollisti i Tomorit, i Partizanit, i Luftëtarit dhe i Kombëtares shqiptare të futbollit? Tifozët.al e sjell me të gjitha momentet e detajet e karrierës së tij: I ardhur nga një familje me gjendje të mirë ekonomike, Titi shumë pak luajti me topat e leckës, madje edhe ato shumë më të mira, pasi babai i tij Jani Ziu ishte një rrobaqepës që për këtë zanat kishte marrë njohuri në Francë, i vlerësuar me medalje ari për këtë profesion.

Nga moshat e vogla tek të rinjtë e Tomorit, koha sportive do të kalonte shumë shpejt, pasi kur ishte në moshën 17 vjeçare në vitin 1963, trajneri Thanas Jançe e afroi në skuadrën e të rriturve të Tomorit që luante në Kategorinë e Parë (sot Kategoria Superiore). Katër vite në skuadrën e vendlindjes me të cilën luajti si sulmues, mesfushor i majtë e në fund mbrojtës i majtë (1963-1967), e afirmuan Astrit Ziun që të tërhiqte vëmendjen e skuadrave më të mira të kohës, si Partizani e Dinamo. Dhe oferta e dyfishtë e Partizanit vetëm në vitin 1967 e afroi në Tiranë, ku mes emrave të mëdhenj, në vitin 1968 u bë titullar i padiskutueshëm.

Edhe pse në tetor të vitit 1968 ai pati një “driblim” për të luajtur tetë muaj me Luftëtarin e Gjirokastrës, rikthimi në majin e vitit 1969 e kishte bërë edhe më të fortë e më të pjekur në lojën e tij karakteristike: forcë-driblim-finalizim. Me fanellën e Partizanit, Astrit Ziu arriti të ishte jo vetëm titullar i kësaj skuadre, por edhe i ekipeve përfaqësuese Shpresa U21, ekipi Olimpik dhe i Kombëtares. Sukseset e Partizanit Kampion, fitues i Kupës së Republikës dhe fitues i Kupës së Ballkanit që së bashku me skuadrën, i dhanë edhe Astrit Ziut autoritetin e një futbollisti absolut për rolin e tij si mbrojtës i majtë.

Kjo histori suksesesh vazhdoi deri në tetorin e viti 1978 në moshën 32-vjeçare, kur si futbollist ai i “vari këpucët në gozhdë”. Më pas, pa u ndarë nga sportet e nga futbolli i Partizanit, Astriti punoi në dikasterin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në Klubin e futbollit “Partizani” si drejtues i tij, ku natyrisht që përvojën si futbollist e përshtati mirë edhe me atë të drejtuesit. Ndërkohë që përvojën e trajningut, Astrit Ziu e provoi në Spanjë ku emigroi në vitin 2002, nga ku arriti që të stërviste e drejtonte disa ekipe të moshave të vogla dhe të rinj, më pak edhe si koordinues i disa ekipeve të futbollit.

Nga viti 2014, Titi zyrtarisht është në pension, por përditshmëria e tij është me njerëz të futbollit e me futbollin e luajtur duke e ndjekur në ritmikë ecurinë e futbollit në Shqipëri, por edhe në Europë. Kjo është “biografia” sportive e Astrit Ziut, e cila në këto pak radhë është shumë më e vogël nga madhështia e viteve që ai jetoi me futbollin në fushë, por edhe si drejtues. Sot një ndjekës i rregullt i të triave: Tomorit-Partizanit-Kombëtares, ndërsa për kontributin e tij në futbollin shqiptar ai koleksionon tituj sportivë personalë: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i Sportit; Nderi i Sportit Shqiptar; Pllakata e memories në FSHF; Legjenda e Futbollit Shqiptar.


Skeda

Astrit Ziu/ Datëlindja: 8 korrik 1946
Vendlindja: Berat/ Vendbanimi: Tiranë
Sporti që ka ushtruar: Futboll/ Pozicioni në fushën e lojës: Mbrojtës i majtë
Numri këmbës: 42/ Shtalartësia 183 cm
Skuadrat ku ka luajtur: Në sezonet 1963-1966 me Tomorin; Në sezonet 1966-1978 me Partizanin; me Luftëtarin i huazuar në periudhën tetor 1968-maj 1969.
Tituj e trofe të fituar: Kampion me Partizanin 1970-1971; Kupën e Shqipërisë me Partizanin 1967-1968, 1969-1970, 1972-1973.
Ndeshje ndërkombëtare me klubet: Me Partizanin 32 ndeshje
Me Kombëtaren: Me U21 në periudhën në periudhën 1966-1968; Me Kombëtaren A luajtur 19 ndeshje në vitet 1969-1974, shënuar 1 gol
Pas largimit nga futbolli: Në vitet 1984-1990 drejtues i sporteve në Ministrinë e Mbrojtjes; në vitet 1990-1992 Shef i FK Partizani; në sezonet 2003-2014 trajner i moshave në ‘UD Vista Alegre Castelldefels’ Barcelonë.
Tituj Sportivë: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i Sportit; Nderi i Sportit Shqiptar; Pllakata e memories në FSHF; Legjenda e Futbollit Shqiptar.
Aktualisht: Në pension

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…