Ndeshjet e Kombëtares, Reja: Ky grup lojtarësh mund të na japë kënaqësi të mëdha

Në prag të nisjes së grumbullimit për eliminatoret e Kupës së Botës, Katar 2022, trajneri Edi Reja dha një prononcim nga shtëpia e tij në Itali


Në prag të nisjes së grumbullimit për eliminatoret e Kupës së Botës, Katar 2022, trajneri Edi Reja dha një prononcim nga shtëpia e tij në Itali, ku ndër të tjera shpjegoi edhe zgjedhjet që ka bërë në listën e futbollistëve që ka ftuar për ndeshjet e fillimit të shtatorit.

“Kemi një listë prej 30 lojtarësh, por kemi edhe probleme me dëmtimet, si me Dermakun, Veselin e Lenjanin, të cilët duan disa javë për t’u rikthyer në fushë. Balliu po bën shumë mirë te Rayo Vallecano në La Liga dhe kam folur me të në telefon, por vuan nga pubalgjia dhe nesër do të vendosim nëse do të vijë apo jo. E njëjta situatë është edhe me Xhakën, që vjen pas një dëmtimi 6-mujor në gju dhe nuk ndihet ende gati për të dhënë kontributin e tij, megjithatë edhe në këtë rast, e kemi lënë që të vendosim në mënyrë të sinqertë, në dy ditët e ardhshme. Ndërkohë vjen për herë të parë me ne edhe Ernest Muçi, që ka qenë pjesë e Shqipërisë U21 dhe e ndjekim prej disa kohësh, pasi është vetëm 20 vjeç. Kemi gjithashtu edhe Çepelen, që e njihni tashmë. Misioni është të integrojmë këta të rinj së bashku, si Broja, Çokaj, Çepele e Muçi, të cilët janë vërtetë futbollistë me perspektivë. Pjesa tjetër janë futbollistë të grupit që e kemi krijuar tashmë”, tha trajneri italian.

Një pjesë e mirë e futbollistëve që ka vendosur të grumbullojë trajneri Reja, po bëjnë mjaft mirë në skuadrat përkatëse dhe po luajnë rregullisht, teksa vetë tekniku italian pranon se është i kënaqur me aktivizimin e tyre.

“Po bën shumë mirë Çekiçi, që është transferuar në klubin e Cikalleshit dhe të dy po luajnë rregullisht në formacion. Ka shumë lojtarë që po luajnë rregullisht, por më vjen keq për Berishën e Strakoshën, që po qëndrojnë në stol, por që meritojnë shumë më tepër besim. Ata stërviten rregullisht, por ndoshta nuk i kanë reflekset e ndeshjes, pasi nuk po luajnë. Pjesa tjetër si Gjimshiti e Ismajli luajnë rregullisht, ndërsa Kumbulla është shumë mirë, ndonëse nuk ka luajtur në javët e fundit. Edhe Hysaj, Doka, Roshi, Trashi e Mitaj po luajnë rregullisht, ashtu si Bare e Laçi. Kemi edhe Manajn, që nuk po luan, por stërvitet me ekipin e parë të Barcelonës dhe gjatë verës ka bërë mirë në disa miqësore. Më ka thënë se është në formë mjaft të mirë, edhe pse nuk luan”, u shpreh Reja.

Nedim Bajrami mund të jetë një tjetër risi e përfaqësueses kuqezi, pasi mesfushori që po spikat me Empolin edhe në Serinë A, pret miratimin nga FIFA që të veshë fanellën kuqezi, teksa trajneri Reja pranon se mirëpret një futbollist me cilësitë e tij në grup.

“Sa i përket Bajramit, presim vendimin e kësaj seance gjyqësore. Kam folur me të dhe babanë e tij, dhe të dy më kanë konfirmuar se dëshiron të luajë për Shqipërinë, por ekziston ky ngërçi ligjor. Përgjigjen do ta kemi të hënën, ose maksimumi të martën, pasi këto janë datat e FIFA-s dhe duhet të presim. Unë uroj që të mund të vijë të luajë me ne, pasi është një lojtar që mund të na japë diçka më shumë nga mesfusha e përpara, për vetë cilësitë që disponon, pasi driblon mirë dhe godet shpesh portën. Ka pasime shumë cilësore filtruese dhe do të ishte një vlerë e shtuar për grupin tonë”, u shpreh trajneri.

Kuqezinjtë do të luajnë tre ndeshje në harkun e 6 ditëve, teksa Reja pranon se kalendari është vërtetë i ngjeshur, por shton se ka besim te cilësitë e lojtarëve të tij dhe pret që sidomos ndaj Hungarisë e Polonisë, të marrë një tjetër sinjal të rritjes së tyre.

“Të luash çdo tre ditë nuk është asnjëherë mirë, por kjo vlen edhe për kundërshtarët tanë, ndaj në këtë pikë jemi të barabartë. Unë jam i bindur që ky grup mund të bëjë mirë, pasi jemi rritur dhe kemi fituar eksperiencë të rëndësishme. Miqësoret ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke kanë qenë shumë të rëndësishme, pasi kemi qenë konkurrues me dy përfaqësuese që kanë marrë pjesë në Europian. Jemi përmirësuar me lojën nga mesfusha e para, pasi djemtë tani janë më të lirshëm dhe më të bindur në atë që duan të bëjnë. Dimë shumë mirë vlerat tona, por në të njëjtën kohë edhe defektet tona, ndaj do të provojmë të korrigjohemi gjatë këtyre ditëve, për t’u paraqitur sa më mirë në eliminatore. Luajmë kundër dy skuadrave shumë të forta si Hungaria dhe mbi të gjitha Polonia, të cilat kanë treguar se janë përpara nesh në aspektin e cilësisë, por edhe ne duam të tregojmë se nuk mbetemi mbrapa. Unë jam i bindur, që nëse të gjithë jemi në gjendjen optimale, mund të marrim shumë kënaqësi prej kësaj skuadre. Më mungojnë të dëmtuarit, sepse do të kisha më shumë mundësi zgjedhjeje, megjithatë do të luajnë më të mirët dhe do të provojmë të bëjmë sa më mirë në fushë”, deklaroi tekniku Reja.

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…