Fatos Muça, “Mjeshtri Ndërkombëtar” që e shndërroi shahun shqiptar në një legjendë!

Në vitin 1974, shpallet kampion për herë të parë, për të filluar epokën “Muça”, 11 vjet kampion rresht: 1974 -1989.


Nga Dash Frasheri

Kur ishte ende një fëmijë që pëlqente me shumë akulloret, Fatos Muça, pa për herë të parë dy burra që luanin shah në sheshin në afërsi të shtëpisë së tij në Durrës dhe nisi të qeshte kur dëgjonte emrat e gurëve “mbreti, mbretëresha, oficeri, kali, ushtari”. I dukej sikur si një lojë përrallash.

Atëherë, ai ishte vetëm 6 vjeç dhe i pëlqente si çdo fëmijë futbolli, basketbolli, por dhe pingpongu. Bëhet fjalë për vitin 1955. Tre vjet më pas, ai nisi shahun në mjediset e shkollës “10 Korriku” kur ishte në klasin e tretë, duke vazhduar më pas në rrethin e shahut të Shtëpisë së Pionierëve në Durrës.

Instruktori i tij i parë është Fatmir Turkeshi, por lëvdatat e para të mëdha i mori nga i mirënjohuri Zef Ashta gjatë një takimi midis Pallatit i Pionierëve të Durrësit dhe atij të Tiranës. Në vitin 1974, shpallet kampion për herë të parë, për të filluar epokën “Muça”, 11 vjet kampion rresht: 1974, 1976, 1977, 1978, 1979, 1980, 1981, 1982, 1984, 1987 dhe 1989.

“Mjeshtri Ndërkombëtar” i shahut u nderua nga televizioni “Telesport” dhe gazeta “Sport Plus” me çmimin “Medalja e meritës, për rezultate të shkëlqyera në sport”. Ikonës së shahut shqiptar ia dorëzoi medaljen presidenti i “Rotary Club Albania”, ing. Arben Shtylla.

FILLIMET TE LOKOMOTIVA

Fatos Muça u lind në Durrës, më 17 prill 1949, pikërisht në vitin kur kampion kombëtar në shah doli gjirokastrit Skëndër Çarçani (tri herë kampion i vendit). Për herë të parë mori pjesë në garat e kampionatit kombëtar të të rriturve në vitin 1966 në Vlorë, kur ishte 17 vjeç. “Atë kampionat arrita në gjysmëfinale. Për herë të parë kam marrë pjesë në finalet e kampionatit kombëtar në vitin 1968”, – thotë Muço për “Sport Plus”. Doli i 11-ti nga 16 finalistë.

Në vitet 1968-1970, Fatosi bëhet pjesë e klubit të Dinamos së kryeqytetit, periudhë që ndikoi jashtëzakonisht shumë në formimin e tij si shahist: stërvitje sistematike me Mina Peçin dhe kontakte me elitën e kohës së shahut shqiptar. Frytet e punës së tij u dukën në kampionatin e vitit 1970: nënkampion i Shqipërisë, duke mos humbur asnjë prej ndeshjeve me midis 16 finalisteve, por me më tepër barazime sesa Ylvi Pustina i 17 Nëntorit, i cili doli kampioni i vendit. Suksesi e bën anëtar të ekipit kombëtar, ndërsa specialistët e vlerësonin Fatosin si një shahist me të ardhme të madhe.

OLIMPIADA E SHKUPIT

Në vitin 1972, Fatos Muça ishte pjesë ekipit kombëtar që mori pjesë në Olimpiadën Botërore të Shahut në Shkup të (ish) Jugosllavisë. Vetë Muço regjistroi rezultate të jashtëzakonshme në 15 ndeshjet e zhvilluara: 9 fitore, 5 barazime dhe vetëm 1 humbje! Muço mori normën e parë të Mjeshtrit Ndërkombëtar dhe arriti në kufijtë e koeficientit ELO 2445, ndërkohë që yjet e botës ishin në kufijve 2600.

Në vitin 1972 ai mori titullin “Mjeshtër Sporti” në vitin 1980 ai u bë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, ndërsa në vitin 1982 ai bëhet i pari “Mjeshtër Ndërkombëtar” i shahut në Shqipëri. “Në fakt, i kisha të gjitha mundësitë të bëhesha më pas ‘Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar, por Shqipëria nuk mori pjesë për tetë vjet me radhë në Olimpiadën Botërore, për shkak se ekipi ynë u dënua pasi pranoi të luante me Izraelin në Olimpiadën e Shkupit”, – tha Muço për gazetën.

11 HERË KAMPION

Në vitin 1973 kampion doli Florian Vila i Studentit, por një vit më pas, në 1974, Fatosi shpallet për herë kampion i Shqipërisë. Sukses që e përsëriti edhe 10 herë të tjera, shtatë vjet rresht: 1976, 1977, 1978, 1979, 1980, 1981, 1982, 1984, 1987 dhe 1989, por duhet theksuar se ai nuk mori pjesë në vitin 1973. Titullin e fundit kampion e fitoi në vitin 1989, si një dhuratë për 40 vjetorin e tij, dhe prej ati viti nuk mori më pjesë në kampionat.

Ai ishte shahisti absolut në Shqipëri, gjithmonë kampion në vitet kur luajti. Pas tetë vitesh mungesë, Shqipëria u prezantua në Olimpiadën e Maltës (1980) me tre shahistë që kishin koeficient ELO: Fatos Muço 2440, Vangjel Adhami 2335 dhe Ylvi Pustina 2300, ndërsa tre të tjerë kanë zero (Aldo Zadrima, Vangjel Adhami dhe Ilir Karkanaqe). Shqipëria renditej e fundit përsa u përket pikëve ELO, në raport me kundërshtarët. Por, kombëtarja jonë ishte surpriza e Olimpiadës: në fund të saj, ajo u rendit e 19-ta në Botë!

Fatosi luan në tavolinën e parë kundër shahisteve më të mirë të vendeve kundërshtarë dhe përballë tij ishin 2 Mjeshtër të Mëdhenj, 5 Mjeshtër Ndërkombëtarë dhe 4 Mjeshtër Kombëtarë. Rezultati është mahnitës edhe sot: 3 fitore, 7 barazime dhe vetëm 1 humbje në 11 ndeshje. Spikasin dy ndeshjet kundër Mjeshtërve të Mëdhenj.

MIDIS 40 MË TË MIRËVE

Në Olimpiadat e viteve 1980 (Valeta, Maltë), 1982 (), 1984 (), 1988 () dhe 1990 (Novi Sad, Jugosllavi), ndonëse luajti në tavolinën e parë me shahistët më të mirë të vendeve me të cilat u përball Shqipëria, Fatosi zhvilloi ndeshje të një niveli të lartë, duke humbur shumë rrallë ndonjë takim me “Mjeshtër të Mëdhenj Ndërkombëtarë”.

Në Olimpiadën e fundit ku ai mori pjesë, atë të Novi Sadit (1990), Muço plotësoi normën e Mjeshtrit të Madh Ndërkombëtar, duke mos humbur asnjë ndeshje, ndonëse në tetë prej tyre pati përballë Mjeshtër të Mëdhenj, Mjeshtër Ndërkombëtarë apo kampionë të vendeve të tyre. Në Olimpiadën e Novi Sadit, shahisti durrsak në bazë të rezultateve dhe fitoreve të arritura (merren për bazë titujt dhe koeficienti i kundërshtarëve me të cilët ai ka luajtur), nga rreth 700 shahistë pjesëmarrës, Federata Botërore e shpalli në 40 më të mirët e Olimpiadës, ku Fatosi u pozicionua në vendin e 32-të.

TURNETË NDËRKOMBËTARË INDIVIDUALË

Për herë të parë mori pjesë në një turne ndërkombëtar individual në Selanik të Greqisë në vitin 1991, i shoqëruar nga trajneri i tij, Esat Duraku, ku në 12 ndeshje humbi vetëm një me Mjeshtrin Ndërkombëtar rumun Pavlov dhe një ndeshje aforfe, pasi nuk luajti kundër shahistit amerikan MI John Fedorowicz (për arsye politike). Muço arriti tri fitore: Knezeviç, Mjeshtër i Madh (Jugosllavi); Bousios dhe Kokikonos (të dy Mjeshtër Kombëtar të Greqisë).

Ai barazoi kundër 3 Mjeshtërve të Mëdhenj: Lengyel (Hungari), Spiridinov (Bullgari) dhe Vesterinen (Finlandë) dhe 3 Mjeshtërve Ndërkombëtarë. Në vitin 1985 merr pjesë në eliminatoret e Kampionatit Botëror Individual (nga 11 zona në Botë kualifikohen vetëm dy) në zonën e Shqipërisë, krahas Greqisë, Turqisë, etj. Marrin pjesë 5 Mjeshtrit e Mëdhenj të Jugosllavisë, që në atë kohë ishte një nga ekipet më të mira në Botë.

Nga 16 pjesëmarrës kualifikohen vetëm 2. Fatosi zuri vendin e tretë. Muço ka marrë pjesë në turneun ndërkombëtar të Akropolis (Greqi) në vitin 1989. Nga 32 pjesëmarrës, më shumë Mjeshtër të Mëdhenj fiton turneun duke mos humbur asnjë ndeshje.

SUKSESE PA FUND

Fatosi shkëlqeu edhe në garat e zhvilluar në Spartakiadat Kombëtare. Ai ka fituar të viteve 1969 (me Dinamon), si dhe 1984 dhe 1989 (të dyja me Lokomotivën e Durrësit). Është shpallur gjashtë herë kampion kombëtar me ekipin e Lokomotivës (Teutës së sotme): 1975, 1980, 1981, 1982, 1985 dhe 1986. Ai është pjesëmarrës me rezultatet të larta, gjithmonë në tavolinë të parë, në Kampionatet Ballkanike: 1979, 1980, 1982 dhe 1984. Emri i Muços nuk mund të mungonte kurrsesi në anketat tradicionale të fundvitit të organizuar nga gazeta “Sporti Popullor”, duke e fituar atë nëntë herë, ku katër herë ka qenë sportisti më i mirë.

TRAJNER I ERALD DERVISHIT

Pasi mbylli kutinë e shahut, me të cilën u bë shahisti më i famshëm i Shqipërisë, ai është trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në shah. Në Durrës, krahas stërvitjes individuale në vitet e shkëlqimit të tij, ka punuar si trajner me dy shahistët që ka nxjerrë nga brezi i ri: Erald Dervishi dhe Altin Çela. Eraldi është Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar, i shpallur Kampion i Europës për 14-vjeçarët. Fatosi është nderuar me urdhra dhe dekorata të ndryshme, si dhe ka marrë titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”, dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 2000.

PAK HISTORI SHAHU

Sporti i shahut në Shqipëri edhe pse zyrtarisht daton në vitin 1933, pa dyshim që është luajtur më parë. Në një botim të saj, Federata Shqiptare e Shahut, thekson faktin se gjurmët e shahut të çojnë në vitin 1910 dhe tek një emër: Abdulla Tirana nga Elbasani, ky i fundit e kishte mësuar shahun në Iranin e sotëm, në Persi. Abdullai është edhe më i spikaturi i kohës së tij, teksa në vitin 1913, te kafeneja “Shkumbini”, pranë portës së kalasë së Elbasanit u luajt publikisht edhe loja e parë.

Në janar të vitit 1933 “Federata Sportive”, që varej nga Enti Kombëtar “Djelmënia Shqiptare” organizoi të parin “kampionat të Shqipërisë”, ku morën pjesë tetë shahistë: Xhafer Çaushi (kampioni i parë kombëtar), Muhamet Vokshi, Muhamet Hoxha, Eqerem Stërmasi, Petro Martini, Ahmet Gashi, por dhe dy të huaj, një gjerman e një austriak. Kampionati u zhvillua nga data 6 deri më 15 mars 1933.

Kryetari i Federatës, Anton Mazreku, i dhuroi edhe trofeun e kampionit Xhafer Çaushit, një tavolinë artistike të zbukuruar me katrorët e shahut si dhe një takëm artistikë të gurëve të shahut, të punuara nga mjeshtri i drurit Angjelin Kurti, edhe ky një dashamirës shahu.

Federata e Shahut u themelua, më 14 maj të vitit 1933. Petro Martini ishte kryetari i parë i federatës, e deri në vitin 1939, këtë post e mbajtën edhe Mehmet Vokshi e Tom Truja. Aktiviteti i shahut pas ndërprerjes për shkak të Luftës së Dytë Botërore, rifilloi në vitin 1946. Kampioni i parë i paslfutës është Gaspër Shoshi i 17 Nandorit të Tiranës, apo Tiranës së sotme.

(Foto nga ceremonia e dhenies së çmimit “Medalja e Meritës”: Gazetari Ervin Petraq Baku – Prof. Perparim Kabo dhe Fatos Muço)

Lexo më shumë

Inter fiton titullin e 20-të të Serie A

Inter ngjyros “ziklatër” jo vetëm derbin e të hënës, por edhe Italinë në këtë sezon

KAMPIONATET

Partizani-Tirana në statistika, derbi premton spektakël në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit…

KOMBËTARET

Humbja me Suedinë, Silvinjo: Provuam skemë të re!

Për trajnerin Silvinjo, Kombëtarja bëri një paraqitje shumë të mirë në miqësoren me Suedinë,

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

UEFA mbledh në Shqipëri drejtuesit e Federatave të Futbollit të Europës Juglindore

UEFA do të organizojë në Tiranë një mbledhje të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të…