Dashnor Dume, virtuozi kuçovar që shkëlqeu në Shqipëri dhe Rumani

23 vite karrierë dhe mbi 700 ndeshje me Naftëtarin, Tomorin, Bylisin, Otelulin në Rumani, si dhe ndeshje ndërkomëtare.


Nga Agron Kaja, gazetar sportiv

Dashnor Dume është një nga futbollistët më jetëgjatë në futbollin shqiptar, pasi në karrierën e tij nga sezoni 1981-1982 me Naftëtarin luajti me disa skuadra të futbollit shqiptar dhe në atë rumun, duke shënuar kështu emrin e tij edhe në Europë. Gjatë kësaj karriere, Dume luajti edhe me Kombëtaren A, ndërkohë që mbylljen e karrierës (2003-2004) e kishte lënë përsëri atje ku edhe e nisi rrugëtimin e tij me futbollin e luajtur, në Kuçovë me Naftëtarin. Janë 23 vite karrierë në të cilat mesfushori i ka kaluar në tre skuadra shqiptare: Naftëtari, Tomori e Bylisi, ndërsa në tre sezone luajti në Rumani me Otelul Galati. Kur pyetet se me cilën skuadër është ndjerrë më mirë në karrierë, Dume përmend Bylisin e Ballshit, që sipas tij i dha më shumë hapësirë e mundësi në lojë, dhe më shumë financa. Por edhe Naftëtari mbetet starti i karrierës së tij, ndërsa Tomori pedana. Të gjitha këto Dashnor Dume i rrëfeu për Tifozët.al, duke sjellë në memorrjen e tij edhe të veçanta të tjera nga kjo karrierë e gjatë.

 

-Rrugëtimin tuaj në futbollin e luajtur ta quajmë: Nga Naftëtari-te Naftëtari?

Mendoj se ishte një detyrim moral e qytetar që unë ta mbyllja karrierën me Naftëtarin. Unë luajta futboll deri në vitin 2004 kur sapo i kisha mbushur 43 vitet e jetës. Mund të luaja edhe një apo dy vite të tjera, por mbylljen me Naftëtarin e bëra në respekt të skuadrës që mua më formoi si futbollist, të komunitetit e të tifozerisë në veçanti, për të cilët ndjej një respekt e detyrim moral të veçantë.

-Si e kujton Dashnor Dume ndeshjen e parë me Naftëtarin në elitën e futbollit shqiptar?

Ndeshja e parë me fanelën e Naftëtarit ka qenë në vitin 1981 në Kupën e Republikës ndaj Luftëtarit në Kuçovë. Unë hyra në pjesën e dytë në lojë dhe topin e parë që kapa në mesfushë e pasova te Faqekuqi, i cili shënoi golin e fitores. Ishin emocione të mëdha sepse luajta ndaj një skuadre si Luftëtari që atëhere kishte në përbërje Brahon, Kallucin, Seitin, Shonin e shumë talente të tjerë.

 -Po ndeshja e fundit e karrierës suaj në futbollin e luajtur, cila është?

Edhe ndeshjen e fundit në karrierë unë e kam luajtur në përbërje të Naftëtarit. E mendova që të ishte e tillë mbyllja dhe kujtoj se kam shënuar golin e barazimit ndaj Egnatias në vitin 2004. Ky ishte edhe goli im i fundit në karrierë, ndërkohë që golin e parë e kisha shënuar në vitin 1982 kundër Labinotit në kampionat.

-Mes mbrojtjes dhe mesfushës, cili pozicion ka qenë më i preferuar për ju në fushën e lojës?

Unë kam luajtur në të gjitha pozicionet: mbrojtës, mesfushor por edhe sulmues në raste të rralla, vetëm portier jo. Por pozicioni që e kam pasur me shumë pasion e kënaqësi, ishte qëndërmbrojtës. Sepse unë i prisja sulmuesit si të lodhur dhe aty me mundësitë e dhuntitë e mia sportive dilja më shumë fitues.

-Në sa skuadra luajtët gjatë karrierës suaj 23-vjeçare në futbollin e luajtur?

E nisa karrierën me Naftëtarin në vitin 1981 kur isha 18 vjeç. Shtatë vite më pas (viti 1988) në Kuçovë ndodhën trazira në stadium në ndeshjen me Dinamon, e duke qenë se Naftëtari u dënua, së bashku me pesë futbollistë të tjerë shkuam te Tomori. Në një farë mënyre, atëhere ky kalim na shpëtoi karrierën, sepse Naftëtari më pas u shpërbë si ekip. Otelul në Rumani e Bylisi, këto ishin skuadrat e tjera ku unë luajta në karrierë.

-Luajtët tre sezone në Rumani me Otelul, si e krijuat “koloninë” beratase në këtë skuadër?

Kalimi me Otelul Galati në Rumani erdhi pas ndeshjeve në Kupën Ballkanike që Tomori luajti me këtë skuadër në nëntor 1991. Që në ndeshjen e parë në Berat ku unë shënova gol në fitoren 2-0, trajneri rumun më bëri ftesë mua, Vodës e Masatit. Ishte përvojë shumë e bukur në tre sezone dhe unë ende ruaj kujtime të mira.

-Cila ka qenë skuadra që ju dha më shumë emër gjatë karrierës suaj në futboll?

Me të gjitha ekipet ku unë pata fatin të luaj, kam kaluar shumë mirë dhe ndjej respekt. Por Bylisi më dha më shumë hapësirë e mundësi në lojë, dhe më shumë financa. Ishte një ekip shumë i organizuar dhe i mirëpaguar, elementë këto që i duheshin garës dhe individit. Ndërkohë që Naftëtari mbetet starti, Tomori pedana e karrierës sime.

-Si e bëni sot krahasimin e skuadrave ku e nisët, e vazhduat dhe e mbyllët karrierën tuaj?

Për nga mënyra e lojës, mendoj se Naftëtari, Tomori e Bylisi kanë specifika të veçanta. Naftëtari ishte ekip teknik e simpatik, Tomori ekip me vrrull e vullnet, ndërsa Bylisi ishte ekip taktik e racional në gjithë sektorët e fushës. Ndërkohë që Oteluli ishte një ekip me nivel më të lartë, edhe për faktin se aty luanin disa futbollistë me emër në futbollin rumun.

-Çfarë do sugjeronit në përmirësimin situatës ku aktualisht ndodhen të treja  skuadrat shqiptare ku ju luajtët?

Të treja sot nuk janë në elitën e futbollit shqiptar, e për këtë ndjej keqardhje. Bylisi është më i organizuar, duke nisur që nga moshat dhe ka një në të ardhme të sigurtë, ndërsa këtë nuk nuk e shoh te Naftëtari e te Tomori. Madje në Kuçovë duket si një ekip i shpërbërë, nuk ka një punë me brezat dhe e ardhmja duket shumë e zymtë. Situata e Naftëtarit duket se sa vjen e degradon si skuadër, kjo nuk më afron.

-Keni qenë edhe pjesë e Kombëtares në katër vite, si e kujtoni këtë përvojë?

 Për çdo futbollist, Kombëtarja është kulmi i karrierës. Unë pata fatin në atë periudhë (1990-1994) se lujta me futbollistë të mëdhenj në futbollin shqiptar, si Demollari, Zmijani, Josa, Kola, Minga, Kushta, Iljadhi, Çipi, Taho, Gjondeda e shumë talente të tjerë. Përvoja e tyre më ndihmoi shumë dhe ndjehem i lumtur për 6 ndeshjet që luajta me fanelën kuqezi.

-Kombëtarja është në prag të tri ndeshjeve eliminatore për Botërorin “Katar 2022”, cili është këndvështrimi juaj?

Mendoj se trajneri Reja ka në dispozicion një grup shumë të mirë lojtarësh. Të gjithë luajnë në kampionate të rëndësishme në Europë dhe ky duhet të jetë motivimi kryesor tek të gjithë, gjithmonë në respekt të fanelës kuqezi. Do të dëshiroja që në tre ndeshjet e radhës të marrë 7 pikë, dhe ky do të ishte një rezultat që do ta fronte me kualifikimin në grup.

-Pas lënies së futbollit ju përkushtuat trajningut, sot pse jeni larguar: nuk e përballuat ngarkesën, apo keni arsye tjetër?

Jo se nuk e përballova ngarkesën e trajnerit, por se e shoh që drejtues të futbollit në klube e bashki, por edhe individët që i gjenden me financa futbollit, nuk janë të interesuar fare për trajningun. Shpesh drejtuesit e klubeve, apo të bashkive nisen nga vendime e zgjedhje të çastit dhe nuk mendojnë për afate, të paktën për synime afatmesme. Ndërsa dalja ime si Delegat i FSHF-së, më jep kënaqësinë e lojës së futbollit.

PASAPORTA SPORTIVE E DASHNOR DUME

Datëlindja: 17 shtator 1963/ Vendlindja: Kuçovë
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Roli në fushën e lojës: Mesfushor-mbrojtës.
Numri këmbës: 41/ Shtatlartësia: 178 cm
Hyrja në elitën e futbollit shqiptar: Sezoni 1981-1982 me Naftëtarin.
Skuadrat ku ka luajtur: Naftëtari 1981-1988 (196 ndeshje); Tomori 1988-1992 (116 ndeshje); Otelul Rumani 1992-1995 (106 ndeshje); Bylis 1995-1998 (102 ndeshje); Tomori 1998-1999 (32 ndeshje); Naftëtari 1999-2004 (122 ndeshje);
Në total luajtur 674 ndeshje në kampionat e kupë.
Ndeshja e parë në karrierë me Naftëtarin: Në Kupë në vitin 1981, Naftëtari-Luftëtari 1-0.
Goli i parë në karrierë me Naftëtarin: Në vitin 1982, Naftëtari-Labinoti 1-1.
Ndeshja e fundit me Naftëtarin: Në vitin 2004, Egnatia-Naftëtari 1-1.
Goli i fundit i karrierës me Naftëtarin: Në vitin 2004, Egnatia-Naftëtari 1-1
Ndeshje ndërkombëtare 30: Me Tomorin 2 ndeshje në Kupën Ballkanike; Me Bylisin 2 ndeshje në Kupën UEFA; Me Kombëtaret 26 ndeshje: Në vitet 1978-1980 me U16, luajtur 8 ndeshje; në vitet 1982-1984 me U 21, luajtur 12 ndeshje; në vitet 1990-1994 me Kombëtaren A luajtur në 6 ndeshje.
Në total 704 ndeshje në karrierë: 674 në kampionate e kupa, 30 me kombëtaret.
Karriera si trajner (166 ndeshje): Në 2003-2004 Zv/trajner Bylis, 2004-2005 Poliçani, 2005-2006 Naftëtari, 2006-2007 Tomori, 2008-2009 Bylis, 2014-2015 Naftëtari.
Titulli Sportiv: Mjeshtër Sporti.
Detyra e pozicione në futboll: Nga viti 2016, Delegat i FSHF-së në ndeshjet e futbollit shqiptar.
Aktualisht: Nënpunës në administratën e Albpetrol, Kuçovë.

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…