Taulant Stërmasi: Luiza Gega, “Mbretëresha” e atletikës shqiptare!

Në një intervistë për gazetën “SOT”, trajneri i Luiza Gegës, Taulant Stërmasi, zbulon sekrete nga gara e Tokios, por edhe vështirësitë me të cilat po përballet atletika dhe sporti shqiptar në tërësi.


Lojërat Olimpike Tokio-2020 u mbyllën dhe Shqipëria nuk ia doli as këtë herë të marrë qoftë dhe një medalje bronzi. Natyrisht pati rezultate në përmirësim, sidomos në aspektin e klasifikimit, por pranohet gjerësisht që Shqipëria është ende larg një medaljeje olimpike, sepse sporti i saj është keqmenaxhuar. Për keqmenaxhimin e sportit në këto dy-tri dekada flasin të gjithë, por ku më mirë sesa mungesa e pistës në kryeqytet, e dëshmon këtë. “Mbretëresha e Sporteve”, atletika, e cila është baza e të gjitha sporteve, po lëngon. Ka një zgjim të kohëve të fundit nga kryebashkiaku i Tiranës Veliaj, por sot sporti ynë ka nevojë të futet në hullinë e duhur në shumë aspekte. E për sa kohë nuk është futur në hullinë e duhur, medalja do të mungojë. Në një intervistë për gazetën “SOT”, trajneri i Luiza Gegës, Taulant Stërmasi, zbulon sekrete nga gara e Tokios, por edhe vështirësitë me të cilat po përballet atletika dhe sporti shqiptar në tërësi.

– Atletja juaj pati një arritje historike në Olimpiadë, ia doli të shkojë në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa, por në finale pritej më shumë. Shumë njerëz ishin “mprehur” për medalje. Ju si trajner i saj, si do ta komentonit garën e Luiza Gegës?

Sportistja bëri një eliminatore shumë të mirë, ishte e karikuar për atë garë, e freskët dhe kualifikimi në finale ishte objektivi ynë. Parë në këtë kuadër, ky objektiv u realizua me sukses. Pas kësaj gare ne patëm një problem, sepse sportistja pati një dhimbje, si pasojë e fryrjes së cipës së tendinës. Ka qenë kërkesë e vetë sportistes që ky lëndim të mos bëhej publik. Vendi i 7-të ose i 8-të do të ishte shumë i pranueshëm për ne, por ndryshimi nuk vinte për një ditë ose dy ditë, rikuperimet zgjasin. Të tjerët do të komentojnë sipas dëshirës, por pak e dinë që Luiza pas garës kualifikuese mezi ecte. Nëse ne do të përdornim qetësues, rreziku i këputjes së tendinës ishte shumë i madh. Nuk jam i sigurt nëse mund ta ndërmerrnim këtë hap. Një australiane e ka provuar këtë, pra me qetësues, dhe ajo u dëmtua rëndë gjatë garës, sepse këputi tendinën. Sportistja jonë ka bërë sakrificë dhe unë e kuptoja, se sa herë kalonte pengesën bëhej keq. Pas garës e kam mbajtur në krahë, sepse nuk mund të ecte. A ndodhin këto në sport? Sigurisht që ndodhin dhe neve na ndodhi kjo. Lufta tani e tutje është të rikuperojmë sportisten për sfidat e ardhshme. Nuk kemi urgjencë, sepse në radhë të parë vjen shëndeti i sportistes, por përpjekjet duhet të nisin që tani.

– Çfarë mësimesh keni nxjerrë nga gara finale e Luiza Gegës dhe në tërësi nga prezantimi i delegacionit tonë sportiv?

Mjekësia Sportive, ajo na mungon shumë. Na duhen të paktën dhe 6 vite që të kemi mjekët e duhur për specifikat sportive. Politika jonë sportive nuk ka punuar në këtë drejtim dhe pasoja është e rëndë, sepse ne nuk kemi mjek të posaçëm. Duke mos pasur mjekun e duhur, ne nuk e dimë kur sportisti është gati për garë. Pra problemi ynë është që tek stërvitja, në mënyrë që të parandalohet dëmtimi. Fizioterapia është një problem i madh i atletikës tonë.

– Shumë njerëz, kur kanë parë postimin tuaj në rrjetet sociale dhe deklaratat e sportistes pas garës, kanë menduar se do të ketë një tërheqje të sportistes nga sporti. Është e vërtetë?

Ah, jemi mësuar me këtë tashmë, s’na bën përshtypje. Kanë kaq vite që thonë Luiza nuk ka ç’jep më, nuk ka ku shkon. Vetë federata e ka lënë këtë shteg interpretimi, pra të tërheqjes. Por performanca e saj është e saj. Ne kemi edhe vajza të reja të talentuara, por kur të kapin rezultatet e saj atëherë i themi Luizës: “po, tani duhet të hapësh krahun”. Po si mund të mendohet tërheqja e një sportisteje që është numri 13 në ranglistën botërore. Sa sportistë shqiptarë e kanë këtë “status”? Ku janë të tjerët? Luiza ka bërë për atletikën e këtij vendi atë që s’e ka bërë askush. Luiza është sportiste që ka shkuar në Olimpiadë me normë e jo me ftesë. Kur mendon dhe dëgjon njerëz që i përmendin tërheqjen, është pak të thuash se kjo është të qash. Kur flasim për medaljet, më parë duhet të analizojmë situatën ku jemi.

– I kthehemi statusit tuaj, kishte një mesazh të çuditshëm përmbajtja e tij. Ju duket sikur po mbronit sportisten nga akuzat pse nuk mori medalje olimpike, apo jo?

Ju e dini, unë nuk shkruaj shpesh, nuk bëj statuse, por ishte momenti. Nuk e kam postuar mesazhin tim para finales, edhe pse e dija që sportistja ishte e lënduar, sikurse thashë kishte dhimbje në tendinë. Por edhe me këmbë të vrarë, Luiza Gega i la tre veta mbrapa në finale. Po pse e bëmë ne garën? Sepse ne donim që emri i sportistes të ishte në listën e finalistëve. Finalist quhesh kur e bën garën. Unë ju siguroj që Luiza do të vijojë të regjistrojë rekorde edhe për nja tre vite të tjera.

– Dua të flasim për një çështje që është gangrenë për atletikën shqiptare, pistën. A mund ta përfytyrojnë sportistët e Olimpiadës se një konkurrente e tyre në finale vjen nga një vend, kryeqyteti i së cilës nuk ka pistë?

Para se të dal aty, desha të kujtoj se në intervistat e mia dhe të Lizës nuk gjen fjalë për premtime për medalje apo të ngjashme. Ne kemi thënë se kemi objektiv arritjen e finales dhe në finale të japim më të mirën. Ne e besonim këtë ëndërr, pra finalen, dhe ia dolëm. Defekti i garës së saj është kalimi i pengesës, një tregues ku edhe unë si trajner nuk kam çfarë të bëj, s’mundem dot. Për të përmirësuar këtë aspekt ne kemi bërë vetëm një stërvitje në prill me 7 pengesa, por sportistja kishte nevojë për të paktën një herë në javë kapërcim pengese me ujë. Pse nuk e kemi bërë? Sepse nuk kemi ku e bëjmë. Dy pista ka Shqipëria, një në Korçë e një në Elbasan, por pengesa me ujë kërkon kushte specifike. Tani, kryetari i Tiranës, Erjon Veliaj, më ka takuar dhe më ka premtuar se do ta bëjë pistën prapa “Sheratonit”. Edhe sikur të nisë në këtë moment, pista do më shumë se një vit të bëhet, sepse janë elementët e saj, si tartani etj, që kërkojnë kohë të instalohen e të testohen. Megjithatë, nëse do të bëhet aty do të ishte kryevepër, sepse do të ishte dhe një pistë ekologjike, aty është ambienti i duhur, i vlen kryeqytetit. Unë i dëgjoj njerëzit që shprehin pakënaqësi, duke kërkuar medalje, por të flasësh për medalje në këto kushte që kemi, është si të tregosh barsoleta. Nuk ka asnjë rival europian apo botëror me të cilin mund të krahasohemi. Por prapë, qëllimi ynë ka qenë të japim 100% për vendin tonë dhe Luiza është përmirësuar ndjeshëm, sidomos dy vitet e fundit. Për t’ju kthyer edhe një herë pyetjes tuaj, mbi mësimet që nxorëm nga kjo Olimpiadë, unë do të theksoja se kemi një keqmenaxhim të sportit. Që të kemi sport me pretendime duhet të niset nga themelet, me investime në infrastrukturë, me mbështetje financiare, me mjekësi sportive efikase e ku secili të bëjë punën e tij. Nëse nuk rrisim masivitetin, nëse nuk trajnojmë teknikët dhe t’i paguajmë ata të paktën si mësuesit e fiskulturës, nëse nuk bëjmë grumbullime të gjata në kohë, nëse nuk investojmë sa duhet me elementin, atëherë vështirë të arrijmë rezultatet e dëshiruara. Kam gati dy dekada trajner i atletikës. A e dinë lexuesit se sa merr një trajner i atletikës? Nga viti 2002 deri në vitin 2016 një trajner atletike merrte 7700 lekë në muaj. Po çfarë pagese qenka kjo?! Sot një trajner sporti merr mes 108 deri në 250 mijë lekë të vjetra në muaj. Kur trajnerin e paguan edhe i kërkon llogari, por me këto pagesa çfarë llogarie t’i kërkosh?! Nëse nuk nxjerrim mësime nga kjo situatë, atëherë rrahim ujë në hava.

– A keni në ekip sportistë të tjerë premtues?

Po, kemi sigurisht, janë 7 vajza dhe janë kampione në nivel ballkanik. Kemi Redia Dautin, 17 vjeç, kampione e Ballkanit dhe me rezultatin më të mirë në Europë për moshën e saj. Është dhe motra e saj Relaksa Dauti, që ka një stanjacion për momentin, por e ka potencialin për rezultat të lartë dhe për moshën e saj është e 9-ta në botë. Vajzat bëjnë vrapimet në distancë, 800 e lart. Shpresoj të ecin në rrugën e Luizës.

– Si e sheh të ardhmen?

I mëshoj faktit që përmenda më lart. Çfarë do të presim ne nga trajnerët që paguhen 108 mijë lekë të vjetra? Çfarë do të presim nga atletika kur në të gjithë vendin ka vetëm dy pista?

– A i keni shtruar këto probleme atje ku duhet të marrin zgjidhje?

Mendoni se nuk e kam bërë? Kam kaq vite që trokas e flas. Erjon Veliaj më tha më sill projektin, dhe do t’ia çoj, por nuk është kaq e lehtë. Këta duan të mendojmë për Olimpiadën 2024, por me çfarë do të shkojmë atje? Pretendojmë të çojmë të rinj… Po ku i kemi, ku janë këta të rinj kampionë europe e bote që kemi? Unë s’njoh ndonjë. Ua kam thënë hapur, nëse nuk mendojnë seriozisht e nuk veprojnë, në Paris do të shkojmë prapë me këta që kemi. A do të vijnë medaljet olimpike për Shqipërinë? Sigurisht që po, por vetëm atëherë kur për sportin të mendohet seriozisht. Nuk bëhet sporti shqiptar duke sjellë një Matvei në gjimnastikë apo ku di unë. Edhe unë mund të sjell një kenian këtu, ta paguajmë mirë dhe e kemi të gatshëm e pretendent për medalje, por… Kësaj i thonë të të dhurojnë një medalje. E merr të gatshëm, po ti çfarë ke bërë për të nxjerrë kampionë? Asgjë, atëherë çfarë fitove? Asgjë. Prandaj kjo punë duhet menduar mirë, duhet kapur problemi nga rrënjët.

Intervistoi: Adriatik BALLA

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…