Arian Zëre, “Barezi” beratas

Në karrierën 17-vjeçare qëndërmbrojtësi ka luajtur me 5 skuadra: Tomorin, Partizanin, Tiranën, Teutën dhe Egnatian.


Nga Agron Kaja, gazetar sportiv

Arjan Zëre e nisi dhe e mbylli karrierën e tij në futbollin beratas si një pasardhës i denjë i Robert Kokalarit në rolin e qendërmbrojtësit te skuadra e Tomorit. Madje në ndeshjen e parë në muajin shtator 1989 kur Bert Kolalari u largua zyrtarisht nga futbolli,  fanelën me numrin 3 ia dorëzoi pikërisht Arjan Zëres. Por edhe pse gjatë karrierës së tij Arjani provoi disa skuadra të tjera të futbollit shqiptar (Partizani, Teuta, Tirana dhe Egnatia), periudhën me Tomorin e vlerëson si më të mirën. Ai ka edhe një të veçantë në rrugëtimin e tij si futbollist, sepse në asnjë rast nuk ka dalë kampion, por vetëm nënkampion e fitues i Kupës me disa skuadra. Këtë ai e quan fat, por në këtë karrierë mbojtësi Zëre veçon dhe respekton shumë tifozerinë e Tomorit, që sipas tij e bëjnë më të bukur këtë futboll në Berat. Për ta edhe sot ndjen respekt për sa i kanë dhënë skuadrës ndër vite. Tifozët.al e gjeti Arian Zëren në përditshmërinë e biznesit të tij privat, në nisje të stërvitjes fizike ditore.

***

-Arjan Zëre ku është “fshehur”, me vështërisë të gjeti Tifozët.al?!

Unë në natyrën time personale nuk jam shumë i ngjitur, por edhe nuk e refuzoj median, ndërkohë që do të përfitoj ti shpreh konsideratat më të mira Tifozët.al. Sepse e lexoj dhe më duket një medie serioze që po paraqet me kulturë e profesionalizëm gjithë spektrin sportiv, në veçanti futbollin.

-Në përditdshmërinë tuaj pas mbylljes së karrierës si futbollist, e ndiqni ritmikën e futbollit shqiptar?

Për mua është e pashmangshme ndjekja e ritmikës së futbollit shqiptar. Ndjek kryesisht Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Parë, por më pëlqen të shoh edhe ndeshje të moshave. Natyrisht që ndjek aq sa më lejon mundësia, sepse merrem me një biznes privat, por e “vjedh” kohën nga të tjera punë për të qenë pranë futbollit.

-“Dinastia” Zëre e ka nisur shpejt karrierën me Tomorin, po Arjani si i kujton fillimet e tij në futboll?

Fillimet në futboll për mua nisin në moshë të vogël, por kujtoj që me paratërinjtë e Tomorit e kam nisur në vitin 1985 dhe me të rinjtë në vitin 1987. Ndërsa kur isha në moshën 17 vjeçare (1988) trajneri Guxim Mukli më afroi me skuadrën e të rriturve të Tomorit dhe luajta si titullar në vazhdimësi, në kampionat, në kupë dhe në ndeshjet ndërkombëtare.

-Në elitë me Tomorin e keni nisur pa mbushur 17 vjeç, e mban mend ndeshjen e parë në elitë?

Me të rriturit e Tomorit nisa të luaj në moshën 17 vjeç, ndërsa ndeshjen e parë e kam luajtur kundër Lokomotivës në Berat në shtator të vitit 1989. Ndeshjen e fundit me Tomorin e kam luajtur ndaj Flamurtarit në vitin 1999. Gjatë karrierës kam luajtur me disa skuadra, por si Tomori, asnjëra nuk më ka dhënë emocione.

-Vajtje e ardhjet te Tomori i kishit të shpeshta, çfarë veçoni me këtë fanelë?

Kam shumë ndeshje në kujtesë…! Po e veçoj atë kundër Partizanit në kampionatin 1994-1995. Ndeshja luhej të dielën, ndërkohë që unë gjithë natën e së shtunës dhe të dielën paradite isha në përcielljen mortore të djalit të hallës. Në skuadër dhe tifozët nuk më prisnin, por unë menjëherë pas varrimit shkova në stadium, u zhvesha dhe hyra në fushë. Trajneri Kiço Mile më besoi, edhe pse në shikimin e tij unë pashë një keqardhje. Moment që nuk do e harroj.

-Për lexuesin e Tifozët.al, cilat janë skuadrat që ju keni luajtur gjatë karrierës si futbollist?

Në karrierën time 17 vjeçare unë pata mundësinë që të luaj me 5 skuadra. Në sezonet 1989-1994 me Tomorin; në vitin 1994 me Partizanin; në sezonet 1995-1997 me Tomorin; në sezonin 1997-1998 me Tiranën; në sezonin 1998-1999 me Tomorin; në sezonet 2000-2004 me Teutën; në vitin 2004 me Partizanin; në vitin  2005 me Egnatian dhe në sezonet 2005-2007 me Teutën.


-Kësisoj, mos dukeni i dashuruar me skuadrat e kryeqytetit, ndërkohë që edhe sot banoni në Tiranë?

Në fakt unë e quaj vehten të “dashuruar” me Teutën dhe Durrësin, të cilin sot e quaj si vendlindja ime e dytë. Ndërsa te Tirana do veçoja vetëm peshën e tifozëve, të cilët i krahasoja me ata të Tomorit, kryesisht në ndeshjet derbi të kryeqytetit.

-Në karrierën tuaj me fanelën e Tomorit, si e vlerësoni tifozerinë beratase?

Karriera ime si futbollist ka edhe të veçanta, por unë po e përmend me respekt si më  kryesore tifozerinë e Tomorit. Në respekt të fanelës dhe të kësaj tifozerie, mendoj se futbolli në Berat duhet të ndryshojë me themel. Kam parasysh këtu infrastrukturën e dobët dhe mungesën e Akademiës së klubit, ku edhe në qytetet e vogla ka 2-3 fusha stërvitore e për ndeshje, ndërsa Tomori këtu ka mangësi.

-Në vitin 2000 u larguat nga Tomori që në atë sezon doli nënkampion, mos ishit ju “tersi” që nuk doli kampion?

(Qesh) Po të isha unë te Tomori në atë sezon, e them me bindje se do të dilnim kampionë, por u largova në fazën e dytë ku luajta për Teutën. Tomorin e ndiqja në gjithë ritmikën e ndeshjeve, dhe kur luaja kundër kisha shumë emocion. Në atë periudhë kam një kujtim të bukur nga ish-trajneri italian i Erzenit, Tiziano Gori, pas një ndeshjeje Teuta-Tomori më përqafoi e më tha: “Ti je Barezi shqiptar”.

-Si një ish, mendoni se titulli kampion i sezonit 1999-2000 i takonte Tomorit dhe jo Tiranës?

Ai titull kampion i takonte Tomorit, ose Teutës, dhe aspak Tiranës. Atëhere FSHF-ja drejtohej nga njerëz pa personalitet e të kompromentuar, të cilët padrejtësisht e ndryshuan rregulloren kur gjithçka kishte mbaruar për Tomorin. Unë e quaj si një akt të dënueshëm ligjërisht dhe shpresoj një ditë drejtësia të vihet në vend.

-Ju banoni në Tiranë, po për Tomorin si e mendoni vazhdimësinë?

Unë e ndjek Tomorin dhe nuk ndjehem mirë që ajo fanelë luan në kategoritë inferiore. Kjo besoj e ka një arsye dhe unë mendoj se në drejtim e klubit duhen edhe njerëz të ditur që të jenë në raport me kohën sot. Bazat duhet ti ketë te Akademia që ende nuk funskionon në futbollin beratas. Sepse Berati është një qytet që jeton me futbollin, të cilin tifozët e bëjnë më të bukur. Për gjithë atë “armatë” unë edhe sot ndjej respekt.

-Në 20 vite karrierë keni luajtur vetëm në elitë, çfarë ka të veçantë kjo statistikë?

Asnjë titull kampion dhe tre Kupa të fituara, një Superkupë dhe një Kupë Mbarëkombëtare, besoj se kjo është e veçanta kryesore e karrierës sime në futboll. Kujtoj se kam luajtur me skuadra kampione dhe me dy breza futbollistësh, të cilët u bënë frymëzimi im, por asnjëherë nuk kam fituar titullin kampion. E mendoj si çështje fati.

-Me kombëtaren ju keni patur një mundësi të hershme, keni diçka më konktrete për aktivizimet me përfaqësueset tona të futbollit?

Unë kam luajtur në 9 ndeshje me Kombëtaren Shpresa U21 dhe në kohën kur drejtoi Brigeli më kërkoi në dy raste: “Dua numrin 3 të Teutës”, u kishte kërkuar në FSHF. Por atëhere Kombëtarja ishte bërë si pazar i gjësë së gjallë, nëse nuk paguaje, nuk mund të hyje në skuadër. Këtë sot e them me seriozitet e përgjegjësi.

PARAPORTA SPORTIVE E ARIAN ZËRE

Datëlindja: 25 dhjetor 1971
Vendlindja: Berat/ Vendbanimi: Tiranë
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Roli në fushën e lojës: Qendërmbrojtës
Numri këmbës: 41/ Shtatlartësia: 180 cm
Fillimi në elitën e futbollit shqiptar: Në vitin 1989 me Tomorin

Skuadrat ku ka luajtur: Në sezonet 1989-1994 Tomori; në vitin 1994 me Partizanin; sezonet 1995-1997 Tomori; sezoni 1997-1998 Tirana; sezoni 1998-1999 Tomori; sezonet 2000-2004 Teuta; në vitin 2004 me Partizanin; në vitin 2005 me Egnatian; në sezonet 2005-2007 me Teutën.

Trofe të fituar: Në viti 2000, Kupën me Teutën; në vitin 2004, Kupën me Partizanin; në vitin 2004, Superkupën me Partizanin; në vitin 2005, Kupa Mbarëkombëtare me Teutën.

Ndeshje ndërkombëtare 29: Në përbërje të Tomorit, Teutës, Partizanit e Tiranës 16; Me kombëtaret e moshave deri U21 në 9 ndeshje; Me Kombëtaren grumbulluar 4 herë, luajtur 1 miqësore.

Largimi nga futbolli i luajtur: Në vitin 2007
Jashtë futbollit: Biznes privat

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…