SHBA, fituese e Lojërave Olimpike “Tokyo 2020”

Në Lojërat Verore të Tokios morën pjesë 206 Komitete Olimpike Kombëtare dhe plot 11.656 sportistë, ku u shpallën plot 339 fitues.


Nga Alked Gjebrea, Supersport

Gjithsej në Lojërat Verore të Tokios morën pjesë 206 Komitete Olimpike Kombëtare dhe plot 11.656 sportistë, ku u shpallën plot 339 fitues. Ky ishte rasti i katërt kur Japonia priti një Olimpiadë. Në vitin 1964 Tokio organizoi Lojërat Verore, ndërsa në vitet 1972 dhe 1998 Saporo dhe Nagano pritën Olimpiadat Dimërore.

Në Olimpiadën e Tokios u garua në plot 46 sporte të ndryshme. Disa sporte u rikthyen sërish pas një mungese relativisht të gjatë, ndërkaq u përfshinë kategori si minibasketbolli, pra loja me thjesht një kosh dhe 3 kundër 3 si dhe freestyle me bicikletë BMX.

U rikthye gjithashtu gara e stafetës në pistë për meshkuj me biçikleta dhe po e njëjta disiplinë u përfshi edhe në kalendarin e femrave, ndërkohë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar futi në programin olimpik të Lojërave Verore edhe disa gara të përziera për nga gjinia në kategori të ndryshme, kryesisht garat e stafetave si në not, atletikë e sporte të tjera.

Këtë radhë Komitetit Olimpik Vendas iu dha përparësi, për të përfshirë disa sporte të veçanta, një politikë që me sa kuptohet do të favorizojë edhe në të ardhmen kulturën e vendeve organizatore, në këtë aspekt. Kështu në olimpiadën e “vendit të lindjes së diellit” përveç rikthimit të bejsbollit dhe softbollit në Lojërat Olimpike, u shtuan gjithashtu edhe kategori të tjera si për shembull sportet në karate, ngjitje sportive, sërfi apo dhe skeitbordi.

Shqipëria mori pjesë me 9 sportistë, pa mbërritur dot sërish deri te zona e medaljeve, ndërsa Kosova në krahun tjetër shkëlqeu përsëri, ndonëse pati vetëm 11 pjesëmarrës gjithsej. Në këtë mënyrë Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova merituan medaljet e arta respektivisht në kategoritë 48 dhe 57 kilogramë në sportin e xhudos, arritje që e pozicionuan seleksionin “dardan” në vendin e 42-të në klasifikimin e përgjithshëm, bashkë me përfaqësuesen e Bahamasit.

U duk sikur Kina do të rikthehej për të fituar renditjen përfundimtare për herë të parë që nga Olimpiada e Pekinit në vitin 2008, sidoqoftë Shtetet e Bashkuara bënë një përmbysje të jashtëzakonshme pikërisht në 24 orët e fundit, duke triumfuar në medaljerën e përgjithshme për të tretën olimpiadë rresht.

Pas garave të ditës së parafundit, Kina kryesonte me dy medalje të arta më shumë sesa ekipi amerikan, por Shtetet e Bashkuara rikuperuan pikërisht në orët e fundit, duke koleksionuar medaljet e arta në finalet në basketboll për femra, ku triumfuan për herë të shtatë radhazi, boks si dhe volejboll për femra. Në Londër dhe Rio de Janeiro, përkatësisht në vitet 2012 dhe 2016, skuadra amerikane e mbylli aventurën në krye me 46 medalje të arta dhe respektivisht me nga 104 dhe 121 medalje në total, ndërsa këtë herë Shtetet e Bashkuara grumbulluan 113 medalje gjithsej: 39 ari, 41 argjendi dhe 33 bronzi.

Kina u rendit në vendin e dytë për një medalje ari më pak: pra 38 ari, 32 argjendi dhe 18 bronzi, 88 medalje në total. Japonia u përfaqësua në mënyrë më se dinjitoze, duke u ngjitur në podium. Vendi nipon i mbylli këto lojëra me 58 medalje gjithsej, 27 ari, 14 argjendi dhe 17 bronzi, duke lënë prapa Britaninë e Madhe, që e përfundoi Olimpiadën e Tokios në vendin e katërt me 65 medalje.

Kështu Britania e Madhe barazoi kuotën e arritur në Olimpiadën e Londrës nnëtë vjet më parë, ku vendasit patën siguruar 29 medalje ari, 17 argjendi dhe 19 bronzi, ndërsa këtë herë Team GB i mbylli Lojërat Olimpike të Tokios me 22 ari, 21 argjendi dhe 22 bronzi, duke mbajtur kështu prapa Rusinë, për dy medalje të arta më shumë. Rusët nuk u lejuan të garojnë me simbolet e tyre për shkak të dënimit të marrë, për përfshirjen e drejtuesve të lartë të vetë shtetit vite më parë në skandalin e dopingut dhe sportistët e këtij vendi nuk patën as ekip, as flamur dhe as himn, gjithsesi në Japoni nën simbolin ROC Komiteti Olimpik Rus u përfaqësua me plot 330 sportistë, duke bërë një figurë madje më të mirë se sa në vitet 2012 dhe 2016 në Olimpiadat e Londrës dhe Rios.

Britania e Madhe është rritur ndjeshëm në rezultate, sidomos pas Lojërave Olimpike të Londrës, gjë që ndodh rrallë me vendet organizatore, sepse në përgjithësi në vazhdim investimet reduktohen dhe vëmendja natyrisht bie. Medaljen e parafundit Team GB e mori në çiklizmin e pistës, në keirin, me anë të 33-vjeçarit nga Manchesteri, Jason Kenny, që u bë i pari sportist britanik që koleksionon 7 medalje të arta në Lojërat Olimpike.

Një figurë të shkëlqyer natyrisht bëri Italia, që pasi triumfoi në Festivalin Evropian të Këngës, u kurorëzua gjithashtu edhe me titullin e dytë kontinental, për më tepër brenda në Wembley ndaj Anglisë në futboll, ndërsa tani seleksioni i kaltër u la në ar në Olimpiadë, për ta shndërruar këtë stinë në një verë të paharrueshme, teksa e mbylli aventurën në dhjetëshen e parë në klasifikimin e përgjithshëm, me 40 medalje në total, 10 ari, 10 argjendi e 20 bronzi. Të kaltrit morën 5 medalje në “mbretëreshën e sporteve”, që të pesta të arta, duke u pozicionuar në vendin e dytë, pas vetëm Shteteve të Bashkuara, që fituan 7 medalje ari dhe plot 26 gjithsej, në 48 disiplinat e atletikës, sidoqoftë seleksioni amerikan zuri vendin e parë edhe në sportet ujore, duke pasur parasysh 12 medaljet e arta, në not, vaterpol, maratonë, hedhjet nga trampolina apo dhe notin e sinkronizuar.

Një ndër ngjarjet e kësaj Olimpiade është triumfi i 26-vjeçarit të lindur në Teksas, Marcell Jacobs, që i dha Italisë medaljen e parë të artë në garën e 100 metrave, pa harruar gjithashtu edhe lavdinë që morën të kaltrit në stafetën 4 X 100 metra.

Nuk munguan as rekordet botërore me 3 të tillë në “mbretëreshën e sporteve” si dhe 6 rekorde të tjera në pishinë, në garat e ndryshme të notit.

Në ditën përmbyllëse të “Tokyo 2020” u zhvillua edhe gara e maratonës, ku 36-vjeçari kenian, Eliud Kipchoge, që është edhe mbajtësi i rekordit botëror në këtë disiplinë, mbrojti me sukses medaljen e artë të pesë viteve më parë, në Brazil. Po në atletikë do të hiqet përfundimisht si disiplinë gara e 50 kilometrave ecje sportive, meqë nuk praktikohet nga femrat.

Në Tokio pati vetëm dy podiume të kompletuar nga sportistët e vetëm një vendi. Bëhet fjalë për garën e 100 metrave në atletikë për femra, ku Xhamajka respektoi parashikimet, ndërsa në garën e femrave në mountain bike, në cross country ishte Zvicra që pushtoi gjithë zonën e medaljeve.

Si zakonisht, ditën e fundit në një Olimpiadë bëhet edhe ceremonia përmbyllëse e Lojërave Olimpike. Në ceremoninë hapëse Lojërat e Tokios i çeli Perandori Naruhito, ndërsa në ceremoninë përmbyllëse, natyrisht edhe këtë herë pa praninë e spektatorëve, pas himnit olimpik flamuri iu kalua Guvernatores së Tokios, Yuriko Koike, që ia pasoi Presidentit të Komitetit Olimpik ndërkombëtar Thomas Bach, shkruan Supersport.

67-vjeçari gjerman, që udhëheq KON-in që nga viti 2013, deklaroi me krenari se Olimpiada e Tokios ia arriti plotësisht qëllimit, duke ia dalë mbanë për të bashkuar për herë të parë gjatë kohës së pandemisë së Koronavirusit gjithë popujt e globit. Në ekranin gjigant të Stadiumit Olimpik të Tokios me shkronja të mëdha u shkrua arigato, në gjuhën japoneze faleminderit dhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar i kaloi flamurin olimpik kryebashkiakes së Parisit, Anne Hidalgo, duke i përcjellë stafetën pikërisht kryeqytetit francez, që do të ketë privilegjin pas tre vjetësh për të pritur pikërisht Olimpiadën e 33-të të Lojërave Verore.

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…