Lamtumira në lot e Leos

Në një konferencë të jashtëzakonshme, Lionel Messi i dha lamtumirën Barcelonës pas plot 21 vitesh.


Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp që ngjalli një interes të madh në të gjitha mediat botërore, Lionel Messi i dha lamtumirën Barcelonës pas plot 21 vitesh mes skuadrave të rinjëve, ekipeve B dhe C dhe skuadrës së parë. Fundi i një epoke me Messin që nuk i përmbajti dot lotët në një nga momente më të vështira dhe më të sikeltshme të karrierës së tij të deritanishme. Rrugët jashtë stadiumit Camp Nou ishin mbushur nga tifozët e Barçës të cilët të trishtuar kërkonin t’i jepnin përshendetjen e fundit idhullit të tyre, ndërkohë që në sallën e konferencave klubi i Barcelonës paraqiti edhe 35 trofetë e fituar nga Lionel Messi me blaugranat që prej vitit 2006. 672 gola dhe 305 asiste në 778 ndeshje të luajtura e bëjnë 6-herë fituesin e Topit të Artë, një legjendë të gjallë të Barcelonës. Në fjalët e tij Leo kurrësesi nuk mund ta fshihte mërzitjen dhe trishtimin për një lamtumirë të parakohëshme dhe të pamenduar nga klubi ku hodhi hapat e parë të karrierës dhe në më pak se dy dekada u shndërrua në një gjeni të futbollit.

“Barcelona është shtëpia jonë dhe kështu u premtova edhe fëmijëve të mi. Falenderoj të gjithë ata që na ndihmuan. Unë jam rritur me vlerat e kësaj shtëpie, duke e trajtuar veten me përulësi dhe respekt. Kështu veprova me të gjithë në këtë shtëpi dhe shpresoj që kjo të mbetet, përveç gjithçkaje që fitojmë. Kemi kaluar gjëra të vështira, por kjo na bëri të rritemi. Unë gjithmonë kam dhënë gjithçka për këtë klub, për këtë fanellë. Nga dita e parë në të fundit dhe jam më se i kënaqur. Faleminderit njerëzve për dashurinë e tyre përgjithmonë. Do të më pëlqente të thoja lamtumirë në një mënyrë tjetër. Unë kurrë nuk e imagjinoja lamtumirën time, por nuk do ta kisha imagjinuar në këtë mënyrë. Do të më pëlqente ta bëja në fushë, të kisha dëgjuar një ovacion të fundit. Më mungoi publiku në pandemi. Po tërhiqem nga ky klub pa i parë në më shumë se një vit e gjysmë. Nëse do ta kisha imagjinuar lamtumirën, do të ishte me një stadium të mbushur. Ndodhi kështu dhe, e përsëris, e vlerësoj dashurinë e gjithë këtyre viteve. Ne kishim kohë të mira dhe të vështira, por dashuria ndihej gjithmonë e njëjtë. Unë gjithmonë do ta dua këtë klub. Shpresoj se mund të kthehem për të qenë pjesë e këtij klubi në një moment tjetër. Shpresoj se mund të kontribuoj në mënyrë që ky të vazhdojë të jetë klubi më i mirë në botë. Jam i sigurt që kam harruar shumë gjëra, por kjo është ajo që mund të them tani, nuk jam në gjendje të mendoj dhe fjalët dalin vetë”.

Përsa i përket të ardhmes Messi la gjithçka të hapur, edhe pse konfirmoi bisedimet me Paris Saint Germain.

“E ardhmja? PSG është një mundësi. Në këtë kohë nuk kam asgjë të rregulluar me askënd. Kur doli deklarata, kisha shumë thirrje. Ka disa klube të interesuara. Unë nuk kam asgjë të mbyllur, por ne po flasim.”Unë jam rritur me vlerat e këtij klubi. Gjithmonë jam përpjekur ta trajtoj veten me përulësi dhe respekt. Shpresoj se do të njihem për këtë, përveç fushës. Që secili të më kujtojë ashtu siç dëshiron. Unë jam mirënjohës për karrierën që pata. Humbjet më bënë të mësoj dhe të rritem. Kam përjetuar më shumë gëzime sesa humbje. Festimet e titujve me njerëzit, me familjen. Falë Zotit kam shumë për të kujtuar. Ky ka qenë momenti më i vështirë! Kam pasur shumë momente të vështira, shumë humbje, por kjo është më e hidhura.. Kjo nuk kthehet. Ky është fundi në këtë klub. Ndjej trishtim sepse nuk doja të largohesha nga klubi që e dua. Barça një nga ekipet më të mëdha në botë. Lojtarët e mëdhenj do të vazhdojnë të vijnë. Lojtarët ikin dhe klubi është gjithmonë më i rëndësishëm se kushdo. Njerëzit do të mësohen me mungesën time. Do të bëhet e çuditshme, por ata do të mësohen, siç ndodh gjithmonë me gjithçka”.

Lionel Messi iu kthye edhe njëherë arsyeve që sollën largimin e tij nga Barcelona.

“E vërteta është se kur mbaruan zgjedhjet, unë shkova për të ngrënë me Laportën dhe biseduam, hëngrëm darkë, dhe pas atij vakti isha i bindur se do të vazhdoja akoma, se nuk do të kishte probleme për të vazhduar. Në fakt, kontrata ime nuk ishte kurrë problem. Më pas ndodhi ajo që ndodhi. Pati shumë biseda, por ne tashmë e dinim se çfarë ishte vendosur.Ne të gjithë e kishim të qartë se do të qëndroja. Aq sa kishim rregulluar gjithçka dhe kisha pranuar reduktimin e pagës në masën 50%. Mendoj se ishim gjithmonë të sinqertë me njerëzit, të paktën nga ana ime. Kjo nuk ndodhi për shkak të asaj që u tha tashmë. Nga ana ime, unë kurrë nuk i kam mashtruar njerëzit.Presidenti i La Ligës? Unë vetëm e di se nuk mund të qëndroja për shkak të La Ligës, për shkak të borxhit të klubit, sepse klubi nuk donte të merrte hua më shumë. Unë kurrë nuk i thashë asgjë presidentit Tebas. Patëm një përshëndetje të përzemërt. Jo nuk kam asgjë për t’i thënë, sepse nuk kam asnjë problem me të.Njerëzit e Barçës më njohin dhe e dinë që jam fitues. Dua të përfundoj vitin e fundit duke garuar për tituj. Përgëzoj Dani Alveshin, i cili fitoi medaljen Olimpike dhe e paralajmëroj se do të shkoj, për të luftuar për ta kapur dhe kapërcyer atë. Ky është mentaliteti im. Unë duhet të gjej rrugën time për të vazhduar të konkurroj dhe të fitoj”.

Në fund një përgjigje edhe për të gjithë ata që e kanë të paqartë se edhe për sa vite do të luajë futboll Lionel Messi.

“Tërheqja nga futbolli? Le të shohim sa mund të duroj në nivelin fizik. Unë nuk kam pasur lëndime serioze. Unë do të luaj deri sa të mundem. Unë e di se një ditë kjo do të përfundojë. Ish-shokët e mi të skuadrës më thonë se është e vështirë dhe të mos kesh atë rutinë është e vështirë”./ Supersport/

Lexo më shumë

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…